MËNGJES I BUKUR VJESHTE
[Vjeshta në Korçë]
Jorgo Seferi – Nobelist
Ja ku më pëlqekan,
në fund të fundit,
këto male me këtë ndriçim,
këto male me lëkurë të rrudhosur,
të rrudhosur, si barku i elefandit,
kur sytë prej viteve i ngushtohen.
Ja ku më pëlqekan,
këto plepa, që nuk janë dhe shumë,
që qëndrojnë duke ngritur supet,
brenda diellit.
Gegët shtatgjatë dhe,
toskët trupshkurtër,
në verë me drapërinj dhe
dimrit me sopata,
e njëjta gjë,
përsëri dhe përsëri,
e njëjta lëvizje e të njëjtëve trupa:
u pre monotonia.
Ç’thotë vallë myzeini në majë të minaresë?
Ja dëgjoje me kujdes!
U përkul prej së larti që,
të pushtojë tek ballkoni ngjitur,
një bukuroshe leshverdhë.
Ajo tund në erë,
drejt qiellit,
dy duar ngjyrë trëndafili,
nuk pranon ta përdhunojnë.
Ndërkaq,
përkulet minareja,
përkulet dhe ballkoni,
njësoj si kulla e Pizës,
dëgjohen vetëm pëshpëritje,
nuk janë gjethet,
nuk është as uji,
“O Zot, o Zot!”
nuk është madje as flladi i erës,
lutje e çuditshme.
Një gjel kokoris,
duhet të jetë gjel pupëlverdhë,
O shpirt i dashuruar që,
lartësive u ngjite!
Ja ku më pëlqekan, në fund të fundit,
këto male,
ja kështu, siç janë të shtëllungosura.
Ja ku më pëlqeka kjo tufë malesh,
rreth meje të mplakura,
me lloj lloj rrudhash.
Më thoni,
a mendoi ndokush që,
të lexojë fatin e një mali në vijat e tij,
ashtu si lexohet fati i njeriut,
në vijat e pëllëmbës së dorës,
më thoni? …
… … …
Shqipëroi Ilia V. Ballauri ©
Nxjerrë nga: “Nga krijimtaria e nobelistit J. Seferi në Korçë” (Esè)
Bot. Kotti Korçë 2018, fq. 48 – 50
SHËNIM: Vjeshta në Korçë në ditarin e Seferit më 1937, është fiksuar në këto data, shtator: 14, 15, 20, 22, 27 dhe nëntor: 19, 22, 27. Më 2 dhjetor poeti pas një qëndrimi prej rreth dy vjetësh në qytetin tonë, largohet prej andej njëherë e përgjithmonë duke shkruar në ditarin e vet, këtë frazë të thjeshtë:
“ E enjte 2 Dhjetor [1937]. U largova prej Korçe.” (I.V.B.)
Ilustrimi: V. Mio “Vjeshta në fushën e Korçës”
@NewsIn.Al
