KreuOpinionNuk marrka fund kurrë! Sa kryen diçka, realizon diçka, sa zbulon...

Nuk marrka fund kurrë! Sa kryen diçka, realizon diçka, sa zbulon diçka në jetën e tij, dhe kalon në një nivel tjetër, menjëherë, njeriu ballafaqohet me të tjera gjëra…/nga Teodor Osoja

Me sa duket rritja dhe maturimi i çdo njeriu qënka një proces i pambarimtë hapjeje e çbllokimi nivelesh që pasojnë, apo që ndjekin njëri-tjetrin.

Nuk marrka fund kurrë!

Sa kryen diçka, realizon diçka, sa zbulon diçka në jetën e tij, dhe kalon në një nivel tjetër, menjëherë, njeriu ballafaqohet me të tjera gjëra me të cilat duhet të merret. Në çdo nivel që kalon, i dalin pikëpyetje të reja, që njeriu duhet fillimisht t’i kuptojë, që pastaj t’u japë përgjigje.

Në përgjithësi nuk ka asgjë të vështirë. Në përgjithësi gjithçka është e qartë, mjafton që të ai shohë brenda vetes. Gjithçka fillon nga vetja. Aty janë të gjitha zgjidhjet dhe përgigjet, duke u endur midis logjikës së ftohtë dhe intuitës. Midis logjikës që reflekton dijen e përftuar në jetë, nga përvojat vetjake, si diçka që i nënshtrohet mendimit subjektiv, dhe intuitës e cila i vjen njeriut si dije universale e dhënë dhe e përftuar pa vullnetin e tij, në mënyrë jo përzgjedhëse, e cila nuk ndikohet nga përvoja vetjake, por nga përvoja universale që atij i bëhet pjesë, që në çastin që u bë banor i Tokës, që në lindje.

Duket si cikël i përjetshëm, ku zgjedhjet që ne bëjmë na japin drejtimin në jetë. Shpesh zgjedhim mirë dhe ndjehemi të lumtur, por më shpesh bëjmë zgjedhje të gabuara, të cilat na fusin në marrëdhënie të komplikuara për arsye se mendimi njerëzor ka kufizimet e tij, e nuk mund t’u japë përgjigje të gjitha pikëpyetjeve me të cilat ballafaqohet, menjeherë. Për këtë arsye intuita quhet e pagabueshme, impulset nxitëse që njeriut i vijnë nga brenda, që tejkalojnë mendimin. Overthinking (të vrarit e mendjes më shumë se ç’duhet) në përgjithësi të çon në zgjidhje të gabuara. Mjafton të nisesh nga një premisë e gabuar.

Intuita nuk ka premisa. Ajo shfaqet si jashtë arsyes dhe është e pagabueshme. Thuhet shpesh që përshtypja e parë për dikë është e sakta. Shumica e njerëzve të suksesshëm në jetë, kanë ndjekur intuitën.

Ky është dallimi thelbësor. Ky është udhëkryqi njerëzor.

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit