KreuAktualitetiNjë natë e ftohtë shkurti, e vitit 1981...

Një natë e ftohtë shkurti, e vitit 1981…

Një natë e ftohtë shkurti, e vitit 1981.

Në një nga dhomat e spitalit onkologjik të Tiranës ndodhte një skenë e dhimbshme, aq e njohur në këto mjedise: pranë shtratit të një vajze të re, njëzet e tre vjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, rrinte nëna e saj — e kërrusur nga brenga, duke bërë të vetmen gjë që shumica e të afërmve bëjnë në raste të tilla: i lagte buzët.

Skena ishte përsëritur qindra herë në atë ndërtesë të trishtë.
Por ajo natë kishte diçka ndryshe: te dera e dhomës ku vajza po jepte shpirt, prisnin në këmbë dy oficerë të policisë së fshehtë shqiptare. Ata nuk e fshihnin padurimin; madje, njëri prej tyre i tha gruas të shpejtonte.
Gruaja kërkoi të rrinte edhe pak, por shoqëruesit, fare të ftohtë, e urdhëruan hapur të ngrihej.

Në derë, ajo bëri përpjekjen e fundit:
— “Unë njoh Nexhmije Hoxhën. Më lejoni t’i telefonoj. Ajo është nënë dhe do të më kuptojë.”

Rojet qeshën me zë të lartë:
— “Si shumë e lart e vrake! Dashke të shqetësosh edhe shoqen Nexhmije? Nuk thua faleminderit që të lamë dhe kaq!”

Gruaja uli kryet dhe doli.

⸻

Vajza që jepte shpirt në spitalin onkologjik ishte Drita Çomo, një nga letraret më të ndjeshme dhe më të talentuara të brezit të saj — por në atë kohë krejt e panjohur. Arsyeja ishte e thjeshtë: i ati në burg, nëna në internim.
Për ata që e shihnin, ishte vetëm një vajzë e bukur, paksa e trishtuar.
Në udhën e shkurtër të jetës së saj i dolën përpara shumë herët, tepër herët, dy nga përbindëshat më të errët të kohës: diktatura dhe kanceri.

Nëna, që nuk arriti t’i bindte rojet ta linin edhe pak pranë vajzës, kishte qenë dikur një nga gratë më të njohura dhe më të fuqishme të vendit — anëtare e Byrosë Politike — portreti i së cilës valëvitej dikur në duart e njerëzve, në festat dhe parakalimet e 1 Majit.

Libri “Dritë që vjen nga humnera” doli në dritë gjashtëmbëdhjetë vjet pas fikjes së vajzës, si një rikthim i ëndrrës më të vjetër të njerëzimit: ringjalljes nga terri dhe asgjëja.
E në këtë rast, ne i themi Dritës:
Mirëseerdhe në jetën tënde të dytë — atë që s’njeh as ndarje, as ankth.

(Fragmente nga parathënia e librit të Drita Çomos “Dritë që vjen nga humnera”)

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit