KreuAktualitetiNJË TRËNDAFIL I VERDHË Jorge Luis Borges

NJË TRËNDAFIL I VERDHË Jorge Luis Borges

NJË TRËNDAFIL I VERDHË
Jorge Luis Borges

Jorge Luis Borge (Jorge Luis Borges, 1899 -1986) shkrimtar argjentinas, ndër më të mëdhenjtë të shek. 20-të. Njihet për tregimet e veta të veçanta me elementë fantastike, por edhe si esseist, poet e kritik.
Dikur, “The New York Review of Books” shkruante për të: “… Borge më shumë se kushdo tjetër, ripërtëriti gjuhën e fantazisë duke hapur kështu rrugën për një brez të tërë shkrimtarësh ispano-amerikanë. Gabriel Garcia Marquez, Carlos Fuentes, Jose Donoso dhe Mario Vargas Llosa të gjithë këta, e kanë bërë të ditur se i detyrohen atij …”
Trëndafili i verdhë është një skicë e shkurtër, ndër më të bukurat, më filozofiket që sjell përmasat mikroskopike të njeriut në çastin kur ai ndahet prej jetës dhe nis shtegtimin për në botën e errët, të harresës.
Borgesi jetoi i verbër, shumicën e viteve të veta.
Punoi si drejtor i bibliotekës kombëtare të Buenos Ajresit dhe ka mbetur tepër e njohur një shprehje e tij se ai e imagjinonte edhe Paradisin si një ambient të bukur gjithë libra!

NJË TRËNDAFIL I VERDHË

I madhi Gianbattista Marino, ai që gojërat unanime të Famës (për të përdorur kështu një imagjinatë që për të, ishte e dashur) e kishin shpallur si një Homer të ri, apo si një Dante të ri, nuk vdiq as atë mbrëmje, as edhe mbrëmjen tjetër dhe për të qënë të saktë, akti i qetë, i pandryshueshëm dhe i pakthyeshëm që tashmë po zhvillohej me të, ishte në fakt, i fundit në jetën e tij.
I kurorëzuar me lavdi dhe me një jetë të gjatë, ky njeri po vdiste në një shtrat të madh tipik spanjoll, me kolona të skalitura. Ndërkaq, mund të imagjinohet lehtë edhe më. Pak hapa larg tij, ishte një ballkon i qetë që shihte perëndimin e diellit dhe poshtë tij, mermere, statuja, parterre dafinash, një kopsht me shkallëzime të përsëritura dhe një hauz uji, këndrejtë. Një grua kish vënë një trëndafil të verdhë në një vazo dhe ja, i shtriri në shtratin e vdekjes pëshpërit vargjet që të themi të drejtën, në këtë çast i dukeshin paksa të mërzitshme:

E purpurta e kopshtit, madhështia e luadhit,
sythi i pranverës, syri i prillit, …[thesh me vete ai]

Ishte çasti që po ndodhte fluturimi, ngjitja në qiell e shpirtit. Marinoja e pa trëndafilin, e pa atë ashtu siç dhe e pat parë dikur edhe Adami në Paradis, [një gjë që s’kish ndryshuar] dhe ndjeu se trëndafili vazhdonte të qëndronte në eternitetin, pakohësinë e vet dhe jo tek fjalët e Marinos. Kuptoi ai pra kështu, se ne mund të futemi tek gjërat, t’i përmëndim dhe të aludojmë për to, por nuk mund tu japim atyre shprehje dhe, volumet e mëdha dhe krenare të librave që lëshonin një hije të artë në qoshen e dhomës së tij, nuk ishin pasqyrë e botës siç kish ëndërruar kotësia e tij por përkundrazi, ishin thjesht disa objekte të tjera që ishin shtuar në këtë botë. E pra ky lloj ndriçimi, i kaloi në mëndje Marinos në vigjilje të vdekjes së tij, siç mundet që tu ketë erdhur ndoshta edhe Homerit, edhe Dantes.

Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©


Nxjerrë nga, I.V.B. “Lirika të Blerta”, bot 2023 fq. 139 – 141

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit