KreuAktualitetiPazare tavolinash, apo votë për kuti votimesh?/ Artur Selimllari

Pazare tavolinash, apo votë për kuti votimesh?/ Artur Selimllari

Pazare tavolinash, apo votë për kuti votimesh?!

Atje ku për emigrantët flasin ata që nuk e dinë se ç’do të thotë emigrant!

Çfarë ndryshon me votën e emigrantëve nëpërmjet kutive postare? A plotësohet kërkesa jonë për të votuar? A rruhet fshehtësia e votës?
A mund të shprehet vullneti i emigrantëve?
Kujtojnë se dëgjimi, besimi dhe mashtrimi zgjatin pafund…harrojnë se tashmë janë tre breza emigrantësh, harrojnë që fëmijët tanë lindën dhe u shkolluan në emigracion.

Harrojnë se sot të gjithë kuptojnë!
Ne e duam Shqipërinë tonë, duam zhvillimin e saj, duam që ikjen tonë para 30 e kusur vitesh, ta plotësojnë fëmijët tanë të lindur, rritur e studiuar në emigracion.
T’ju jepet mundësia për të dhënë kontributin e tyre…nuk janë “të huaj”, janë shqiptarë!
Vota e emigrantëve të shërbejnë për një zgjidhje në këto zgjedhje, jo thjesht për votime! Votime dhe më pas harrime!
Që mos vazhdojë përsëri e njëjta “orkestër” politikanësh!
Të mos harrojnë se janë këta emigrantë që vazhdojnë akoma të mbajnë me bukë të afërmit e tyre në Shqipëri, i mbajnë me ilaçe, me shpresë se një ditë çdo gjë do ndryshojë.

Nuk mbaj mënd ndonjë palë zgjedhje në këto 20 vitet e fundit, që politikanët të mos kenë luajtur me kartën e emigrantëve. Ju duhet vota e tyre se nuk është thjesht një votë personale, por është një votë që shumëzohet nga çdo emigrant, sepse ndikimi i fjalës së emigrantit është dhe në familjet që kanë lënë në Shqipëri!
Sa e fshehtë do të jetë vota e emigrantëve? Sa e kontrolluar do të jetë ajo? Në këtë mënyrë votimi nëpërmjet postës, vota e emigrantëve është “e hapur”! Kushdo mund ta fotografojë votën e tij dhe të familjes para se ta fusë në zarf!

Partitë politike janë të bindura që nuk mund të kontrollojnë ndryshe dhe imponojmë votën në emigracion…
Një ditë edhe emigrantët do ta kuptojnë se vetëm përfaqësimi i tyre në politikën aktive, ku deputetë do të ketë nga rradhët e emigrantëve do mundet të sjellë ndryshimin e madh. Dhe kur emigrantët shqiptarë të përfaqësohen në Parlamentin shqiptar, atëhere me siguri do të jetë e domosdoshme që edhe në vendin ku jetojnë e punojnë ta kenë derën e hapur për tu zgjedhur…
“Emigrantë në botë, refugjatë në Shqipëri”!

Megjithatë të shpresojmë…është hera e parë që po na llogarisin dhe ne! 

Artur Selimllari

Selanik 2024 – Shoqata “Zëri i Emigrantit”

@NewsIn.Al

Redaksia NewsIn
Redaksia NewsInhttps://newsin.al
Redaksia NewsIn është profili redaksional i portalit NEWSIN.al për publikimet informative. Shkrimet me autor të identifikuar mbajnë emrin përkatës në përmbajtje. Më shumë: Rreth nesh. Për komunikim dhe saktësime: Kontakt.
Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit