Përse duhet miratuar dhe përkrahur projekti i amnistisë fiskale?
Arsyetimi juridik për amnistinë fiskale është shumë më i qartë sesa paraqitet. Shqipëria gjendet përballë një stoku borxhesh tatimore që, në pjesën dërrmuese, nuk ka më lidhje me realitetin ekonomik, me fuqinë paguese të subjekteve apo me parimet themelore të së drejtës fiskale. Argumentet juridike pro saj janë midis të
tjerash si vijojnë:
1. Parimi i proporcionalitetit tatimor dhe raporti mes qëllimit dhe mjetit
Sipas logjikës së së drejtës publike, çdo masë e shtetit duhet të jetë proporcionale. Pra qëllimi duhet të justifikojë mjetin.
Në realitetin shqiptar, një pjesë shumë e madhe e borxhit tatimor ka lindur jo nga evazion i mirëfilltë, por nga interesa të grumbulluara për vite, penalitete të shtuara deri në absurditet, apo rrjete juridike të trashëguara nga interpretimet e ngurta të administratës, e plot detyrime sistemi për subjekte në gjendje kome etj.
Kur një borxh tatimor rritet p.sh. nga 100 mijë lekë në 900 mijë lekë vetëm nga interesat, proporcionaliteti nuk ekziston më. Në këtë pikë masa ndëshkuese humbet qëllimin e saj dhe shndërrohet në një barrë të pashlyeshme. Në terma juridikë, një gjobë apo masë administrative që nuk mund të shlyhet objektivisht bie ndesh me frymën e ligjit, sepse shteti nuk ka interes të ruajë borxhe të pakthyeshme, ndërkohë që detyrimi administrativ duhet të ketë gjithmonë një lidhje me realitetin ekonomik.
Pikërisht këtu amnistia fiskale shfaqet si një instrument i nevojshëm korrigjues.
2. Parimi i sigurisë juridike dhe stabilitetit të marrëdhënies shtet–tatimpagues
Ligji tatimor kërkon që marrëdhënia midis shtetit dhe tatimpaguesit të jetë e qartë, e lexueshme dhe e parashikueshme. Një stok borxhi i krijuar në mënyrë të shtrembër, apo i fryrë nga vite të tëra penalitetesh, e dëmton këtë parim drejtpërdrejtë.
Për vite të tëra:
• administrata ka ndërruar qëndrimet interpretuese.,
• legjislacioni ka pësuar ndryshime të shpeshta,
• aktet tatimore kanë qenë shpesh të paqarta ose të paarsyetuara mirë.
Kjo ka prodhuar një klimë pasigurie juridike ku tatimpaguesi nuk ka mundur të parashikojë dot detyrimet e veta as në afat të shkurtër dhe as në afat të mesëm. Amnistia fiskale, në këtë kontekst, nuk është “falje”, por akt rivendosjeje e stabilitetit juridik, duke e kthyer marrëdhënien tatimore në binarë të pastër dhe të parashikueshëm.
Për më tepër borxhi tatimor më i vjetër se 5 vjet është ligjërisht i pambledhshëm pasi është parashkruar. Pra ai është i amnistuar nga ligji zakonshëm pa pasur nevoj për amnisti të posaçme.
3. Parimi i ekonomizimit të administratës publike
Administrata publike ka detyrimin të përdorë burimet e saj në mënyrë eficiente. Mbajtja gjallë e një borxhi që është objektivisht i paarkëtueshëm bie ndesh me këtë parim.
Vazhdimi i punës, procedurave, kontrolleve, ankimimeve, ekzekutimeve dhe proceseve gjyqësore për detyrime që nuk mund të mblidhen realisht është një formë dështimi administrativ.
Në thelb, shteti ka dy zgjedhje:
• të vazhdojë të shpenzojë para dhe kohë duke ndjekur një borxh që nuk ekziston praktikisht, nuk është i mbledhshëm ligërisht ose
• të marrë një vendim të vetëm, të qartë dhe të njëhershëm për t’i dhënë fund këtij cikli jofunksional.
Në terma të së drejtës administrative, amnistia fiskale është një akt racionalizimi të administrimit që i jep fund një ngërçi që prodhon vetëm kosto dhe asnjë përfitim.
4. Parimi i barazisë në tatim duhet të mos jetë formal, por i vërtet.
Një kundërshtim i zakonshëm është ai i barazisë: pse t’i falen detyrimet atij që ka shkelur ligjin?
Por barazia nuk është koncept formal; ajo matet mbi realitetin ekonomik dhe juridik të situatës.
Në Shqipëri:
• shumë detyrime tatimore janë produkt i praktikave të paqarta të administratës,
• shumë biznese janë ndëshkuar në mënyrë disproporcionale për çështje dokumentare ose formale,
• shumë vendime tatimore janë apeluar, rrëzuar, kthyer për rishqyrtim ose janë konstatuar të pabazuara.
Në këto kushte, amnistia nuk krijon pabarazi; përkundrazi, ajo zhduk pabarazinë që ka krijuar vetë administrata. Barazia nuk do të thotë të trajtosh njësoj situata të ndryshme, por t’i trajtosh drejt dhe trajtimi drejt, këtu, nënkupton pastrimin e një stoku që nuk i shërben askujt.
5. Parimi i besimit legjitim
Tatimpaguesit kanë të drejtë të presin që shteti të veprojë në mënyrë të qëndrueshme, të arsyeshme dhe të ndershme. Shteti që mban stok detyrimesh të pambledhshme vetëm “që të jenë aty”, pa strategji reale për t’i arkëtuar, cenon parimin e besimit legjitim.
Krijimi i besimit ndodh vetëm duke dhënë një sinjal të qartë:
• ky kapitull mbyllet,
• nis një sistem i ri, më transparent,
• administrata dhe biznesi fillojnë nga e para në terren të barabartë,
• shteti nuk merret me “fantazma fiskale” të së shkuarës.
Amnistia, pra, është akt stabiliteti dhe parashikueshmërie, jo favorizim.
6. Humanizimi i së drejtës tatimore dhe realiteti ekonomik
E drejta tatimore nuk është mekanike: ajo parashikon që masat ndëshkuese duhet të ndryshojnë sjelljen dhe të sigurojnë arkëtim. Kur masa është aq e rëndë sa e bën të pamundur shlyerjen, ajo nuk është më masë ndëshkuese, por është pengesë strukturore që dëmton ekonominë.
Amnistia rikthen normalitetin:
• u jep një shans të dytë atyre që realisht mund të funksionojnë,
• pastron bilancet e fryra artificialisht,
• rikthen bizneset në qarkullim të rregullt financiar,
• ul konfliktet administrative,
• rrit formalizimin.
Ky është thelbi i humanizmit në të drejtën tatimore.
7. Harmonizimi me funksionet e shtetit fiskal modern
Në të drejtën bashkëkohore, shteti nuk është thjesht ndëshkues. Ai është rregullator, partner ekonomik dhe garant i ekuilibrave. Një amnisti fiskale e konceptuar mirë:
• nuk e dobëson shtetin,
• nuk dëmton moralin fiskal,
• nuk stimulon shkeljen,
D.m.th. Amnistia e rivendos shtetin në rolin e tij racional në ekonomi, duke eliminuar detyrime që nuk i shërbejnë askujt.
Avokat Jordan Daci
@NewsIn.Al

