“Nga ato gjanat e mira, vetëm tonat!”
Nuk e negocioj pregatitjen e tyre nga gra që nuk kanë asnjë lidhje me to, nga gra që nuk fusin duart në kuzhinë kurrë, nga gra që Bollokumen e shohin si Votë.

Ëmbëlsira jonë është magji, delikatesë, eremirë, e gatuar me dashurinë dhe përkujdesinë e gjithë botës, nga gjyshe duarfildishta, me gishta të butë e të bardhë si gjalpi që rrihnin me durim dhe këmbëngulje.
Bollokumja duhej të vinte e butë dhe e shkrifët, e ëmbël dhe aromëplot, e artë si e pjekur në diell.
Pa kishte dhe sekretet e veta, sheqer të imët, majë mielli misri, gjalpë të vjetër dhe fi, ujë fije. Një ritual i Ditës së Verës i gatuar në tenxhere bakri , që përkëdhelej nga luga e drurit dhe duart magjike të zonjave të Elbasanit.
Rrugët e qytetit mbusheshin me erë dehëse ëmbëlsire. Dhe kjo embëlsirë nazelie dhe belallije, shpërndahej ne hise brenda dhe jashtë qytetit.
Sepse shumë u munduan , por pak e arritën bollokumen e Elbasanit.
Është misticizmi i vendit dhe traditës që e bën kaq te vecantë.
Duhet të jesh lindur aty, të jesh rritur pranë gjysheve të mrekullueshme , të kesh jetuar misterin e ritualit që pikon shije dhe më pas ku i dihet?Ëmbëlsira do pranojë të të bëjë nderin që kur ta shijojnë, me syte gjysmë mbyllur dhe shpirtin plot, të të thonë :
” Të lumshin durët”!
Armida Plangarica
@NewsIn.Al

