Fshati Lin (Pak histori )
Nga dokumentet historike rezulton se fshati Lin duhet të ketë qenë një vendbanim i lashtë dhe i madh. Mos vallë ka qenë vendosur këtu qyteti i lashtë Lyhnidi ? Kjo është një hamendje e nisur sëpari nga ngjashmëria e tingujve të emrit Lin, me vetë emrin Lyhnid.
Vetë pozicioni i këtij vendbanimi, i vendosur në një kodër buzë liqenit, të bën të besosh se mund të jetë banuar që në kohrat më të hershme. Zbulimi i një vendbanimi palafit, me shtylla mbi ujë, i gjetur buzë liqenit pranë këtij fshati, e përfocon këtë hipotezë. Mendoj se këtu duhet të ketë qenë vendosur një nga qytetet e lashtë që përmend në historinë e tij historiani Polibi. Ai përmend qytetet: Enkelana, Keraka, Sationa, e Lyhnidi, si qendra të rëndësishme ekonomike, zejtare, e tregtare që herët.
Pozicioni i kësaj kodre mbi liqen, përballë Ohrit e i ngjashëm me kodrën ku është vendosur Ohri i vjetër, e shton edhe më shumë këtë dyshim.
Por, ato që mund të vërtetojnë më shumë këtë supozim, janë edhe të dhëna të tjera.
Mbi kodër janë zbuluar mozaikët e vjetër të një bazilike të kohës së Bizantit, dikur tempull (fillimisht pagan), i cili më vonë u shfrytëzua për ndërtimin e një kishe. Bazilika mendohet të jetë ndërtuar në shekullin VI në kohën e perandorit Justinian, me origjinë ilire, të perandorisë Romako-Bizantine (527-565).
Në faqen 417 të librit “Arkeologjia” shkruhet:
“Periudha e tretë e ndërtimeve filloi në fundin e shekullit V dhe u realizua në kohën e perandorit bizantin me origjinë ilire, Justinianit”.
“Për shekullin e VI pas Krishtit, bazilika më e madhe e zbuluar në vendin tonë është ajo e Arrapajt, pranë Durrësit, që ishte një rezidencë verore e peshkopëve të Epirit të Ri… Së njëjtës, kohë i takon bazilika e Linit, me një skemë të ngjashme planimetrike përsa i përket trajtimit të sallës qendrore dhe altarit. Edhe kjo ishte një rezidencë verore e peshkopit të Lyhnidit e rrethuar edhe me një mur mbrojtës”.
Dëshmi tjetër e ekzistencës së një qytetinë këtë kodër është edhe emri Zagradje, që në gjuhën sllave ka kuptimin: (za=pas, përtej), (grad= qytet), d.m. th. Vend, apo lagje, pas, përtej, qytetit. Nuk ka të dhëna se si e kur është zhdukur qyteti. Në një artikull e studim të Vangjush Manastirliut. “Kontribut për hartën arkeologjike të Pogradcit”. (Botuar në broshurën “Materialet e sesionit arkeologjik “, 1967). Midis të tjerash thuhet: “Në lindje të fshatit Lin gjendet një kodër shkëmbore e quajtur Zagradje. Kodra rrethohet nga të tri anët nga liqeni. Në vendin e Zagradjes janë zbuluar me shumicë gjetje të ndryshme helenistiko-romake. Gjetjet e ndryshme dhe pozicioni i Zagradjes, tregojnë se edhe atje ka pasur një vendbanim të lashtë Ilir”.&j&
Sipas shënimeve të mbledhura nga Vançi Pojani në vitin 1966 dhe sipas dëshmive të Dhimitër Kratellarit (75 vjeç në vitin 1966), e të dëgjuarave prej tij nga më të moshuarit, thuhej se fshati ka qenë më i madh dhe i orientuar prapa shkëmbit, përballë qytetit të Ohrit. Përmbytjet e liqenit bënë që banorët të largohen nga ky vend e të vendosin fshatin në vendin që është sot.
Në tregimin e Klime Kratellarit veçojmë shprehjen se fshati është përmbytur. Kjo dëshmohet edhe nga fakti që, në vendin ku mendohet se ka qenë fshati i vjetër, prapa shkëmbit, nën sipërfaqen e liqenit dhe buzë bregut, duken mbeturinat e një vendbanimi. Variantet e përmbytjes mund të jenë dy.
1. Mund të jetë ngritur niveli i liqenit, gjë që nuk më duket e drejtë.
2. Mund të jetë ulur niveli i tokës së kodrës, ose i pjesës ku ishte fshati. (Kodra është prej shkëmbi gëlqeror ).
Dëshmia e pranisë së 10 kishave të mëdhan e të vogla, tregon se ky vendbanim duhet të ketë qenë dikur i madh, sepse në të kundërtën përse duheshin 10 kisha ? Sipas të dëgjuarave duhet të ketë qenë dioqezë ose qendër kishtare.
Klime Kratellari tregon gjithashtu se kishte dëgjuar nga të vjetrit e fshatit se para 100 vjetësh (tregimi është i vitit 1966), fshati nuk ka psur më tepër se 20 shtëpi e se e gjithë popullsia merrej më tepër me peshkim. Atëhere çdo të duheshin këto 10 kisha për 20 shtëpi? Pra, vendbanimi i mëparshëm duhet të ketë pësuar një fatkeqësi, prandaj banorët janë detyruar të largohen. Shkak mund të kenë qenë edhe luftrat e turbullirat e kohrave të ndryshme historike, ose epidemia e kolerës, (ashtu siç ndodhi edhe me fshatrat e tjera të kësaj zone).
Kishat dhe vendet me emra kishash.
Nga toponimia e fshatit dalin këto kisha dhe vende me emra kishash:
1.SHËN VARVARA. Është kisha e madhe brenda fshatit, tek shkëmbi. Është ndërtuar, apo rindërtuar në vitin 1824.
2. SHËN MËRIA. Kishë poshtë në fshat.
3. SHËN KOLLI. Mbi fshat, në shkëmb.
4. SHËN THANASI. Ndodhej në kodrën mbi fshat, tek mozaikët.
5. SHËN E PREMTJA.
6. SHËN E DIELA.
7. SHËN ILIA. Është rindërtuar në vitin 1935. Ndodhet pranë fshatit Lin, buzë rrugës automobilistike, nga e majta kur shkoheshe nga Pogradci për në Elbasan. (P.S. Tani, me ristrukturimin e rrugës, ndodhet në krahun e djathtë).
8. SHËN MITRI (ose SHËN DHIMITRI), ndodhet tek mullinjtë, pranë kufirit të sotëm me Maqedoninë.
9. SHËN GJERGJI.Tek varrezat ka qenë dikur një kishë me emrin e Shën Gjergjit. Tani nuk është më. Në fshat i thonë Shën Gjergji i varreve.
10.Kishae vogël në Zagradje. Matanë kodrës nga Zagradja e në fund të saj, ka qenë një kishë e vogël, kupolje. Emri i saj nuk dihet.

Gjergji Gusho_Në Korçën tonë
@NewsIn.Al

