Njeriu i virtytshëm, “i huaji” i Shqipërisë sonë!
Ka erdhur koha ta lemë të çlodhet të gjorin njeri të mirë, të virtytshëm, ndonëse të gjithë sot kanë orë e çast në majë të buzëve këto fjalë.
Sepse këtë njeri të virtytshëm e bënë tamam kalë…e mbrehën në karrocë duke e ngarë me kërbaç e me çdo gjë që u zë dora!
E dëbuan – e afruan, e harruan – “u kujtuan”, e përçmuan – “e vlerësuan”… i huaj jashtë, i huaj në atdhe, i huaj atje ku jeton e punon, i huaj atje ” ku ka le” e përgjëron!
Kaq shume e kapitën këtë njeri të virtytshëm, saqë atij sot nuk i ka mbetur asnjë fije virtyti por vetëm brinjat e kockat…sepse njeriut të virtytshëm i bëjnë thirje të shtirura…sepse të virtytshmin nuk e nderojnë aspak.
Përse? Përse duhet të vazhdojë kjo hipokrizi, kjo antiqytetari e neveritshme ku “I VIRTYTSHMI” duhet të ulë kokën i kredhur në vetminë freskonjëse të arsyes dhe “I PISTI” të vazhdojë me arrogancë të krekoset me paaftësinë dhe vulgaritetin e tij?
Përse nuk u gjet kurrë kjo “Pse”!?
Si ka mundësi që akoma nuk ka erdhur koha që të mbrehim njeriun e poshtër në karrocë?
Le ta mbrehim atë, të PISTIN, të poshtrin…
VIRTYTI vlerësohet, nuk përçmohet…
Çdo gjë ka rradhën, vendin dhe kohën e vet, më thotë një shok…e ka, por kur…deri kur?!
Ilir Jano _ Shoqata “Zëri i Emigrantit”, Selanik
@NewsIn.Al

