Radion e kemi blerë andej nga viti 1965. Një Tungsram të madh. Me sumbulla kafe dhe me 8 tastiera bezhë para,si ato të pianos. Kur e solli babai me Xhuvin,shokun e vet,ne tre fëmijët dhe nëna rrinim në dhomën ku flinin prindërit. Prisnim atje gjithë ngazëllim.
Kishim ditë që e dinim lajmin. Nuk na zinte gjumi. Në grykë një topth i madh na zinte frymën. Dhe nga që ishte gëzim i paparë u vendos ta rehatonim tek ajo dhomë. Më e madhja. E lyer sapo. Na dukej sikur nderonim edhe vetë radion.
Kur e vendosën përtokë ishte një gjë e madhe. Aq e madhe sa sobalka,kthina ku mbanim jorganët.
-Do hypim në shkallë për ta ndezur?-pyeta babain.
U çudita se në fillore isha. Dhe nuk kisha parë radio të paketuar.
Qeshën të gjithë. Xhuvi mori sqeparin dhe po hiqte ca gozhdë sa okllaia e lakrorit. Më pas ranë shumë dërrasa e brenda ishin kartonë e kartonë. Në fund një jastëk i madh,i gufuar. Jastëk ngjyrë jeshile ose tamam ngjyrë bari dhe prej cope shumë të butë si pushi nga brenda i dorezave të babait.
-Ua,ua,-po çuditej nëna.
I shkëlqenin sytë. Nuk e harroj atë vështrim. Babai kërkoi ndihmë. Nëna kapi shpejt copën dhe e tërhoqi. Radio ngeli në dorë të Xhuvit e babait. Nëna e vuri copën pranë gjoksit dhe pyeti ultas:
-Të bëj një bluzë dimri me këtë pellushin (kështu e quajti)? Na u thanë krahët në mazgallat e punës.
Babai nuk foli. Bëri një tundje të lehtë të kokës. Dhe e vuri radion në prizë. Lloj lloj zërash vinin e iknin deri sa dëgjuam:
-Ju flet radio Korça.

Pak ndenjëm atje. Se bënte ftohtë.
-Vendose çentron sipér,mos e mbaj në dorë sikur mban tepsinë e lakrorit,-më tha nëna.
U kujtova që duart i kisha të zëna. Ia hodha sipër si jorgan. M’u duk radio si Kozeta nuse me vello kur u martua një javë para. Le të ngrohet me çentron, thashë me vete e vrap në kuzhinë ku bubullinte soba. Atje u mblodhëm të gjithë,por zërin radios ia ngritëm në kupë të qiellit.
Mamaja qe më e gëzuara. Këndonte bashkë me meloditë që vinin nga dhoma matanë. I hyri punës me gërshërë e gjilpërë dhe pas dy orësh inaguroi prodhimin e vet.
Më ndodhi disa herë të shkoja tek puna e saj. Një magazinë pa tavan,me disa tavolina ku gratë vendosnin jorganët që qepnin e mbi tullat e dyshemesë copra dërrasash që vinin këmbët mos i hante lagështira. Njëherë dëgjova hingëllima.
-Janë kuajt e komunales,-tha nëna.-Jemi nën një çati me ta.-Mos u frikëso se jemi një kolektiv.
Në fakt atë ditë kur nëna bëri kërkesën e pazakontë m’u duk sikur na prishi festën. Por kur ndenja veç dhjetë minuta tek puna e saj isha gati t’i thoja:
-Oj,nënë,merre dhe radion këtu. Që ta ngrohësh zemrën dhe shpirtin me të. Gëzoji dhe kuajt me muzikë popullore…
#V.Jano

