Pavllo Sholla
Artist i Merituar
(7/5/1923-5/4/2003)
Lindi në fshatin Plasë të rrethit të Korçës me 7 Maj 1923 në një familje ku mbizotëronte
tradita muzikore vendase. Ai mbaroi shkollën Rumune “P. Ballamaci” e më pas shkollën qytetase në Korçë.
Në formimin muzikor të Pavllos luajti rol kryesor nëna e tij Zaha, e cila këndonte në mënyrë të përkryer dhe më vonë mësuesit e tij në fillore Deman Lena dhe Dhimitër Simaku.
Aktivizohet në vitin 1935 në shoqërinë kulturore “Agron” duke kënduar fillimisht këngën “Kozazhin” duke dalë për herë të parë në publikun e gjerë si talent special dhe më vonë duke kënduar këngën “Kënga e Bonjakut” sëbashku me të madhin Tole Adhami në vitin 1936 kur ishte vetëm 13 vjeç.
Gjatë adoleshencës së tij dhe deri në vitin 1939 këndon sëbashku me moshatarët e tij Piro Sulioti dhe Dhimitraq Mite këngë karakteristike korçare dhe këngë popullore të qarkut të Korçës dhe për një kohë të shkurtër ata arrijnë të bëhen të famshëm në qarqet artistike të qytetit, deri në vitin 1939 kur pushon çdo aktivitet artistik prej pushtimit italian.
Gjatë viteve 1945-1948 i bashkohen sëbashku me Piro Suliotin Ansamblit të Ushtrisë si solistë, nën kujdesin e Gaqo Avrazit. Në vitin 1952 kthehet në Korçë si dirigjent në Ansamblin “Naim Frashëri”. Gjatë vitit 1953 krijon Ansamblin e Artizanatit Korçar, një institucion të rëndësishëm kulturor të kohës, nga ku buruan emra të mëdhenj të Artit Amator.
Në vitin 1957 fiton çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të Ansambleve dhe në vitin 1958 zhvillon turne të mëdha koncertesh brenda dhe jashtë vendit. Pavllo Sholla nuk iu nda asnjëherë festivaleve Folklorike, Festivale të muzikës së lehtë të Radio Korçës dhe Festivaleve Kombëtare të Gjirokastrës.
Në vitin 1974 krijoi Ansamblin “Skënderbeu” të Korçës i cili është vlerësuar shpesh herë me çmime të rëndësishme. Pavllo deri më sot njihet si mbledhës i këngëve të vjetra popullore dhe si përpunuesi i tyre i parë në gjithë Shqipërinë e Jugut. Aktiviteti i tij Artistik shtrihet edhe në fushën e kompozicionit të dhjetëra këngëve popullore dhe qytetare korçare.
Në vitin 1978, Pavlloja së bashku me Kompozitorin korçar Josif Minga dhe Jorgo Panajotin do të organizonin ekspedita folklorike në të cilat krahas mbledhjes së folklorit evidentohen edhe bartës së shquar Të tij. Më pas punoi për të përgatitur Ansamblin “Voskopolea” një ëndërr që e kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij për të nxjerrë në sipërfaqe muzikën arumune.
Ai ka mbledhur dhe ka shpëtuar pjesën më të madhe të folklorit muzikor korçar, si këngë, valle, ninulla etj sëbashku me transkriptimet muzikore të realizuara nga ai vetë. Për punën e tij artistike të palodhur, në vitin 1975 ju dha titulli “Artist i Merituar.”
Këngët më të njohura që mbajnë firmën e tij janë “Më zjarr fshataresk” e kënduar nga Piro Sulioti (çmimi i parë festivali i dytë i Korçës), “Qeraxhi që nget karnane” Eli Fara, “E po na erdhi behari” “këngë e bilbilit” nga Sofika Babliku & Hamdie Laska, “Korçë moj të erdhi djali” nga Sofika Babliku dhe Ferit Shkëmbi etj ”
Foto 1: Pavllo Sholla
Foto 2: Pavllo Sholla, Piro Sulioti dhe kompozitori Josif Minga gjatë një bisede artistike në Pallatin e Kulturës Korçë viti 1999
Foto 3: Urim për 75 vjetorin të Piro Suliotit (foto nga arkivi i familjës Sulioti)
Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti
@NewsIn.Al

