KreuKulturë / ArtMe dëshirën për t’ia dedikuar nënës sime, po postoj një poezi tepër...

Me dëshirën për t’ia dedikuar nënës sime, po postoj një poezi tepër të veçantë për mua, “Karenina”… /Artur Balli

Në numërin 147 të së përjavëshmes prestigjioze “EXLIBRIS”, botuesi dhe përkthyesi Bujar Hudhri sjell një shkrim mjaft interesant të Dostojevskit, nën titullin -“Ana Karenina” si fakt i një rëndësie të veçantë- që përcjell përsiatje të shkrimtarit të madh mbi raportet e letërsisë ruse kundrejt asaj europiane, duke referuar romanin “Ana Karenina” si një vepër madhore e pangjashme dhe e papërsëritëshme.
Nëna ime, që gjithë jetën e ka dashur “Ana Kareninen” më tepër se çdo libër tjetër, në botë, e përpiu artikullin, e mrekulluar.
Me dëshirën për t’ia dedikuar nënës sime, po postoj një poezi tepër të veçantë për mua, “Karenina”, (përfshirë në vëllimin “Qyteti Tjetër”), të shkruar me mbresat më të thella që kam marrë pas një vizite në qytetin e magjishëm Shën Petersburg:

KARENINA

1.
Ndërsa endesha përhumbur si në ëndërr
Përmes turmës, prisja trenin në stacion
Krejt i dehur në magji netësh të bardha
Që parreshtur derdhnin hir dhe emocion
Mbi të shenjtin e pashoq Shën Petërburg.

Pakuptuar, m’u fanit, një çast, sikur
Nga aq larg, un’ kisha ardhur, fluturuar,
Përgjat’ malesh, përmes pyjesh, përtej detesh,
Me një frymë, gjith kufijt’ kisha kaptuar
Për ta gjetur, aq çuditshëm, veten murg

Aty brenda manastirit të mistershëm
Ku shenjtorët rusë të letrave, dor’zuar
Kan’ lavdinë, madhështinë edhe eshtrat…
Ndërsa un’ nën rasë murgu
S’di ç’kërkoja me aq ngulm e papushuar
Dhe prej syve s’di pse lotët shkonin çurg.

2.
Dhe mu zgjuan zogjt’ e shpirtit, gjith’ papritur
Ngazëllyer rrahën krahët e magjishëm
Dhe mes tingujsh të gëzuar, të çuditshëm
U vërsulen të çukasin, të uritur
Mbi pëllëmbë resh të hapura, thërrime
Prej një malli aq të ëmbël e të vjetër
Ndehur qiejsh kaltër-blu të rinisë sime.

3.
Por, papritur,
Sy e zemër, seç mi shpoi tej e tej
Ah, një çantë e vogël gruaje, e kuqe
Që si zog i sapovrarë shëmbëllente
Krahkëputur, i pajet’, mbytur në gjak,
Pranë shinave, përdhe, veç pak më larg
Asaj turme shpirtverbuar e syshuar
Që as shihte, as kuptonte gjë, as ndjente…

Ndërsa un’ duke mos mundur, dot, në çast,
Që ti gjeja e ti shkelja të padukurit kufij
T’asaj ëndrre dhe prej saj të kthehem pas,
Belbëzova i tmerruar: Karenina!
Dhe pastaj, sikur të isha unë Vronsk
Lemerisur para gjëmës që po vinte
Uluriva: Ana, mos…!

#NewsIn. Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit