Wednesday, December 4, 2024
spot_img
HomePe KorçeNe Gore, shkolla e pare ku dhashe mesim/Agim Xhafka

Ne Gore, shkolla e pare ku dhashe mesim/Agim Xhafka

Kjo shkatërrirë ka qënë shkolla ku dhashë mësim shumë e shumë vite përpara. Sa mbarova universitetin më degdisën në malet e Gorës,mes mjerimit,varfërisë e urisë. Por populluar nga njerëz bujarë,që na mbanin në shtëpitë e tyre për të fjetur e kur ndonjëherë therrnin ndonjë pulë që e rrisnin fshehur na jepnin ndonjë tas me supë me kofshën brenda në të.
Kjo pamje nuk më mërzit,më gëzon. Më gëzon shumë se një shkollë rronitet kur nuk ka nxënës. E mes atyre skérkave për fat tani jetojnë veç ca pleq që nuk kanë ku shkojnë nga pamundësia. Të tjerët prej vitesh janë rregulluar nëpér botë apo në Durrës e Tiranë.
Pamja e shkollës sot rrëfen se velçanakët ikën drejt jetës më të mirë si ata kërkuesit e arit drejt Alaskës. U turrën me një boçe rrobash e nuk erdhën më.
Shkolla është fiks si foleja e zogjve. Kur ata nuk rikthehen foleja te ballkoni na bije ndër këmbë. Pezmatohemi pak,por ama e dimë që diku tjetër ka nisur jetë foleja e re.
Shkolla u vidhis si vetë ngrehina komuniste. Zuri plot poshtë vetes,por shumica shpëtuam. Nxënësit e mij ka vite që më bëjnë mesazhe nga Londra,Parisi,New Yorku,Roma,Athina. Gëzohem sikur të ishin fëmijët e mij. Prita 7 marsin që të postoja këtë foto. E kisha prej muajsh,por sot dua të uroj gjithë ish-nxënësit. Janë të rritur,tashmë baballarë,por i kam ndër sy të vegjël,të vegjël fare. Gëzohuni që shkolla e vjetër na la. Në se ndonjë prej jush këto kohë shkon në Velçan jepini kazmën e fundit kësaj gërmadhe dhe bëjeni lëndinë atë pjesë. Mbi të vendosni një dërrasë me mbishkrimin:”Këtu shkonin në shkollë fëmijët që nuk kishin një vakt bukë e që vishnin gazeta poshtë tutave që mos i sëmurte era e dimrit të egër!”
Shkolla ime pas ca vitesh nuk do jetë më mbi tokë. Por tek mendja ime do jetojë si zgjua bletësh,mbushur me harenë e moshës të qindra fëmijëve. Ende më gumëzhin koka prej asaj zhurme që ia kalon edhe uverturës së ujëvarave më të famshme…

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments