KreuGossipQERSHIA - TRADITA E KONSUMIT NË ZONËN E KORÇËS.../Nga Ilia V. Ballauri

QERSHIA – TRADITA E KONSUMIT NË ZONËN E KORÇËS…/Nga Ilia V. Ballauri

QERSHIA – TRADITA E KONSUMIT NË ZONËN E KORÇËS

Qershia është një frut që nuk i duron dot ruajtjes dhe konsumit gradual. Asnjë frut tjetër, nuk mund të prishet aq shpejt sa prishet qershia. Po qe se nuk konsumohet brenda pak ditëve pas vjeljes, ajo fillon e prishet, kalbet, vyshket, humbet turgorin (freskinë), shijen, madje edhe ëmbëlsinë. Ndryshe ndodh me mollën, me ftoin, me dardhën, madje edhe kumbulla duron me tepër dhe prishet më pak se qershia.
Për më tepër, tradicionalisht në Korçë, mollët, dardhat, ftonjtë, kajsitë, kumbullat e pjeshkët, bëheshin edhe oshafka, qershitë përkundrazi as oshafka nuk mund të bëhen.
Ndërkaq, kur ndodhte që prodhimi i qeshive të ishte i bollshëm, përveç konsumit të çastit në tavolinë, një zgjidhje që prodhimi të mos shkonte dëm dhe për ta konsumuar atë më vonë pra gradualisht, ka qënë përgatitja e glikosë me kokërr të plotë dhe e reçelit pelte prej qershive.
Glikoja e qershisë jo vetëm që është e shijshme por ajo është edhe shumë e bukur, e shndirtshme, e kristaltë dhe e lëngshme.
Së fundi, shtojmë këtu se dikur, para vitesh në Korçë, në kohën e një bujqësie të kolektivizuar, gjatë prodhimit masiv të menjëhershëm të qershive në parcelat e ndërmarrjeve dhe të kooperativave bujqësore, për të mos shkuar dëm prodhimi, në formë industriale përveç reçelit kokërr dhe pelte të qershive, prodhohej edhe komposto, e konservuar në vazo qelqi.

Nxjerrë nga:
I.V.B.© Korça Encyclopedica, 9/14 & 15.

QERSHIA – HISTORIKU DHE NJOHURI TË PËRGJITHSHME

Qershia është një nga mrekullitë e botës së bimëve.
Bukuria e kësaj peme qëndron tek gjithçka: tek fruti, tek lëngu, tek lulja, tek aroma, tek shija, tek ngjyra, tek druri i saj i çmuar, tek lëvorja e saj e argjëndtë.

Qershia, (lat. Cerasus avium) është një pemë që në formë të egër ka qënë e njohur për njeriun që në kohët prehistorike. Nën këndvështrimin botanik, qershia e egër ka qënë e përhapur dikur ngado në Evropë, në Azinë perëndimore dhe në Afrikën e veriut. Ndërkaq, të dhënat dëshmojnë se qershia e butë është sjellë në Romë, shumë vonë në vitin 72 para Kr., prej burrit të shquar romak të shtetit, gjeneralit Lucullus për të cilin flet edhe Plutarku, tek jetët paralele. Ky e mori qershinë nga Kerasunda e dikurshme, e Detit të Zi (kerasi = qershi, pra vendi i qershive) dhe e solli atë në Evropë, në Romë në kryeqendrën e perandorisë së atëhershme.
Ndërkaq Enriku i 8-të (1491 – 1547), duke provuar në Flandër, një formë qershie dha urdhër që kjo, të introduktohej edhe në Angli.

Fruti i qershisë përmban sheqerna, glucide, vitamina si: C, B1, B2, B5, B6, B9, B12, D, E; elementë si: potas, kalçium, magnes, fosfor, hekur, bakër, zink, etj.; lidhje organike si: acide klorogenike, flavanole, antocianide, etj, etj.
Lëngu i qershisë ka veti antitoksikuese dhe spastruese për mëlçinë, parandalon diabetin, rrit rruazat e kuqe në gjak, forcon qëndrueshmërinë e muskujve, etj.
Bishtat e qershisë, kanë veti kurative. Duke i pirë të ziera në formë çaji, shërbejnë për kurimin e inflamacionit të rrugëve të sistemit urinar, të kistiteve, të arthritidhës urike, të hidropizisë, etj.
Farat e qershisë, përdoren për prodhimin e imitacionit të aromës “brandi”. Ndërsa prej lëngut të qershisë, përpunimit të tij dhe fermentimit, krijohen lloje të ndryshme liqeresh dhe Cherry-brandi.
Për qershinë ndër popuj, ka edhe shprehje foljore të bukura siç është për shëmbëll shprehja e mirënjohur, “të vesh qershinë në tortë” d.m.th. të përfundosh një punë por edhe shprehja ironike, “si qershia në tortë” që nënkupton një gjë që duket si me rëndësi por që në thelb, nuk është e tillë, etj. (I.V.B. ©) Ilia V.Ballauri

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit