KreuKulturë / Art"PARKU NË VJESHTË" Liqeni i hirtë dremiste i qetë nën një qiell...

“PARKU NË VJESHTË” Liqeni i hirtë dremiste i qetë nën një qiell me re…

PARKU NË VJESHTË

Liqeni i hirtë dremiste i qetë nën një qiell me re. Në sipërfaqen e tij pasqyroheshin së prapthi malet me majat e porsazbardhura nga dëbora e kodrat që e rrethonin atë. Ja dhe parku vjeshtarak buzë liqenit me drurët e tij të shumëllojshëm. Ja plepat me fletët e verdha dhe gjysmë të zhveshur. Gjethet e rëna ishin shtruar përdhe. Drurët e tjerë ishin zverdhur, skuqur, kishin marrë ngjyrën e ndryshkut ose ishin bërë kafe. Ata i jepnin parkut një pamje të trishtueshme. Vetëm bredhi kish mbetur i blertë, ashtu siç kishte qenë, por edhe ai ishte bërë më i trishtueshëm, ndoshta për shoqet e tija të parkut që kishin lulëzuar pranverë, kishin bleruar në verë dhe tani, pasi ishin zbukuruar edhe një herë me gjethet shumëngjyrëshe, kishin filluar të vajtojnë duke lëshuar fletët një nga një. Bredhi dukej tepër i trishtuar. I vinte keq për këta drurë që do të mbeteshin lakuriq dhe për veten e tij që do ta kalonte dimrin e ftohtë në vetmi duke pritur të vinte pranvera.
U ndryshk panj’ e vetmuar.
U bë edhe kafe.
Të verdhat fletë plepi,
I shtroi gjith’ përdhe.
Veç bredhi i blertë ishte,
I blertë mbet siç qe.
Dremit liqen’ i hirtë,
Nën qiellin me re
.E zbardhi majën mali,
Qëmtoi borë mbi ne.
Na rreshku dhe ne jeta.
Veç zemra mbet’ e re.

Gjergji Gusho_ NË Korçën tonë

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit