MANAT e BOBOSHTICËS
Kujtime vegjelie
Nuk më kujtohet me saktësi se kur e kam dëgjuar për herë të parë emrin Boboshticë, por e mbaj mend fare mirë se ajo lidhej me manat, me këto fruta të veçantë e karakteristikë, që prej qindra vjetësh gjenden në dy fshatrat afër Korçës – Drenovë dhe Boboshticë.
Ishim fëmijë të vegjël, mbase 10 apo 12 vjeçarë dhe kur afrohej 15 gushti, dita e Shën Marisë, gojë me gojë, me shpejtësi rrufeje, përhapej lajmi se në Boboshticë do të bëhej panair i madh dhe manat ishin pjekur. Ishim me pushimet verore dhe ky qe një rast fatlum t’i shpëtonim “mbulimit” të prindërve që ishin në punë.
Kështu, një mëngjez, në një ditë të ngrohtë e të kthiellët, së bashku me pesë a gjashtë shokët e mëhallës, lamë qytetin dhe morrëm drejtimin e rrugës të Ersekës, në të majtë të së cilës vargëzojnë fillimisht Drenova dhe pas saj Boboshtica.
Nuk e mbaj mend sa zgjati udhëtimi, por na lodhi jo pak, sepse asnjëri nga ne nuk kish qenë më parë. E kishim të lehtë për t’a gjetur sepse grupe të rinjsh e më të moshuarish, me dhjetra apo qindra, i kishim bashkëudhëtarë. Kurshtja dhe kënaqësia ish e papërshkruar kur dëgjuam dikë që tha: Mbritëm …mbritëm, ja ku duket fshati!
Si tani kam para syve shtepitë e saj karakteristike, vila një katshe, të pastra, të sistemuara me kujdes, të gardhuara me mur guri, me kopshtet e tyre karakteristike, ku veçanërisht spikatnin manat e zeza që t’a bënin me sy.
Diku më sipër ishte kisha e Shën Marisë, në oborin e së cilës dhjetra e dhjetra artizanë, vendas dhe nga qyteti, tregëtonin produktet e duarve të tyre të arta: enë balti (kujtoj zogun prej balti që shndrohej në bilbil kur i frynim nga bishti), punime bakri apo argjendi, mish të pjekur qingji (aroma e kukurecit ende më ngacmon hundën). Por veçanërisht ishin manat!
Të paduruar për të ngrënë sa më shumë, nuk tregonim fare kujdes për të mos u ngjyer nga koka në këmbë me lëngun e tyre që kish një bojë manushaqe qe s’kish burrë nëne t’a fshihte e që mbetej dëshmitari i heshtur kur përpiqeshim të mohonim, para prindërve, se kishim qenë për mana!
Kanë kaluar që atëhere afro 60 vjet dhe ndonse pas viteve ’90 kam qenë disa herë në Boboshticë, në këtë ditë të shënuar, ndonse është po ajo natyrë, po ai vend (edhe kisha ishte rindërtuar), po ato mana, por diçka mungonte……Nuk janë më po ata njerez. Familjet boboshtare të origjinës janë larguar njëra pas tjetrës në vite, për një jetë më të mirë.
Ka ngelur “trupi”, ka fluturuar “shpirti

#NewsIn.Al

