Më 27 dhe 28 Maj me inisiativë të Rrjetit Bizneseve Shqiptare të Europës dhe mbështetjen e USAID Kosovë dhe GERMIN u zhvillua në Prishtinë Konventa e 4-t Ekonomike e Bizneseve të Diasporës dhe prodhuesve vendas.
Qëllimi i këtij organizimi njohja e bizneseve nga diaspora dhe të huaja me prodhimet Made in Kosovo, mundësitë e bashkëpunimit dhe Investimeve në vend.
Nga diaspora erdhën mbi 150 biznesmenë nga Rrjetet e Austrisë, Gjermanisë, Zvicrës, Finlandës, Francës, Norvegjisë, Greqisë e Italisë. Dhe mbi 160 biznese Kosovare por edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Përshëndeti forumin Kryeministri i Kosovës Z. Albin Kurti i cili theksoi nevojat por dhe përpjekjet e qeverisë për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe deklaroi përpjekjet e qeverisë së tij për krijimin e një gjykate vetëm për çështjet ekonomike e tregtare.
Drejtoresha e USAID Kosovë zonja Zeinah Salahi theksoi rëndësinë që të ardhurat nga diaspora të shkojnë për investime dhe jo vetëm për konsum.
Kryetari i Nderit të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare zoti Lazim Destani, theksoi që roli i diasporës shqiptare për zhvillimin e vendeve tona, është kyç. Sipas tij, diaspora paraqet një kapital jo vetëm ekonomik por edhe social dhe kulturor. Z. Destani theksoi se”Uniteti, forca e rrjetit dhe suksesi i tij reflekton drejtpërdrejt tek zhvillimi ekonomik dhe uniteti i trojeve tona etnike”.
Kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri dhe njëkohësisht edhe Kryetar i Rrjetit për Evropën zoti Yll Blakaj u shpreh që takimet e tilla kanë për qëllim parësor të lidhjes së bizneseve të diasporës me ato të Kosovës. Ai ritheksoi rëndësinë e krijimit të një ‘shtëpie të bizneseve të diasporës’ në Kosovë, e cila do t’i shërbente investitorëve nga diaspora dhe komunikim dhe koordinim me institucionet shtetërore.
Në vijim u prezantuan disa investime të emigrantëve nga diaspora në vendlindjet è tyre si Daakonn në Ferizaj, OneFor etj.
Në mbyllje të pjesës konferenciale u mbajt edhe një panel diskutimi me: Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, Kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, Kryetarin e Gjilanit, Alban Hysenin si dhe Kryetarin e Suharekës, Bali Muharremaj. Me temen “Investimet e Diasporës në Komuna”, kryetarët e komunave shpalosen idetë dhe planet që kanë komunat e tyre për tërheqje të investimeve nga diaspora. Në përfundim të panelit u prezantua projekti “Diaspora për Zhvillim Ekonomik Lokal” implementuar nga GERMIN dhe i mbështetur nga Caritasi Zviceran, që do të ofrojë mundësi të investimeve nga diaspora në partneritet me Komunat e Kosovës.
Pas drekës së ofruar nga bizneset e diasporës filluan takimet B2B në mes të bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës e të huaja. Mbi 150 biznese nga diaspora dhe 100 biznese kosovare patën mundësi që të shpalosin veprimtaritë e tyre me qëllim të shtrirjes dhe mundësisë së eksportimit të produkteve e shërbimeve vendore përmes diasporës sonë. Gjatë pjesës së dytë janë realizuar 134 takime B2B ku mbi gjysma e tyre ishin të natyrës me mundësi për të krijuar partner potencial.
Dita e dytë e forumit ishte e dedikuar për vizita në bizneset e Kosovës për të parë së afërmi kapacitetet prodhuese të kompanive vendore dhe investimeve nga diaspora. Dhjetëra përfaqësues nga bizneset e diasporës, vizituan biznesin ‘Daakonn’ në Ferizaj, i cili është një nga investimet më të mëdha nga diaspora në Ferizaj, pronë e vëllezërve Viqa që jetojnë në Gjermani.
Vizita e dytë ishte në kompaninë ‘RroniFer & KoBa’në Gjakovë. Tek fabrika RroniFer që merret me përpunimin e armaturës dhe metalit, u nënshkrua edhe një marrëveshje në mes të kësaj kompanie dhe kompanisë MTI me seli në Vjenë, për hapjen e përfaqësisë zyrtare të RroniFer në Austri.
Vizita e fundit gjatë ditës së dytë u bë në kompaninë ‘Vatër 1954’, me seli në Prizren. ‘Vatër 1954’ ka pëvojë të gjatë në sektorin e përpunimit të drurit, përkatësisht prodhimin e dyerëve dhe dritareve ‘dru/alumin’.
Ceremonia e mbylljes u organizua në Prizren tek Lidhja e Prizrenit por për shkak të motit u zhvendos në Hotel Theranda me një darkë kokteil nga Komuna e Prizrenit, Germin dhe prodhues vendas.
Nestor Dede Athiné
@NewsIn.Al
