Shqipëria po konsolidohet si një nga destinacionet turistike me rritjen më të shpejtë në Evropë, ndërsa gjithnjë e më shumë udhëtarë po orientohen drejt vendeve autentike, më pak të mbipopulluara dhe me kosto më të përballueshme.
Vlerësimi vjen nga revista ndërkombëtare Travel and Tour World, e cila e rendit Shqipërinë mes vendeve që po formësojnë tendencat e reja të turizmit evropian. Artikulli është shpërndarë edhe nga Agjencia për Media dhe Informim.
Sipas revistës, Shqipëria po tërheq vëmendjen e turistëve falë kombinimit të bregdetit, natyrës, trashëgimisë kulturore dhe mikpritjes tradicionale. Një nga arsyet kryesore të këtij interesi është kërkesa në rritje për përvoja autentike mesdhetare, larg destinacioneve të mbingarkuara dhe çmimeve të larta.
Artikulli thekson se vendi po shndërrohet në një alternativë gjithnjë e më të preferuar ndaj destinacioneve tradicionale të Mesdheut, duke ofruar plazhe të virgjëra, qytete historike dhe peizazhe malore me çmime konkurruese.
Nga Alpet Shqiptare deri te Riviera Shqiptare, oferta turistike shtrihet përgjatë gjithë vitit. Vizitorët mund të zgjedhin mes pushimeve bregdetare, ecjeve në natyrë, sporteve ujore, turizmit malor dhe eksplorimit të parqeve kombëtare.
Revista veçon gjithashtu vlerat historike dhe kulturore të Shqipërisë, duke përmendur qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, të mbrojtura nga UNESCO, si edhe Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit. Arkitektura karakteristike, traditat, gastronomia dhe mikpritja shqiptare përmenden si elemente që e dallojnë vendin nga destinacionet e tjera evropiane.
Sipas Travel and Tour World, zhvillimi i turizmit në Shqipëri po ndikon edhe në tregun më të gjerë evropian, në një kohë kur turistët po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacione më të përballueshme dhe më pak të prekura nga turizmi masiv.
Megjithatë, revista thekson se rritja e fluksit të vizitorëve sjell edhe sfida të rëndësishme, si ruajtja e mjedisit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe preservimi i autenticitetit që e ka bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më të kërkuar në arenën ndërkombëtare.(EwNews.Al)
@NewsIn.Al
