CIKËL ME POEZI NGA LIRIKU SKËNDER RUSI
Qytetar nderi i Korçës
PA DASHJE
Pa dashje kam plagosur një grua!
(S’e dija që më desh aq marrëzisht!)
Ajo ishte një yll,nga qielli larguar,
E zbritur në tokë rastësisht!
Pa dashje,kam fyer një grua!
E putha në faqe në një natë pa drita!
Pastaj dhe në ballë një puthje të dytë,
Ia shtypa pak hundën me gisht,edhe ika!
Pa dashje , kam vrarë një grua!
(Eh,gratë u vrakërkan kaq shpejt!)
Ajo iku në qiell,prej nga ish larguar,
Të vuante zhgënjimin e vet!
MBI KOKE ME RRI EDHE ME NDRIT
Gjithnjë po bëhesh më e krrusur,
Sikur po i afrohesh tokës!
Unë jam atje,në sytë e rrudhur,
Ku është fillimi i gjithë botës!
Gjithnjë po bëhesh më e vockël,
Ku e ke futur gjithë atë shpirt!?
Si hënëz e ngrënë brenda dhomës,
Mbi kokë më rri edhe më ndrit!
ASNJË TJETËR
Vetëm ty brenda vetes të mbaj të fshehur,
Vetëm ti ma njeh aq mirë moshën!
Toka lëviz duke imituar planetet,
Njerëzit lëvizin duke imituar tokën!
Vetëm ti m’i di marrëzitë që kam bërë,
Dhe m’i ke falur ato që të gjitha,
Unë jo gjithnjë kam ecur
Ku ecin të tërë
Nuk kam dashur të jem ky,,po u mërzita!
Brenda shpirtit lakuriq
Trishtimin kam lënë,
Ata të dy nuk do ndahen më kurrë!
Gjithçka nga netët e mia të kam dhënë,
Mos thirrë se pastaj do bërtas edhe unë!
Për të dashur,
Asnjë s’të ka dashur më shumë!!
PARADOKSE
Ka ca gjëra që nuk ndryshojnë kurrë,
Në këtë jetën tonë të përditshme,
Ka ca njerëz,si për shembull unë,
Që hapin kudo veç rrugë të çuditshme!
Ka ca ditë që lindin pa mëngjese,
(Se ku ka shkuar dielli,s’e di asnjë!)
Nga drita e tij marrim dhe ne me vete,
Dhe ditë për ditë ne e shpërndajmë atë!
Ka ca hije që duan me mua të maten,
Ka ca njerëz që brenda meje lëvizin,
Ka ca të tjerë që tëvetmuar e pijnë kafen,
Ndaj edhe ditët pa mëngjese lindin!
Të verbërit duan ta shohin botën,
Dhe kërkojnë me ngulm që të shëtisin
Ka edhe shurdhër që duan të dëgjojnë,
Bet’hovenin apo Listin,
Ka ca gjëra që nuk ndryshojnë kurrë,
Në tërë këtë jetën tone të përditshme!
Ka ca njerëz si për shembull unë,
Që hapin kudo vetëm rrugë të çuditshme!
KORÇËS – NJË FJALË DASHURIE…
Jetoj në një qytet në formë zemre,
Ku kitarat netëve marrohen!
Ku djemtë nuk rrinë pa të shkelur syrin,
Dhe vajzave ju pëlqen të ngacmohen!
Jetoj në një qytet që dremit,
Dhe zgjohet mbi supin e një mali.
Ku dielli para se të nisë udhëtimin,
Çlodhet pak mbi sup të një ushtari ! *
Jetoj në një qytet që më deh,
Jo me vodkë,por me dashuri!
Ku çdo grua ,në sy,nuk të sheh,
Po të ndjek me sy,kur s’sheh ti!
Jetoj në një qytet që m’i fal,
Të gjitha marrëzitë që kam bërë!
E ç’ta fsheh,edhe unë jam mëkatar,
Ndaj dhe falem siç falen të tërë!
Jetoj në një qytet që e dua,
Brenda zemrës së tij kristal!
Dhe druhem,a do arrij dot,
Që famë,nga fama ime t’i fal!
Jetoj në një qytet ku nesër
do të kem,
Patjetër emrin e një rruge!
Po të më pyesni kë do zgjedh,
do t’ju tregoja atë,
Që në vend të gurëve
është e shtruar me puthje!
SINFONIA E TAKAVE
Ai ishte një regjistrues i marrë,
S’kishte zemër në gjoks,kishte disqe!
Jetonte brenda në një kitarë,
Atje e desh dhe varrin kur të vdiste!
Ia dha vetë ate forme sobalkes se tij,
Se atje do flinte me Bet’hovenin e madh!
Se atje do ish dhe zoti Paganin,
Edhe zoti Shubert,edhe zoti Moxart!
Kush tha se keta ishin te vdekur!?
Ai fliste me ta,qeshte,peshperiste!
Brenda kitares se tij vetem e shoqja,
E urdheruar ishte te mos fliste!
Ai behej xhind kur ajo lante pjatat,
Kur kercitja e tyre i futej neper disqe!
Ai i ulerinte kur ia degjonte takat,
Pale kur padashur,ndonjehere ,teshtinte!
Por erdhi nje dite dhe ajo iku ne qiell,
Kitara krisi,muret e saj u cane.
Telat e saj rane mbi Bet’hovenin,
Mbi Moxart e Shubert,mbi te gjithe rane.
Tani ai ve veshin ,jo per te degjuar tinguj,
Po per t’u cmallur me zhurmen e pjatave!
Bet’hoveni?E c’eshte Bet’hoveni,
Para simfonise se embel te takave!?
EKLIPSIN PRES
Unë me ty,si toka me diellin,
Të vij rrotull vazhdimisht,vazhdimisht!
Por asnjëherë s’të jam afruar sadopak,
As jam larguar sadopak,natyrisht!
Astronomia ka ligjin e vet,
Që unë e përfill me aq sa mund!
Të të afrohem më shumë
Kam frikë se më djeg,
Të të largohem-kam frikë se më humb!
E ja,kështu,vetëm rrotull të vij,
Po s’jam i marrë që rri e pres më kot!
E di që një ditë ,ti do të kesh eklips,
E atëhere,nuk do më djegësh dot!
ATA DY PLEQ
Një plak.Një plakë.Dhe një park.
Edhe një stol.Dhe bëhen katër!
Dhe një neon që ndizej,shuhej,
Sikur ta shkelte syrin natën!
Po pas një viti mbetën tre.
Një plak.Një stol.Një park i gjelbër.
Dhe një neon që më nuk ndizej,
Që mbeti si një sy i verbër!
Në vjeshtë,ah,mbetën veç dy.
Një park.Një stol krejt i vetmuar.
Që pret mos kthehen prap’ aty,
Ata dy pleq të dashuruar!…
TEPER VONE
Ti ke një moshë me time bijë,
Me babin tënd, unë, moshatar.
Kush të dha urdhër të më duash
Me hirin tim të ndezësh zjarr?!
Ata thëngjij që ishin shuar
Ti si guxon me dorë i prek?!
Kush të dha urdhër të më ndezësh
Pa patur frikë se unë të djeg?!
Ke ardhur vonë. Tepër vonë.
Kur dimri krejt më ka pushtuar,
Kur vdekja firmën më kërkon
Ndoshta në ferr për të më çuar!
Ti gjysma-hënë je kur zhvishesh
Dhe gjysma tjetër-perëndi!
Me çdo të puthur m’i ul vitet,
Më kthen në moshën që ke ti!
Me këto gjysma, unë poeti,
Mund të ndërtoj tjetër planet.
Në djall pastaj të shkojnë vitet,
Dhe moshat le të shkojnë në dreq!
Po prapëseprapë një frikë ndjej,
Po mora zjarr, si mund ta fik?
Prandaj dhe po vonoj të zgjohem,
Them ndoshta ik.
Them ndoshta ik…
VAJZA PREJ QELQI
Vajzë e vogël,
Me sy prej qelqi,
Sa herë hyj brenda tyre,
Unë eci zbathur,
Mos thyej ndonjë gjë,
Që,dot,s’e ndreq!
Qelq,
I ke sytë,
Qelq!
Vajzë kryeneçe,
Me buzët prej qelqi,
Sa herë ndeshem me to,
Ti mua më kap rob,
Dhe robërit i trajtoke keq!
Qelq,
I ke buzët,
Qelq!
Vajzë e brishtë,
Me trup prej qelqi,
Duart i kam skelet,
Dridhem kur të prek,
Kam frikë mos më thyesh vërtet!
Qelq,
Je e tëra,
Qelq!
C’TRISHTIM
Ç’trishtim,të jetosh në një qytet-brengë,
Ku shumë gjëra ecin për mbrapsht!
Vajzat e bukura rrinë fshehur nga djemtë,
Të shëmtuarat shëtisin në bulevard(!)
Ç’trishim në këtë qytet që më deh,
Me erën e qelbur të vodkës!
Ku vetja herë-herë më duket,
Si Esenini rrugëve të Moskës!
Ç’trishtim,në këtë qytet të çmendur,
Që më ngjan me një spital të madh!
Njerëzve ju mungojnë veç bizhamat me vija,
Dhe numurat në shpinë apo në krah!
Ç’trishtim në këtë qytet që flet përçart,
Që as në gjumë nuk e heq paruken!
Dua t’ia marr nga koka e t’ia flak,
Por edhe ai s’më le,edhe unë nuk mundem!
Ç’trishtim,në këtë qytet të pushtuar nga vdekja,
Që po më vdes edhe mua pak nga pak!
Më vjen të rrëmbej shpirtin e të zhdukem,
Sa më larg prej tij,sa më larg!…
Respekt e mirënjohje poeti ynë i madh korçar Skënder Rusi
Sa me fat jemi, që të kemi …

@NewsIn.Al

