Tuesday, July 28, 2026
spot_img
HomeKulture / ArtMirash IVANAJ (1891-1953) – Një ikonë e Arësimit Kombëtar në përvjetorin e...

Mirash IVANAJ (1891-1953) – Një ikonë e Arësimit Kombëtar në përvjetorin e vdekjes.ç

Mirash IVANAJ (1891-1953) – Një ikonë e Arësimit Kombëtar në përvjetorin e vdekjes.

“…Shkolla jonë duhet të japë edukatë qytetare e laike, sepse qëllimi i shkollës është të formojë qytetarë të lire, me edukatë dhe formim shkencor e teknik bashkëkohor….”

Ky fragment i shkurtër është shkëputur nga fjala e mbajtur prej tij, si ministër i arësimit kombëtar, në Parlamentin shqiptar, më 10 prill 1933, ku, gjatë punimeve për Reformën Arsimore, ai përcaktoi qëllimin e saj.
Por, kush ishte Mirash Ivanaj ?

U lind në Podgoricë të Malit të Zi më 1891nga prindër shqiptarë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Serbi dhe të lartën në Romë, i diplomuar në dy degë: letërsi-filozofi dhe jurisprudencë (mban gradën doktor i shkencave juridike). Në 1923 kthehet në atdhe dhe drejton për 3 vite rradhazi Gjimnazin shtetëror të Shkodrës, ku themeloi gazetën e njohur “Republika”. Puna e tij si mësimdhënës me vision perëndimor, me ideal atdhetar e laik, nuk i shpëtoj vemendjes të Mbretit Zog, i cili në vitin 1933 e emëroj Ministër të Arësimit Kombëtar.
Me emrin e tij lidhet ajo që njihet si “Reforma Ivanaj”, që ofronte një arësim me prirje perëndimore dhe frymë kombëtare. Vizioni i tij për sistemin arsimor ishte përpjekja për ndërtimin e shkollës kombëtare, si përçuese e ndërgjegjes kombëtare dhe e kosolidimit të unitetit kombëtar, pavarësisht nga përkatësia fetare. Sipas Mirash Ivanaj krijimi dhe afirmimi i shkollës kombëtare shqiptare duhet të ish jo vetëm shqipe nga gjuha, por edhe ilumuniste nga përmbajtja, jo vetëm laike por edhe masive, e përbashkët për të pasurin e të varfërin, për myslimanë e të krishterë, për djemtë e vajzat, një shkollë ku të arsimoheshin e edukohshin qytetarë të ndërgjegjshëm, jo vetëm të ditur, por edhe atdhetarë. Kjo ka qenë një platformë arsimore dritëdhënëse për kombin shqiptar. Ai vinte në dyshim çdo mision të të huajve në sektorin e arsimit. Besonte se, edhe sikur të vinin këtu me qëllime bemirëse, ata nuk e njihnin realitetin e vendit tonë. Problemi i edukimit moral, patriotik e shoqëror – thoshte Ivanaj, ishte shumë më i rëndësishëm se ai diturak.

Me pushtimin italin të 7 prillit 1939 largohet nga vendi, ku tragjikisht u kthye në tetor 1945, i thirrur nga miku i tij, deputeti Gjergj Kokoshi, ministri i parë i arësimit në qeverinë e pas luftës. Me dënimin e Kokoshit (me grupin e deputetëve) më 1947, arestohet dhe dënohet me 7 vjet burg. Në séancën gjyqësore, i paqartë për shkakun e dënimit, e pyet kryesuesin e séancës:
– Po për ç’ka jam denue zotni ?
– Ke ardhur me ide që të bësh propagandë në Shqipëri – e sqaroj gjyqtari.
E Mirashi ja priti: – Po a ka ligj në botë që të dënojë mendimin? (në botë mbase jo, po në Shqipëri ka pasur një ligj të tillë për 45 vjet!)
Vdiq më 22 shtator 1953, në Spitalin e Tiranës, mbas një operacioni të thjeshtë, 12 ditë para se të lirohej. Eshtë përfolur që kjo vdekje e papritur ishte porositur prej vetë diktatorit si hakmarrje primitive e tij për ndërprerjen e bursës që i bëri atij ministria e arësimit gjatë studimeve në Francë, studime që as i filloi e as i mbaroi ndonjeherë.

Ka lënë një vëllim me poezi, “Epopeja e Njeriut” – ku janë dhe poezitë e të vëllait, që dr.Lazër Radi e ka përkthyer nga serbishtja. Më 1995 u hap “Martin and Mirash Ivanaj Foundation”, krijuar nga e mbesa, Drita Ivana,j e bija e Martinit, për të stimuluar studentët shqiptarë.Është mbajtës i disa titujve madhorë, si “Kumandar i urdhërit të Skënderbeut (akorduar nga Mbreti Zog), “Martir i Demokracisë” dhe “Mësues i Popullit”, akorduar nga Presidenti Berisha dhe “Nder i Kombit”, akorduar nga Presidenti Moisiu.

Reformën arsimore, aq të përfolur sot, mund ta udhëheqin vetëm njerëz të tillë si Mirash Ivanaj, të cilët nuk na mungojnë, ndonse nuk i dëshirojmë t’i kemi në drejtimin e punëve.

PS. Në foto, në të djathtë, Mirash Ivanaj (ministër i arësimit), në qendër kryeministri Pandeli Evangjeli, gjatë një vizite në një shkollë.

Klodi Stralla

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments