KreuAktualitetiMëmësia nuk është profesion me kohë të pjesshme./ Elona Caslli

Mëmësia nuk është profesion me kohë të pjesshme./ Elona Caslli

Mëmësia nuk është profesion me kohë të pjesshme.

Në rrjet u përballa me një video ku një djalë, me gjasa jo më shumë se 10 vjeç, recitonte përballë Alketa Vejsiut një tekst të mësuar përmendsh.

Përbërja e tekstit nuk ishte një poezi apo një tregim i një shkrimtari, por ishte një propagandë e mirëfilltë që orvatej t’i mbushte mendjen dëgjuesit se sa përparime kishte bërë Shqipëria që prej kohës së komunizmit deri në ditët e sotme. Përparimi nënvizohej veçanërisht në dekadën e fundit dhe në ligjëratë të drejtë djali i vogël tha: “Tani jemi bërë një nga shtetet më të pasura në Ballkan”

Ajo çka të vriste veshët dhe sytë në recitimin e djaloshit ishte fakti që ai fliste për statistika ndër vite dhe për terma që qartazi ai nuk ua dinte kuptimin.

Thonë se të rrisësh një fëmijë para kohe është njësoj si të dënosh një njeri për një krim që nuk e ka kryer. Përdorimi i një fëmijë për propagandë partiake është rritje e parakohshme e fëmijës dhe kjo është e dënueshme fillimisht për Alketa Vejsiun si nënë e mandej për Alketa Vejsiun si moderatore, pasi para se të jetë një moderatore është nënë dhe mëmësia nuk është profesion me kohë të pjesshme, por është profesion me kohë të plotë dhe nuk ka fëmijë të kategorisë A, B, apo C, pasi çdo fèmijè meriton të respektohet në qënien e tij.

“Mos e vëndos fëmijën e tjetrit në situatën ku nuk do të vendosje asnjëherë fëmijën tënd dhe mos ia deformo shpirtin një fëmije duke e shtrënguar të mësojë përmendsh një tekst të cilin nuk arrin ta kuptojë”.

Nëse Alketa Vejsiu pret që shqiptarët të mësojnë se ç’ishte komunizmi nga një djalosh 10 vjeç, gabohet rëndë.
Nëse Alketa Vejsiu pret që shqiptarët presin të mësojnë që jetojnë në vendin më të pasur të Ballkanit nga një fëmijë 10 vjeç, gabohet akoma më rëndë.
Shqiptarët e ndiejnë çdo ditë “” mirëqënien” e tyre te faturat që paguajnë për shërbime që nuk i marrin dhe te valixhja që kanë shumica e tyre pas dere për t’ia mbathur nga sytë këmbët nga ky vend.

Post Scriptum- E gjithë shfaqja e servirur nga Vejsiu, nuk bën gjë tjetër veçse fëlliq shpirtin e pastër dhe plot ajër të një fëmije duke e kthyer në një hapësirë të ndotur propagande plot me gënjeshtra dhe arritje imagjinare.

Elona Caslli

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit