XHAÇKA IM…
(Tregimi i së dielës)
Xhaxhai im quhej Ridvan. U bënë mote që ka ndërruar jetë. Ikja e tij për mua qe e rëndë,njësoj si e babait. Nuk m’u largua veç xhaxhai,por edhe shoku im,më i hershmi dhe nga më të ngushtët.
Kur babai u martua,Ridvani,vëllai i tij,nuk i kishte mbushur 13 vjeç. Dukej sikur mamaja ime hyri në atë shtëpi dhe u bë me fëmijë qysh ditën e parë. Ridvani qe si djali i saj.
Me të pata pak vite diferencë dhe bashkë me vëllain tim asnjëherë nuk e thërritëm,xhaxha. Na qeshej sa mendonim se mund ta quanim kështu,por edhe me emër nuk i drejtoheshim dot,nuk na lejonte babai. Ndaj gjetëm të mesmen,e quajtëm,xhaçkë. Deri sa ndërroi jetë ashtu e thirrëm e ai sa dëgjonte këto dy rrokje kthehej vrik nga i vinte zëri.
U ndamë ca vite kur shkoi me studime në universitet,u diplomua për inxhinier dhe thuajse jetën aktive e kaloi në minierën e Pishkashit.Dhjetra vite banoi në Prrenjas,por thuajse çdo javë vinte në Korçë. Shmallej me nënën e tij e gjyshen time,me vëllain e tij e babain tim,por dhe me ne fëmijët. Na donte aq shumë sa kur ikte të hënave ne qanim si ato bebet kur nënat i lenë në mëngjes te dera e çerdhes. Me mall prisnim të shtunën. E ai vinte natën,me duar plot. Një herë me karamele,më pas me ca llokume,kur shkova në shkollë sillte libra. Në fakt ishin revista “Nëntori”,që ai i lexonte gjatë javës në minierë,por mua më dhanë një botë të tërë. Njësoj sikur sot të të falin një tablet me internet të paguar.
Babai tallej me të:
-Bli ndonjë top,ose një palë atlete për Gimin,mos u kurse!
Por xhaçka qeshte. Merrej sikur ai nuk e harxhonte lekun për lodra,sikur më falte një gjë pa vlerë,ama brenda asaj reviste në ato vite ishte krejt letërsia e botës. Aty njoha shkrimtarët e globit,amerikanë,rusë,francezë,italianë,çekë,spanjollë siç lexova krijimet e Kadaresë,Agollit,Arapit e plot e plot të tjerëve.
Një ditë,mbase nga gripi a nga bajamet,kisha temperaturë dhe babai nuk më lejoi të shkoj në shkollë. Ishte dimër. Më la në shtëpi,por brenda në krevat,me kokën nën jorgan se shtëpia kishte ngrohje veç në kuzhinë. Ashtu nisa të lexoj “Doni i Qetë” të Shollohovit. Aq u rrëmbeva sa kur erdhi nëna pas pune më gjeti pa pirë ilaçet e pa ngrënë drekën.
Dhe e bëra rrugë t’i vidhja orë gjumit. Pasi nëna e babai më thoshin natën e mirë unë lexoja “Lufta e Paqja”,”Katedralja e Parisit”,”Saga e Forsajtve,”Gjeniu”,”Viti 93”,e plot e plot margaritarë.Keto libra ishin si adrenalinë drejt pasionit për letërsinë. Më zhdërvjelltësuan ligjërimin e shpesh dëgjoja nga mësuesit e mij:
-Sa bukur që flet!
I merrja si lavdërime,nuk u jepja rëndësi. Koka më zhytej te leximi. Aq shpesh sa dhe drekën e haja duke hedhur sytë mbi faqet e romanit të rradhës.
-Do të të bëhet ushqimi topa-topa,-më thoshte gjyshja.
Një të shtunë,pas lutjeve të mija,të më sillte një rezervë stilolapsi,se stilolaps nuk kishin as mësuesit,xhaçka e mbajti fjalën. U gëzova kaq shumë sa dhe sot më merret fryma. Si ai fëmija në fotografi që mban këpucët e reja te gjoksi ashtu dhe unë fjeta me rezervën poshtë jastëkut. Të nesërmen çarçafi qe bërë blu,këllëfi i jastëkut ashtu njësoj e ca pjesë të krahut tim mavi nga pickimet e nënës. Ajo bojë ndenji gjatë. Nuk shqitej e nuk shqitej nga sapuni i Rogozhinës. Deri në shkollë të mesme kur flija me atë jastëk kujtoja rezervën e xhaçkës. Rezervë që më nxori faqebardhë në çdo provim. Në fillim lyeja dhe gishtat,por gjyshja ime,e mençura Adivije,e vendosi te maja e një lapsi,e lidhi me spango e atëherë m’u duk vetja si profesor,se po pérdorja stilograf. Jo frances,por shqiptar,”made in gjyshja”.
Xhaçka nder vite i rralloi ardhjet. Krijoi familjen vet. Me një grua zonjë dhe tre vajza të bukura e të mençura.
-Nuk bën dot djalë ti se më ke mua djalë,-qeshja me të.
Kështu nëpér kohë u rrita dhe eca drejt rrugës që ma plugoi xhaçka. Dola gjithë dhjeta në gjimnaz,ndaj më doli e drejta e studimit për inxhinier,por nuk pranova. Se xhaçka më kishte drejtuar te letérsia. Aty shkova,aty u shkollova e aty jam prapë. Lexoj e shkruaj çdo ditë. E kam dëshirë,pasion,dashuri,por dhe porosi. Jo më kot xhaçka im e thoshte shpesh,lexo,o njeri,se leximi edhe të keqen e bën flori!


