HomeKulturë / ArtQiriu-njeri apo njeriu-qiri i Naim Frashërit/Erget Cenolli

Qiriu-njeri apo njeriu-qiri i Naim Frashërit/Erget Cenolli

Qiriu-njeri apo njeriu-qiri i Naim Frashërit

Nëse do të lexonim në kohën e sotme “Fjalët e qiririt” dhe nuk do ta dinim se kush e ka shkruar, do të mendonim se ky është një autor postmodern. Këmbimi i figurave dhe simboleve, të shfaqen e zhduken para syve: herë vijëzohet para teje një njeri i krrusur , i vuar e i përpëlitur; herë një qiri që digjet e shkrin pafundësisht. Më pas, me gjuhët e flakës flitet , shkruhen vargje, shkruhet ajo që afro pesëdhjetë vite më vonë, Lasgushi do ta quante “Gjuha e Zjarrtë”.


Kur mendon se figura e çuditëshme e “njeriut-qiri” apo “qiriut-njeri”, është krijuar në shekullin e 19-të (u botua në vitin 1886 tek libri “Vjersha për mësonjëtoret e para”), të mrekullon dhe ndërkohë të habit me gjeninë poetike që e krijoi. (Afro 15 vite më vonë , pikërisht në vitin 1899, Kostandin Kavafi do të shkruante një vjershë ku qirinjtë e shuar janë vitet që ikin ndërsa të ndezurit ata që nuk kemi jetuar ende).
Nën dritën e qiririt janë shkruar kryevepra të panumërta botërore. Ndërsa qiriri tretej, fjalitë dhe paragrafët rrëshqisnin mbi letrën e bardhe duke duke prodhuar Komedinë Hyjnore, Dekameronin, sonetet e Petrarkës, Hamletin, Makbethin, Don Kishotin, Faustin, Kopracin e Tartufin, e mandej Eugjen Onjeginin, xha Gorione, Guimplenin, Zhan Val Zhinin etj. etj. etj. Pastaj me mijëra ngjyra të hedhura në tablotë e gjenive të pikturës e mijëra nota të hedhura në pentagramët e gjenive të muzikës, të gjitha e të gjitha pikërisht nën dritën e qiririt.
E aty, bashkë me qiririn që digjet, përvëlohet edhe shpirti i krijuesit që rrezaton nën dritën e atij qiriri duke shpërndarë buzëqeshje, dhimbje e sakrifica për të ndriçuar mendjet e miliona njerëzve.
Në atë poezi madhështore, të papërsëritshme të Naimit, rrjedhin e thëna dhe e pathëna, realja dhe imagjinarja, bota jonë dhe kozmosi të koncentruara të gjitha në një metaforë, dalë nga mendja dhe shpirti i një njeriu-gjeni gjithmonë të përvëluar, nga malli për vendlindjen, nga dashuria për një prej gjuhëve më të vjetra të botës. Një trajtim i thellë, filozofik, religjioz, dialektik e metafizik; në një botë që mund ta shohë vetëm poeti i lindur në një kënd të dheut i cili ka mbjellë e pjellë, mijëra mite nga të rrjedh kultura mbarëbotërore.
Këto qenie metaforike që përfaqësjnë në një trup të gjallën dhe të pagjallën, të vërtetën dhe të përfytyruarën, mund të dalin vetëm nga një mendje e pazakontë e përndritur vetëm nga një frymëzim qiellor, siç ka qenë mendja dhe shpirti i Naim Frashërit.
©Erget Cenolli

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments