Po një kryevepër, lind e tillë apo bëhet me kalimin e viteve?
Ja çfarë thonë dy mjeshtra të mëdhenj…
“Umberto Eco: Mbase pyetja që bëjmë e ka një përgjigje. Me kalimin e viteve, tek çdo libër shtresëzohen të gjitha interpretimet që ne i japim. Ne nuk e lexojmë Shakespeare-in siç e ka shkruar Shakespeare-i. Shakespeare-i ynë, pra, është shumë më i pasur nga ai që lexohej asikohe. Që një kryevepër të jetë kryevepër mjafton që të njihet, domethënë të përthithë të gjitha interpretimet që kanë lindur, të cilat do të ndihmojnë që ajo të bëhet e tillë. Kryeveprat që nuk i njohim nuk kanë pasur mjaftueshëm lexues, lexime, interpretime. Tekefundit mund të thuhet se është Talmud-i ai që ka shkruar Biblën.
Jean-Claude Carrière: Është e kuptueshme që çdo lexim e modifikon librin, ashtu sikundër edhe ngjarjet që përcjellim. Një libër i madh mbetet gjithmonë i gjallë, ai rritet dhe mplaket së bashku me ne, pa vdekur kurrë. Koha e selit dhe e modifikon, ndërkohë që veprat që s’paraqesin interes ikin rrëshqanthi ndanë Historisë dhe vyshken. Para disa vitesh, më ndodhi që të rilexoj Andromakën e Racine-it. Dhe e hapa fill tek një tiradë ku Andromaka i tregon shërbëtores së saj masakrën e Trojës:
“And’rro, and’rro Sefizë për at’ natë të tmerrshme,
Që për gjithë një popull ish’ një natë e përjetshme.”
Këto vargje, pas Aushvicit, do t’i lexosh ndryshe. Racine-i i ri na ka përshkruar një gjenocid.
U.E.: Është edhe historia e Pierre Ménard e Borges-it. Ai sendërgjon sikur një autor i vihet ta rishkruajë Don Kishotin, duke përvetësuar historinë dhe kulturën e Spanjës së shek. XVII. Ai shkruan pra, një Kishot që është, fjalë për fjalë, identik me atë të Cervantes-it, por që kuptimi i ndryshon krejt, sepse e njëjta frazë e thënë sot, nuk ka të njëjtin kuptim me atë të thënë asikohe. Dhe ne, po ashtu, e lexojmë në një mënyrë të ndryshme, për shkak të interpretimeve të pafundme që vepra ka provokuar dhe që tanimë janë bërë pjesë përbërëse e tekstit origjinal. Një kryevepër e panjohur nuk ka sesi ta ketë këtë shans.
J.-C.C.: Një kryevepër nuk lindet, por bëhet. Më duhet të shtoj që veprat e mëdha ndikojnë njëra-tjetrën, nëpërmjet nesh. Ne padyshim që jemi në gjendje të shpjegojmë sesi Cervantes-i ka ndikuar tek Kafka. Por, ne gjithashtu mund të themi – e ka dëftyer qartësisht Gérard Genette – që Kafka ka ndikuar tek Cervantes-i. Nëse unë lexoj Kafka-n përpara se të lexoj Cervantes-in, përmes meje dhe pa e kuptuar, Kafka do ta modifikojë leximin që unë i bëj Kishotit. Në të njëjtën mënyrë sikundër tallazet tona të jetës, përvojat tona vetjake, epoka në të cilën jetojmë, informacionet që përthithim, gjithçka, madje edhe fatkeqësitë familjare apo problemet e fëmijëve tanë, të gjitha ndikojnë mbi mënyrën sesi ne i lexojmë veprat e shkruara në të kaluarën.
Më qëllon që hera-herës, krejt rastësisht, të hap ndonjë libër. Kështu, muajin që shkoi hapa Kishotin, në pjesën e fundit, tek ajo pjesë që lexohet më pak. Sançoja, teksa po kthehet nga “ishulli” i tij, takon një prej miqve, të quajtur Ricote, një converso, d.m.th. një maur i konvertuar, që me dekret mbretëror (fakt historik ky) është vendosur të dërgohet në tokën e berberëve, në Afrikë, një vend të cilin ai nuk e njeh, nuk ia njeh gjuhën dhe fenë e të cilit nuk e praktikon, duke qenë se është lindur në Spanjë, nga prindër që e quajnë veten të krishterë të mirë. Kjo faqe është mbresëlënëse. Ajo na flet drejpërsëdrejti për veten tonë, thjesht, pa ndërmjetësim: “Askund nuk mund ta gjejmë mikpritjen që meritojnë vuajtjet tona”, thotë personazhi. Autoritet, familjaritet dhe aktualitet i një libri të madh: ne e hapim, ai flet për ne. Ngaqë ne jetojmë qysh prej asaj kohe, ngaqë kujtesa jonë është pasuruar, është përzier me atë libër.
U.E.: Kemi dhe rastin e Joconda-s. Da Vinci ka krijuar vepra që unë i mbaj për më të bukura, për shembull “Virgjëresha e shkëmbinjve” ose “Zonja me hermelinë”. Por Joconda-s i janë bërë më shumë interpretime, të cilat me kalimin e kohës, janë depozituar si shtresa sedimentare mbi pëlhurë, duke e shndërruar atë. Eliot-i tashmë e ka thënë këtë, në sprovën e tij mbi Hamletin. Hamleti nuk është kryevepër, ajo është një tragjedi e çrregullt, që nuk arrin dot të harmonizojë burimet e ndryshme. Për këtë arsye, ajo është bërë enigmatike dhe të gjithë vazhdojnë të diskutojnë mbi subjektin e saj. Hamleti nuk është një kryevepër për cilësitë e tij letrare; është bërë e tillë ngaqë vazhdon t’u rezistojë interpretimeve tona. Ngadonjëherë, mjafton të shqiptosh fjalë të pakuptueshme për të kaluar në përjetësi.”
Jean-Claude Carrière & Umberto Eco, “N’espérez pas vous débarrasser des livres”, Entretiens menés par Jean-Philippe de Tonnac, Bernard GRASSET, Paris 2009, faqe 166-168.
shqip fb © Henrik Ligori
@NewsIn.Al
