Ma rrëfe, ta mbjell në sy…
O porta ime e vjetër, erdha sërish, por ti
m’i paske mbyllur kanatat, kuptisur si asnjëherë!
E di? Tek unë vetëtin, bubullin, bie shi e fryn erë!
Është tetor, moj, dua të dëgjoj hapat e vjeshtës
në pëllëmbën e një gjetheje ta gëzoj prehjen
e të mendoj si atëherë kur fluturoja, se s’ka vdekje.
Motra ime, mikja e të fshehtave të mia
është fleta që dorëzohet e bie përdhe e fundit
me hirin e një shpirti të lodhur prej motit e mundit.
E di? Këtu mësova të dëgjoj pritjen
ta pikas si merr frymë, me zëra t’imagjinuar
dhe ushqyer e kam, tundur, si foshnjën në duar.
Këtu i paskam mësuar dhe këngët e trishtimit…
Shkruar i kam me vlimin e ngjyrën e gjakut,
qysh kur ika e shpirtin e lashë brenda, pas pragut.
Dhe ja sonte veç era hyn e shfryn nëpër plasat
e unë më kot pres i dridhur gjer në eshtra
bora s’ka sosur, por dimri ia niska nga zemra!
O porta ime e vjetër, më gjunjë të bie, por rrëfema
atë shenjën, vendin e dorës që nëna ka lënë tek ty
para se të ikte prej teje: dua ta mbjell në sy!
Riza Braholli Mborja
@NewsIn.Al
