KreuAktualitetiJorgos Seferis_Poeti nobelist grek, ish konsull i Greqisë në Korçë, vitet 1936-1938

Jorgos Seferis_Poeti nobelist grek, ish konsull i Greqisë në Korçë, vitet 1936-1938

Τα πιο μεγάλα ταξίδια τα έκανα διαβάζοντας ένα βιβλίο!”

“Udhëtimet më të gjata i kam bërë duke lexuar një libër!”

J.Seferis_Poeti nobelist grek, ish konsull i Greqisë në Korçë, vitet 1936-1938

Një nga letrat që nobelisti grek Jorgos Seferis i shkruante të dashurës së tij Maro.
Seferi ishte konsulli i Greqisë në Korçë v1936-37.

[Korçë,] e Premte ora 1 në mëngjes. [26 shkurt 1937.]

I rilexova letrat nga fillimi. Po të shkruaj “dy fjalë dashurie”. Një gjë që ndjej është më e vështira për t’ju bërë ta kuptosh: sa shumë të ndjej, sa shumë të shikoj qoftë edhe nga një fjalë e vetme e jotja, si më parë nga një prekje e dorës.
Tani që i kam parë sërish të gjitha këto letra, më duket gjithmonë një frikë se mund të mos e thuash mirë atë që doje të thuash, një hezitim që të mos thuash shumë, dhe nga fundi të fillosh edhe të shkruash e ta grisësh letrën.
Lëre veten, e dashura ime, ajo është kaq e lezetshëme ashtu siç është, lëre të flasë, siç di ajo.
Do me thuash:
“A nuk bën dhe ti të njëjtën gjë?” Dhe nëse e bëj, nuk ka arsye që ti të më imitosh. E bëj kaq keq. Nëse je e dëshpëruar, më jep dëshpërimin tënd, siç më jepni shpesh gëzimin tënd. Më jep gjithçka që ke dhe gjithçka që mundesh. Por më në fund kuptoje që nuk po kërkoj asgjë tjetër.
Nëse po vonohemi të shihemi tani, duhet të përpiqemi me mjetet e pakta dhe rrethanat që kemi, me këtë letër që nxisim, të jemi sa më afër, të mos ndahemi e lëndojmë njëri-tjetrin.
Keshtu mendoj. Nëse më do akoma, eja, e dashura ime, të flasim për gjithçka pa menduar se ka gjëra që nuk duhet t’i bëjmë. E di, unë ende mendoj se kështu do të jemi në gjendje, kur të na lejohet të shihemi nga afër ,të mos themi asnjë fjalë, por vetëm të shikojmë njëri-tjetrin.
Dhe do të jetë shumë relaksuese.
Natën e mirë e dashur.
Gjatë gjithë ditës sot kam dëshiruar për dashurinë tënde.
Jorgua
| Seferis dhe Maro • Korrespondenca I’ (1936 – 1940) | Redaktimi filologjik: M. Z. Kopidakis | Botimet Ikaros.

Korça duhet të nderojë poetin e parë nobelist të Greqisë, zotin Jorgos Seferis, të cilin pati fatin ta ketë QYTETAR të saj në vitet 1936, 1937 kur AI shërbeu si Konsull i Greqisë në Korçë!

Kush ishte Jorgos Seferis

Jorgos Seferis

POETI-DIPLOMAT

Nobelisti i parë grek, Jorgos Seferis, lindi më 13 mars 1900 në Izmir të Turqisë. Punoi si diplomat për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe mori çmimin “Nobel” për Letërsi, në vitin 1963. Poeti, eseisti, përkthyesi dhe diplomati është përfaqësuesi i parë i brezit të viteve 1930, pionieri i modernizmit në letërsinë greke. Më 10 dhjetor 1963, Akademia Suedeze do t’i akordojë për herë të parë Jorgos Seferisit, çmimin “Nobel”, në garë me emra shumë të mëdhenj si Pablo Neruda, Vladimir Nabokov, Sharl dë Gol, Samuel Beket etj. Poeti grek u konsiderua si poeti ideal i klasicizmit, që përfaqësonte Greqinë si modelin e qytetërimit evropian.
Jorgos ishte djali i madh i Stelios dhe i Dhespinës. Filloi të shkruajë vargje që në moshën 14-vjeçare, mirëpo lufta e Parë Botërore ndikoi disi në frenimin e krijimtarisë së shkrimtarit, pasi u detyrua të zhvendosej në disa vende për t’i shpëtuar luftës. Në vitin 1917 përfundoi gjimnazin klasik të Athinës. Më pas, e ëma së bashku me tre fëmijët u zhvendos në Paris, pranë të atit të Seferisit, i cili ushtronte profesionin e avokatit. Pra, një pjesë të rinisë Jorgos Seferis e kaloi në Paris. Studimet e larta i vijoi në Universitetin e Sorbonës, ku u diplomua me titullin “Doktor” në vitin 1924. Vitet e qëndrimit në Paris do të jenë vendimtarë për formimin e fizionomisë së tij poetike. Ishte koha kur lëvizja e modernizmit ishte në kulmin e zhvillimit të saj në mbarë Evropën.
Diplomacia dhe letërsia, një binom që e përfaqëson më së miri poetin, pasi nuk ndodh shpesh që diplomati të bëhet poet, apo poeti të bëhet diplomat, edhe pse është zgjidhja më e gjetur e dy drejtimeve që në esencë kanë delikatesën, vetëdijen që duhet të bëhet koshiencë dhe që i mungon politikës.
Gjatë viteve 1936-1938, Jorgos Seferis ka qenë Konsull i Përgjithshëm në Korçë, madje ndërtesa ku ai ka shërbyer njihet ende si “Ndërtesa Seferi”.

Gjatë qëndrimit të tij dyvjeçar në Korçë, ai do të mrekullohet nga qyteti nën dëborë dhe do të frymëzohet për të shkruar disa nga poezitë e tij më të bukura.

Në kujtimet e Seferit gjejmë jo rrallëherë përshkrime emocionuese: “E ndala shoferin në një majë. Para meje shtrihej një sipërfaqe plot me ujë. Përballë male shumë të lartë. Zbrita. I gjithë vendi ishte i mbuluar me dëborë. Vështrova, duke kërkuar në atë masë uji një barkë apo anije të vogël. Do të thosha se m’u duk si një det i vdekur. Ishte liqeni i Ohrit… I bukur me ujëra të kaltra… magjik…”.
Në shqip poeti grek është përkthyer pas viteve 1990, ndër të cilat: “Poezi”, “Legjendë”, pa përmendur edhe poezi të përkthyera e të botuara në revista të ndryshme letrare nga përkthyes të ndryshëm, së bashku me shkrime mbi krijimtarinë e tij letrare. Gjithsesi, me kalimin e viteve Seferis u pozicionua gjithnjë e më shumë tek letërsia. Endja dhe mërgimi janë dy subjektet më të pranishme në poezinë e Seferisit, krijimtaria e tij i është përshtatur historisë së Greqisë. Komiteti i Çmimit Nobel e njohu Seferis si “përfaqësuesin e poezisë helene”. Poezia e tij shpesh ndërthur të folurën bashkëkohore dhe eksperiencën me mitin homerik, për më tepër në pjesën dërrmuese ai përshkruan peizazhin e Mesdheut. Jorgos Seferis ishte Anëtar Nderi i Akademisë Amerikane të Artit dhe Shkencave, si dhe u bë Anëtar Nderi i Shoqatës së Gjuhëve Moderne.(Hejza)

Ilir Jano _ Korçë, Tetor 2024

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit