Një objekt i veçantë kulti/Manastiri i Shën Prodhromit në Voskopojë
Nga Ilirjan Gjika
E vendosur në perëndim të Korçës në një pllajë të lartë prej 1200 m mbi nivelin e detit dhe e rrethuar nga të tre anët me male dhe kodra, Voskopoja, dokumentohet si qendër e banuar qysh në shek. XIV (1). Ndërkohë që zhvillimin më të madh ajo do ta merrte gjatë shek. XVIII kur do të shndërrohej në një qytet të madh dhe të zhvilluar për kohën. Në këtë periudhë brenda një perimetri prej 6 km, Voskopoja, kishte një popullsi prej 12 000 banorësh, një hapësirë urbane prej 14 lagjesh dhe një sipërfaqe prej 180 ha. Ndërkohë qyteti ishte i pajisur me mullinj bloje, punishte zejtarie, dyqane, treg, jetimore, spital, shtypshkronjë, bibliotekë dhe shkollë të mesme të quajtur ‘’Akademi’’. E konsdideruar si një prej metropoleve ekonomike-tregtare të rajonit, në të funksiononin edhe 20 bashkime esnafesh të cilat përveç karakterit të tyre shquheshin edhe në administrimin e qytetit, ndërtimet publike, zhvillimin e arsimin dhe ngritjen e veprave të artit (2). Po kështu krahas lidhjeve me qëndrat e afërta të Korçës, Ohrit, Beratit, Vlorës, Elbasanit dhe Durrësit, apo të rajoneve fqinj të Epirit, Maqedonisë dhe Thesalisë, Voskopoja, kishte përfaqësi tregtare edhe në vende të ndryshme të Europës, ku mund të përmendim edhe Venecian, Vjenën, Budapestin, etj (3). Ndërkohë në sajë të privilegjeve të veçanta që gëzonte brenda kuadrit të Perandorisë Osmane, si qytet-komunë me një vetqeverisje të brendëshme, ajo ishte edhe një qëndër e rëndësishme e krishtërimit ortodoks. Sipas të dhënave qyteti gëzonte privilegjin e ushtrimit të fesë kurse strukturat kishtare të saj ishin në varësinë e Mitropolisë së Korçës. Në Voskopojë ushtronin veprimtarinë e tyre 22 kisha, një pjesë e rëndësishme e të cilave u kishin dhënë emrat edhe lagjeve të saj. Të tilla mund të përmendim lagjet e Shën Marisë, Shën Kollit, Shën Thanasit, Shën Mëhillit, Shën e Premtes, Shëndëllisë, Shën Janit, Shën Pjetrit, etj, të cilat lidheshin midis tyre me rrugë të shtruara me kalldrëm dhe ura (4). Përveç tyre një prej objekteve më të hershme të kultit është edhe manastiri i ‘’Shën Prodhromit’’ ose ‘’Pararendësit’’ (5). Ky objekt i njohur ndodhet në pjesën veriore të Voskopojës në lartësinë 1279 m, mbi një pozicion natyror ku hapet një panoramë e gjerë. Ai lidhej dikur me Voskopojën me një rrugë kalldrëmi dhe përveç rrethimit, përbëhej nga konakët që përfaqësohen sot nga ndërtëse e madhe dykatëshe në formën e shkronjës L. Në qëndër të këtij kompleksi ndodhet kisha qëndrore (katholikoni), ndërsa pranë saj ka qenë edhe paraklisi i dikurshëm i ‘’Tre Arkondëve’’ (6). Sipas një gojëdhane të mbledhur në Korçë dhe të cituar nga disa autorë, thuhet se ky manastir është themeluar nga disa murgj me origjinë nga Voskopoja, Boboshtica dhe Mborja të quajtur ‘’prodhromitë’’, të cilët janë varrosur më pas në oborrin e tij. Ndërkohë mbishkrimi më i vjetër që e dokumenton manastirin e ‘’Shën Prodhromit’’ është ai i një pllake mermeri në faqen e brendshme të derë së kishës (7). “U rindërtua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar me kontributin dhe shpenzimet e të shumënderuarit dhe të shumë fisnikut arkondit, zotit Gjergji Guço, në vitin 1632. U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i shenjtit të lavdëruar profet dhe pararendësit dhe pagëzor Joanit, me igumen zotin Andon, jeromonak, dhe me shpenzimet e të shumënderuarit dhe të shumëfisnikut arkond, zotit Mihail, biri i të ndjerit Kostë, për shpirtin e tij dhe të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, në kohën e peshkopatit të shumëlumturit kryepeshkop të shumëshenjtës Justinianës së parë të Ohrit, zoti Egnati, në vitin 1659”, shkruhet në të (8). Sipas tij, fillimi i ndërtimit të kësaj kishe në vitin 1632 kishte të bënte me rindërtimin e manastirit, kurse pikturimi i saj me afreske përfundoi në vitin 1659. Ndërkohë të dhënat e këtij mbishkrimi na i plotëson një tjetër burim. I tillë është kodiku i manastirit të ‘’Shën Prodhromit’’ sipas të cilit kisha duhet ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1634 (9).
‘’U themelua në vitin 1634, 14 korrik, ditën e premte. Ktitori i parë ka qenë murgu Andon dhe ndihmoi Guco dhe Milingjeri’’, lexohet në njërën nga fletët e kronikës së tij (10). Kodiku është hartuar nga peshkopi Mihal i Gorës, i cili mblodhi me kujdes historitë, burimet e shkruara, kujtimet apo gojëdhënat e vjetra dhe kështu shkroi historikun e manastirit. Në fletët e tij përshkruhen edhe ngjarje të ndryshme të ndodhura në Voskopojë gjatë viteve 1630-1789, midis të cilave edhe djegiet dhe shkatërrimet e qytetit. Ndërsa për fillimet e manastirit, sipas tij: ‘’… qe Partheni ai që me thonjtë e tij gërmoi me durim në vendin e manastirit dhe hodhi kështu themelet’’ (11). Ndërkohë kisha e cila është e tipit kryq me kupolë përbëhet nga naosi, altari dhe narteksi (12). Naosi trikonkësh me përmasa 10.65 x 6.45 m ndahet në tre nefe. Mbi katër kolonat qëndrore të tij të cilat janë të lidhura ndërmjet tyre me harqe mbështetet kupola me tamburin, ndërsa dy pilastrat e lira të vendosura në pjesën lindore e ndajnë atë nga altari. Ky i fundit përbëhet nga një absidë pesëfaqëshe nga jashtë, protezisi dhe diakonikoni. Absida dhe dy konkat anësore të naosit janë të pasijura edhe me nga një dritare për ndriçim. Kurse në anën perëndimore të tij ndodhet narteksi i cili është shtuar më vonë. Me përmasa 6.45 x 5.60 m, ai, mbulohet me tavan të rrafshët ndërsa për ndriçim shërbejnë tre dritare të mëdha, të vendosura në dy në anën perëndimore dhe një në atë jugore të tij (13). Kisha e manastirit të ‘’Shën Prodhromit’’ është ndërtuar me gurë të lidhur me llaç dhe të riparuar disa herë gjatë kohës. Në pjesën e naosit bien në sy korniza me gurë të gdhendur dhe dy kontrafortet e vendosur anash konkës jugore. Kurse në pjesën e narteksit muret janë përforcuarme breza druri dhe tiranta metalike. Kisha mbulohet me çati dyujëse ndërsa në pjesën perëndimore të narteksit ndodhet e vetmja hyrje e saj. Objekti ka edhe një veçanti sepse në pandativat e tij janë vendosur 12 enë, nga 3 të tilla për secilën anë, brimat e të cilave dalin jashtë interierit me qëllim lehtësimin e peshës dhe akustikën (14). Në studimin e tij, ‘’Një monument me vlerë i shek. XVII në Voskopojë, botuar në vitin 1975 në revistën ‘’Monumentet, studjuesi Stilian Adhami, thekson se kisha ka patur dikur dy kupola me tambur poligonal gjashtëfaqesh njëra prej të cilave është shembur nga degradimet e kohës. Ndërsa hyrja për në manastir bëhet nga një portë monumentale me qemer në anën jugore mbi të cilën dikur ngrihej një këmbanore e lartë me planimetri katrore (15). Kisha e manastirit të ‘’Shën Prodhromit’’ është dekoruar nga brenda me afreske të pikturuara nga të cilat ruhen në gjendjen fillestare vetëm ato të faqes lindore të narteksit. Afresket e tjera të naosit dhe absidës janë dëmtuar nga një zjarr i shkaktuar prej bombardimit të bërë nga artileria dhe aviacioni i ushtrisë italiane gjatë Luftës II Botërore, në qershor të vitit 1943 (16). Duhet theksuar se figurat janë vizatuar sipas traditës duke ruajtur karakterin skematik të tyre. Ndërsa ngjyrat që mbizotërojnë në këto afreske janë e kuqja dhe e zeza sipër të cilave është hedhur një shtresë verniku. Nga analiza e mbishkrimit të kishës dhe shënimeve të kodikut, studjuesi Stilian Adhami, mendon se murgu Andon nga Shipska duhet të jetë autor i pikturavë të interierit të saj (17). Kisha manastirit të ‘’Shën Prodhromit’’ ka patur edhe një dekorim të pasur në punime druri, shandanë dhe ikona që u shkatërruan nga zjarri në vitin 1943. Po kështu, në të u vendosën më vonë edhe shumë objekte të sjella aty nga kishat e shkatërruara ndër vite të Voskopojës. Të tilla kanë qenë ikonastasi dhe froni i dhespotit të sjellë nga kisha e Shën e Premtes (18). Por trashëgimnia më me vlerë janë natyrisht shënimet e kodikut ‘’Shën Prodhromit’’ djegur në vitin 1943, të cilat na vijnë prej botimit të tij në vitin 1939 nga Mitropoliti me origjinë nga Voskopoja: Joakim Martiniani. I titulluar “Kontribute në historinë e Voskopojës. Manastiri i Shënjtë i Shën Prodhromit sipas Kodikut të tij (1630-1875)’’, kodiku u shkrua prej peshkopit Mihal të Gorës, i cili ishte me origjinë nga Shipska (19). Ai e ushtroi veprimtarinë e tij në Voskopojë dhe njihet si mësues, shkrimtar, epigrafist dhe kronikograf, i cili hartoi edhe kodikët e tjerë të ‘’Shën Mërisë’’, ‘’Shën Joan Teologut’’ dhe ‘’Shën Mëhillit’’ (20). Duhet theksuar se manastiri i ‘’Shën Prodhromit’’ ka funksionuar si i tipit stavropigjik duke qenë në varësi direkte të Patriarkanës së Kostandinopojës. Një fakt të tillë e tregon një akt sinoidal i Kryepeshkopatës së Ohrit në vitin 1689. Po kështu duke qenë se i kushtohet ‘’Pararendësit’’, ‘’Shën Joan Pagëzorit’’, ky manastir kremtonte çdo 24 qershor, ditën kushtuar këtij shenjti me një panair të madh dhe të veçantë (21). Ndërkohë si monument kulture dhe i restauruar disa herë së fundmi ai është i hapur për pelegrinët, vizitorët dhe turistët, duke dëshmuar jo vetëm vlerat e tij por edhe ato të qytetit të dikurshëm të Voskopojës.
*****
1- S. Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 11-14; P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 42-44
2-Po aty, f. 19-35; f. 42-44, 50
3-Po aty, f. 35-47; f. 42-44
4-S. Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 21-24, 49-50, 54; A. Llukani, Mitropolia e Korçës, Tiranë 2020, f. 7
5-Stilian Adhami, Një monument me vlerë i shek. XVII në Voskopojë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 63
6-Po aty, f. 63-70
7-Po aty, f. 63-70
8-Theofan Popa, Mbishkrime të Kishave në Shqipëri, ASH, Tiranë 1998, f. 158-159
9-Stilian Adhami, Një monument me vlerë i shek. XVII në Voskopojë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 63; J. Martiniani, Symbolai eis tin istoria tis Moshopoleos kai i politismos autis, Athinë 1939, f. 124
10-Stilian Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 144
11- Stilian Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 141-142, 209, 174-179
12-S. Adhami, Një monument me vlerë i shek. XVII në Voskopojë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 63-70; S. Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 65-67; P. Thomo, Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut, KOASH, Tiranë 1998, f. 56-58
13-Po aty
14-Po aty
15-Stilian Adhami, Një monument me vlerë i shek. XVII në Voskopojë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 63-70
16-Po aty, f. 68
17-po aty, f. 70; S. Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 144
18-Stilian Adhami, Një monument me vlerë i shek. XVII në Voskopojë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 70
19-Andrea Llukani, Mitropolia e Korçës, Tiranë 2020, f. 86
20-Stilian Adhami, Voskopoja, Tiranë 1989, f. 13
21-Andrea Llukani, Mitropolia e Korçës, Tiranë 2020, f. 84-85
@NewsIn.Al