Friday, May 1, 2026
spot_img
HomeAktualiteti“O shokë, nxirrmëni nga burgu!”: Letra e dëshpëruar e Ilir Beqjes për...

“O shokë, nxirrmëni nga burgu!”: Letra e dëshpëruar e Ilir Beqjes për shokët e Partisë

“O shokë, nxirrmëni nga burgu!”: Letra e dëshpëruar e Ilir Beqjes për shokët e Partisë

Ilir Beqja nuk u arrestua si ish-deputet, por si ish-drejtor i fondeve të BE dhe ish-ministër i PPP-ve…
Prej rreth 2 vitesh në paraburgim dhe me vendime nga të gjitha nivelet e gjyqësorit për të mos e liruar, ish-ministri Ilir Beqja ka futur në lojë dy ish-ministra të drejtësisë dhe ministrin aktual, me shpresën se do të detyrojnë Gjykatën e Posaçme për ta nxjerrë nga burgu.

Më 24 prill 2026, Ilir Beqja, nëpërmjet një letre nga paraburgimi i Durrësit ku mbahet i izoluar, i ka kërkuar ndihmë Fatmir Xhafajt si Kryetar i Komisionit Anti-SPAK, Ulsi Manjës si Kryetar i Komisionit të Ligjeve dhe Toni Gogut si Ministër i Drejtësisë.

Pasi ka përdorur të gjitha mënyrat dhe mjetet, aktivizimi i kolegëve të partisë është “karta” e fundit që po përdor Ilir Beqja, si shpresa e vetme për të dalë nga burgu, megjithëse e di që drejtësia e ka dhënë disa herë verdiktin për ta hetuar e gjykuar me masë arresti në burg.

Në letrën e tij, Ilir Beqja përdori edhe një marifet tjetër: për ta paraqitur çështjen e tij sikur është i arrestuar politik, duke e nënshkruar letrën si “ish-deputet”, kur nuk ka asnjë akuzë për vepra penale gjatë mandateve të tij si deputet.

Ai është kallëzuar, akuzuar, hetuar, proceduar dhe arrestuar për afera korrupsioni, vjedhje, shpërdorim detyre e fshehje pasurie, gjatë kohës që ishte Drejtor i Agjencisë së Fondeve të Bashkimit Europian dhe për koncesionet kur ishte ministër i Shëndetësisë.

Në letrën drejtuar Xhafajt, Gogut e Manjës për të ndërhyrë dhe për të ndikuar në organet e drejtësisë, Ilir Beqja akuzon SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme se kanë shkelur Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por në letër nuk thotë asgjë në lidhje me akuzat për veprat penale për të cilat është arrestuar me kërkesë të SPAK-ut.

Përballë refuzimit nga gjykatat e të gjitha niveleve, që kanë konfirmuar akuzat dhe provat hetimore me të cilat e ka arrestuar SPAK-u, Ilir Beqja shpreson ta lirojnë shokët e partisë e qeverisë, duke i bërë presion drejtësisë.

Kjo lëvizje e Beqjes vjen pasi Fatmir Xhafaj, si Kryetar i Komisionit Parlamentar për gjoja ri-reformimin e drejtësisë së re, ka tentuar disa herë për të vënë në kontroll veprimtarinë e SPAK-ut, por ish-drejtuesi Altin Dumani dhe drejtuesi aktual Klodian Braho nuk e kanë pranuar as në zyrë.

Ilir Beqja le të vazhdojë ankesat për shkelje të Kodit të Procedurës Penale, por përballë gjykatës së Posaçme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, jo te ish-kolegët e partisë e të qeverisë, sepse ata nuk kanë asnjë tagër të udhëzojnë organet e drejtësisë. Por herë tjetër, kudo që të ankohet, të mos i nënshkruajë ankesat si “ish-deputet”, sepse nuk është arrestuar si i tillë, por si ish-Drejtor i Fondeve të Bashkimit Europian dhe si ish-ministër i koncesioneve në shëndetësi.

*Pamfleti*
@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments