KreuAktualitetiNënshkrimi i djeshëm i Memorandumit të Bashkëpunimit për Korridorin 8 në Sofje,...

Nënshkrimi i djeshëm i Memorandumit të Bashkëpunimit për Korridorin 8 në Sofje, midis Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë… nga Ardit Konomi

Nënshkrimi i djeshëm i Memorandumit të Bashkëpunimit për Korridorin 8 në Sofje, midis Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është një lajm i madh për ne. Çuditërisht nuk u pa as dje as sot që të reflektohet të paktën, për të mos thënë të komentohet dhe analizohet në mediat dhe mjediset e tjera analitike social-politike të vendit.
Çuditërisht, sepse në fakt ky eshte një prej zhvillimeve më të forta në rajon dhe me efekt shumë të madh ekonomik për të treja vendet. Shqipëria është përfituesi më i madh, jo vetëm sepse është porta kryesore hyrësedalëse e këtij korridori, por edhe sepse mënyra se si e përshkon ky aks vendin, mundëson lidhjen gjithmonë të cunguar horizontale të disa rajoneve të vendit me potencial ekonomik serioz me njëri-tjetrin, me akset e rëndësishme ekonomike vertikale dhe me portet tregëtare.
Gjeografia është aq e rëndësishme sa është edhe përcaktuese në të tashmen dhe prognozën zhvillimore të vendeve.
Gjithmonë ka qenë.
Dikur, Egjipti, Greqia e Lashte, Roma dhe më pas Spanja, Portugalia, Anglia, u bënë superfuqi, pushtues dhe kolonizatorë pikërisht për shkak të gjeografisë favorizuese e cila iu mundësonte daljen në dete dhe oqeane dhe rrjedhimisht edhe krijimin e dijeve, infrastrukturës, kapaciteteve dhe interesave.
Më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kthjelltësinë dhe mençurinë me të cilën u krijuan dhe funksionuan e konsoliduan dhe e ngritën në art këtë përqasje duke u bërë shteti unik në botë që arriti të kontrollojë dy oqeane.
Në pellgun e Mesdheut, historikisht vetëm ne e kemi parë detin dhe rrugët jo si mundësi, por si portat nga hynte armiku. Kjo për shkak të mungesës kronike të të qënit të organizuar nën shtet dhe historisë ndëshkuese sidomos për ne që ramë një nga një nën pushtimet romake, bullgare dhe turke të cilat gozhduan në mentalitetin tonë nevojën për konservim dhe mbijetesë.
Kështu vazhdoi për fat të keq edhe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore e deri në fund të Luftës së Ftohtë, periudhë gjatë së cilës përsëri për shkak të po të njëjtëve faktorë defavorizues, shtuar edhe të tjerë specifikë të kohës, ne mbetëm jashtë hartës së gjeopolitikës së aplikuar.
Kjo ngjarja e djeshme, në këndvështrimin tim shënon të parin moment historik gjeopolitik veçanërisht të rëndësishëm në historinë tonë. Fluksi ekonomik që qarkullon ky korridor, interesat politike, stabiliteti dhe ndërlidhja që siguron, janë jashtëzakonisht të rëndësishme në aspektin ekonomik, politik dhe strategjik dhe për më tepër kryqëzimi i tij me Korridorin 10, e fusin përfundimisht Shqipërinë në hartën politiko-ekonomike të Europës.
Kjo ngjarja e djeshme na bën praktikisht pjesë të klubit të vendeve të zhvilluara të afta për vendimmarrje të ndjeshme politike dhe strategji të qarta zhvillimore.
Kjo ngjarja e djeshme është prova e qartë se ka forca të brendëshme dhe të jashtme që duan dhe punojnë që Shqipëria të bëhet.

#NewsIn. Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit