KreuAktualitetiSAKRILEGJI I PËRSËRITUR KUNDËR IKONAVE TË SHENJTA, QË KËRKON TË JUSTIFIKOHET ME...

SAKRILEGJI I PËRSËRITUR KUNDËR IKONAVE TË SHENJTA, QË KËRKON TË JUSTIFIKOHET ME ARTIN “KONTEMPORAN”.

Ato ikona të shenjta të vendosura në Muzeun e Artit Mesjetar, janë pasuria jonë më e madhe…janë ikonat e trashëgimisë sonë, asaj trashëgimie e kulture që sistemi komunist i Enver Hoxhës, ndonëse i prishi kishat, nuk mundi ti zhdukte.

Nëse sot do funksiononin Kisha e Mitropolisë, Shën Gjergjit, etj ato ikona do ishin në vëndin e tyre, atje ku secili nga ne ju përulet me ndjenjën e fisme të besimit, dashurisë, shenjtërimit! Ne respektojmë të gjitha bedimet fetare dhe kërkojmë të njëjtën gjë nga të gjithë,..

Reagimi i qytetares Megi Nasto:

SAKRILEGJI I PËRSËRITUR KUNDËR IKONAVE TË SHENJTA, QË KËRKON TË JUSTIFIKOHET ME ARTIN “KONTEMPORAN”.

Prej thuajse një jave shqetësimi im si besimtare orthodhokse ka qënë në lidhje me klipin e realizuar në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë nga tre persona të ekranit, dy prej të cilëve të vetquajtur artistë. Kam ndjekur rregullisht dhe në dinamikë të gjitha diskutimet e bëra në lidhje me çështjen dhe veprimet e ndërmarra.
Së fundmi edhe këtë diskutim televiziv të realizuar me një panel të caktuar profesionistësh, ku duhej të sqarohej dhe informohej publiku më gjerë për pikëpyetje/ aludime të mundshme gjatë rrjedhës së kësaj ngjarjeje dhe të sqarohej rëndësia dhe ndjeshmëria e MADHE që ka për ne si të krishterë orthodhoksë.

Në këtë debat televiziv dëgjova një artist të thotë që profanizmi, blasfemia janë promovim kulturor dhe turistik dhe mospranimi i këtij fenomeni është konservatorizëm. Dëgjova dhe pashë një ikonograf të shndërruar në një analist dhe kritik të një shkrimi dhe jo të asaj që kishte ndodhur. Duke devijuar vëmendjen nga tema dhe rëndësia e saj e duke kaluar në qëndrime personale. Kjo e fundit për mua ishte njëlloj fyese dhe e shëmtuar si ai klip kënge. Prandaj ndjej nevojën shpirtërore dhe detyrimin tim si e krishterë të pozicionohem dhe të sqaroj aq sa unë di miqtë e mi.

Ikonat nuk janë piktura njerëzore apo një ndihmë vizuale për soditje dhe lutje. Ato janë dëshmi e pranisë së Mbretërisë së Perëndisë tek ne e kështu, për praninë tonë te Mbretëria e Perëndisë në Kishë. Ato janë Dritarja e Mbretërisë. Një ikonë është teologji në imazhe, ikona shpreh përmes ngjyrës atë që Ungjilli shpall me fjalë.
Në ikona pikturohen imazhe të Zotit Jisu Krisht, të Zonjës Shën Mari dhe shenjtorëve, engjëjve dhe ngjarjeve biblike e liturgjike. Për ne të krishterët orthodhoksë, këto imazhe e marrin rëndësinë nga shenjtëria e personave që ikonizohen në to. Zoti Jisu Krisht është Zoti ynë, Shpëtimtari ynë, ikona e Perëndisë që erdhi dhe qëndroi ndër ne dhe nëpërmjet sakrificës së Tij jetëdhënëse na dhuroi jetën e përjetshme në Të. “Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne” (Joani 1:14) “Krishti është me të vërtetë njeri dhe si njeri ai është me të vërtetë “ikona e Perëndisë së padukshme” (Kolosianët 1:15; 1 Korinthianët 11:7; 2 Korinthianët 4:4).

Përveç Jisu Krishtit, baza e të gjithë ikonografisë, asnjë person tjetër nuk është përshkruar më shumë se Hyjlindësja Virgjëresha Zonja Shën Mari. Nuk është për për t’u habitur pasi asnjë qenie njerëzore nuk i ngjan Jisu Krishtit më shumë sesa Nëna e Tij. Kjo, sepse ne e shohim atë si një shembull të asaj që do të thotë të jesh “i ngjashëm me Krishtin”.
Ashtu si ikona e Zotit Jisu Krisht (Pantokrator), ikonat e Birit të Perëndisë me Nënën e Tij janë dëshmi të fuqishme për realitetin e mishërimit të Zotit si njeri.
Pra krahas dëshmisë së tyre, ikonat na kujtojnë praninë e Perëndisë dhe shenjtorëve që janë gjithnjë me ne.
Ikonostasi në Kishën Orthodhokse, tregon unitetin tonë me Krishtin, Nënën e Tij dhe tërë engjëjt e shenjtorët. Ai tregon unitetin tonë me Perëndinë.

Është e qartë se një ikonë është e shenjtë kur me të vërtetë përshkruan dikë që është i shenjtë, dhe jo sepse është prodhuar nëpërmjet ndonjë mënyre magjike. Do të thotë gjithashtu që një ikonë nuk bëhet e shenjtë ose e “pashenjtë”, nëpërmjet mënyrës se si ne sillemi me të. Nëse jemi të pakujdesshëm ose të pavetëdijshëm për shenjtërinë e një ikone, atëherë ajo nuk bëhet befas e pashenjtë ose “vetëm një figurë”, përkundrazi ne përfundojmë duke përdhosur imazhin e shenjtë, qoftë të një shenjtori, një engjëlli apo vetë Zotit. Duke u bërë “aksidentalisht” ikonoklastë.

Është relativisht e lehtë t’u kushtohet respekti i duhur ikonave të Krishtit dhe shenjtorëve të Tij kur ato janë vende të veçanta: në kisha, në stendat e ikonave ose në vendet tona të lutjes në shtëpi. Vende të tilla na predispozojnë për një qëndrim lutës, kështu që ne do të shohim një ikonë të Krishtit dhe natyrisht do t’i lutemi Atij. Megjithatë, ikonat mund të vendosen diku tjetër, larg vendeve të caktuara për lutje ose adhurim. Është e zakonshme që të krishterët orthodhoksë të devotshëm të vendosin ikona në të gjithë shtëpinë e tyre: në dhomën e ndenjes, në kuzhinë dhe në anë të derës. Një arsye pas kësaj është që në të gjitha aspektet e jetës sonë të kujtohemi për Perëndinë dhe shenjtorët.

Por edhe kur ato vendosen në muze nuk e humbin shenjtërinë e tyre, rëndësinë dhe shenjtërinë e personave ose ngjarjeve që përfaqësojnë pavarësisht se ekspozohen si art kishtar. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që arti i Kishës nga vetë thelbi është një art liturgjik. Ai nuk është thjesht vetëm zbukurimi dhe plotësimi i ceremonisë hyjnore, por është plotësisht në përputhje me veprimin liturgjik të Kishës. Pra arti kishtar dhe Liturgjia janë po e njëjta gjë, qoftë në përmbajtje, qoftë në simbolet që i shprehin. Koherenca e plotë që ekziston midis ikonës dhe teksteve të Shkrimit të Shenjtë është parimi bazë i këtij arti të shenjtë qysh nga fillimet e krishtërimit.

Prandaj, për të gjitha arsyet e mësipërme ne si të krishterë orthodhoksë nuk mund të pranojmë që përpara këtyre imazheve të shenjta, kuptimplote, të performohet koreografia e një kënge me tekst me nota seksuale, me kthim te shpinës ndaj ikonave, ngritjes së këmbës para tyre etj. Veprime dhe tekste që nuk kryhen as në ndonjë muze tjetër të artit pamor ose ndonjë vepre tjetër pikture, për hir të respektit dhe etikës së sjelljes ndaj institucionit dhe artit të ekspozuar.
Nuk kërkojmë nderimin e ikonës siç do vepronim ne, por duke ditur rëndësinë që kanë për të krishterët orthodhoksë dhe atë çfarë përfaqësojnë (art liturgjik e jo laik), respekti është parimi i parë MORAL i kërkuar të zbatohet nga ana e institucionit dhe këngëtarëve. Nuk mund të shërbejnë si sfond zbukurues vepra të shenjta, për të cilat është derdhur gjaku i shumë të krishterëve me qëllimin e vetëm ruajtjen e shenjtërisë së tyre. Nuk mund të quhen art i thjeshtë mesjetar, ikona të Perëndisë sonë, që është Ati ynë, Zonjës Shën Mari, që është Nëna jonë ose shenjtorëve që janë vëllezërit dhe motrat tona, sepse jam e bindur që nuk do ishte kaq e thjeshtë për drejtuesen e institucionit të shprehej si “vepra laike” ose këngëtarëve të performonin njëlloj nëse në vend të këtyre ikonave do ishin fotot e familjarëve të tyre, sikurse janë për ne njëlloj ose më shumë të rëndësishme se portretet familjare, pavarësisht vendit ku ato ekspozohen. Kështu nën petkun e “artit” kontemporan u profanizuan ikonat e shenjta duke shkelur parimet ligjore dhe etike të ruajtjes së tyre.

Pika tjetër me shumë rëndësi ku desha të ndalesha ishte reagimi i ikonografit në panel. Zhgënjimi ishte shumë i madh, pasi jo vetëm nuk arriti të sqarojë rëndësinë e kësaj çështje, por ndihmoi në rritjen e konfuzionit me qëndrimin e tij kritik dhe jo profesional ose të krishterë në lidhje me atë që po diskutohej. Pse?

Pikturimi i ikonave në Kishën Orthodhokse është një traditë apostolike, e cila gjeti zhvillim gjatë shekujve. Pra, tradita nuk është një parim KONSERVATOR, por është vetë jeta e Kishës në Shpirtin e Shenjtë. Ajo është vetë zbulesa hyjnore që vazhdon të jetojë.

Shën Theodhosit thotë: “Prifti kompozon trupin dhe gjakun e Zotit me anë të lutjes kurse ikonografi e paraqet atë me anë të ngjyrave dhe linjave”. Pra ikonografi ashtu si dhe prifti na sjell përpara të njëjtin realitet, Krishtin Perëndi-Njeri, duke lënë çdo person ta ndjejë sipas karakterit dhe gjendjes ku ndodhet.

Për këtë arsye rregullat në lidhje me krijimin e një ikone janë rigoroze. Ikonografi duhet të përgatitet për detyrën e pikturimit të një ikone duke ndjekur një disiplinë të rreptë të agjërimit dhe lutjes. Ai duhet të qetësojë shpirtin e tij dhe t’i nënshtrohet Perëndisë. Ikona që ai krijon nuk do të nënshkruhet. Ai nuk do të presë vlerësime apo duartrokitje kur ikona të përfundojë. Ikona do të krijohet për të frymëzuar dhe udhëhequr të tjerët në adhurim. Të pikturosh ikonën nuk është përdorim i imagjinatës. Në vend të kësaj, ikona do të pikturohet duke përdorur regjimin dhe stilin e përshkruar dhe të përcjellë nëpër shekuj. Gjithçka nga shprehjet e fytyrës te ngjyrat e përdorura është e paracaktuar. Më poshtë është një lutje e bërë nga ikonografi para fillimit të punës:
“O Mjeshtër Hyjnor i gjithçkaje që ekziston, ndriço dhe drejto shpirtin, zemrën dhe mendjen e shërbëtorit tënd, drejtoji duart e mia që të mund të përshkruaj denjësisht dhe në mënyrë të përsosur imazhin Tënd, atë të Nënës Tënde të Shenjtë dhe të të gjithë shenjtorëve, për lavdinë, gëzimin dhe zbukurimin e Kishës Tënde të Shenjtë.” (Quenot, f.13)

Pra, ikona është një veprim sinergjie, i Perëndisë me njeriun. Prandaj ikonën nuk mund ta bëjë kushdo që mund të ketë aftësi për të pikturuar. Ajo është një art kishtar i shenjtë dhe në fillim realizohej vetëm nga murgjit, të cilët përkushtoheshin me lutje dhe agjërim. Në të kundërtën, kur ikonën e bën çdo njeri, që thjesht ka disa aftësi, por nuk ka besim dhe jetë të përkushtuar, ajo kthehet thjesht në një objekt komercial dhe nuk e ka funksionin si një mjet i shenjtëruar dhe liturgjik. Prandaj është e detyrueshme që ikonat të shenjtërohen në kishë, ku ato mbahen për një kohë poshtë altarit gati 40 ditë, që hiri i Perëndisë t’i shenjtërojë dhe t’i bëjë objekte të shenjta liturgjike, që përdoren me nderim si mjete të shenjta, që shenjtërojnë syrin dhe e drejtojnë mendjen drejt prototipit që paraqet ikona.

Duke ditur të gjitha këto, por jo vetëm, ndjeshmëria ndaj kësaj çështje duhej të ishte shumë më e lartë tek një ikonograf se tek çdo besimtar tjetër i krishterë. Duhet të sqaronte vlerën dhe rëndësinë e këtyre veprave të shenjta dhe të ishte i pari të kërkonte respektin dhe ruajtjen e tyre të moralshme, jo vetëm kushteve fizike.

Pa dashur te hap diskutime të tjera, ky është këndvështrimi im personal në lidhje me këtë debat televiziv, ku fatkeqësisht nuk kishte “ndërtim” dhe sqarim, por kthim mbrapa në ikonoklazëm npm mendimeve “emancipuese”, “jo ekstremiste”, “egoiste” nga ana e atyre që duhet të nisnin shqetësimin. Vlerësoj shume avokatin që kishte një ndjeshmëri të tillë profesionale e humane, që i mungonte një ikonografi.

Desha ta mbyll me një histori që ilustron gjithçka perfaqëson ikona në besimin tonë dhe sesi ajo duhet nderuar dhe pse:

“Ikona e Nënës së Zotit “Hyjlindësja që dëgjon shpejt” (Gorgoepikos) ishte e varur në një kamare në pjesën e jashtme të mureve të asaj që dikur ishte një trapeze e manastirit athonit në Malin e Shenjtë. Përpara ikonës ishte një vendkalim, nëpër të cilin etërit zakonisht kalonin në rrugën e tyre për në Trapeze. Ashtu kalonte edhe kujdestari murg në kryerjen e detyrave të tij, jo vetëm ditën, por edhe natën. Ndonjëherë, natën, ai kalonte para kësaj ikone ndërsa mbante një pishtar të ndezur. Një herë, në vitin 1664, ky murg, Nilos, ndërsa kalonte si zakonisht, me pishtarin që lëshonte tym, dëgjoi një zë që vinte nga ikona, i cili thoshte: “Në të ardhmen, mos kalo këtu me pishtar të ndezur dhe mos nxij ikonën tim me tym.” Në fillim Nilos pati frikë nga këto fjalë; por më pas, duke i thënë vetes se njëri ose tjetri nga vëllezërit i kishte folur, ai u kthye shpejt në qeli, duke kaluar para ikonës si më parë. Një zë i erdhi për herë të dytë nga ikona, duke thënë: “Murg, i padenjë për këtë emër! A do të vazhdosh edhe më gjatë duke e nxirë ikonën time pa kujdes dhe me paturpësi?” Me këto fjalë, murgu u verbua dhe vetëm atëherë e kuptoi se të kujt ishin ato fjalë dhe duke rrëfyer sinqerisht mëkatin e tij, ai e konsideroi veten të denjë për një ndëshkim të tillë për mungesën e vëmendjes ndaj fjalëve të Hyjlindëses Virgjëreshës Mari.
Vëllezërit e Manastirit mësuan se çfarë kishte ndodhur dhe për rrjedhojë vendosën një kandil të shenjtërores përpara ikonës dhe e temjanisnin atë çdo natë, ndërsa luteshin me zell që Nilos t’i kthehej shikimi. Një ditë, ndërsa po lutej dhe qante para ikonës së shenjtë, dëgjoi një zë: “Nilos! Lutja jote është dëgjuar. Unë të fal dhe do të kthej shikimin në sytë e tu, për këtë arsye ikona ime do të quhet “Hyjlindësja që është e shpejtë për të dëgjuar”, sepse unë do të tregoj shpejt mëshirë dhe do t’i plotësoj kërkesat e të gjithë atyre që nxitojnë drejt ikonës.” Pas këtyre fjalëve të gëzueshme, Nilos iu kthye shikimi.”

“Ndëshkimi” i kujdestarit u dha qartë që të ndodhte shërimi për lavdinë e Zotit, që vazhdon të bëjë mrekulli përmes kësaj ikone të shenjtë edhe sot. Megjithatë, ai është një kujtesë paralajmëruese e rëndësisë së nderimit të ikonave të Krishtit dhe të shenjtorëve, edhe pse ato mund të mos jenë në një vend “të zakonshëm” ose “në rrugë kalimi”.

Në çfarë mënyre duhet t’i nderojmë ikonat e varura në korridore, kuzhina, dhoma shërbimi, etj? Shën Joani i San Franciskos i nderonte të gjitha ikonat që mund të shihte kur hynte në një shtëpi, madje e bënte këtë përpara se t’u drejtohej banorëve. Kjo tregon një kuptim të duhur të ikonave të shenjta, pasi ikonat e tyre, Krishtit dhe shenjtorëve të Tij, janë me të vërtetë të denjë për vëmendje para çdo gjëje tjetër. Megjithatë, në shembullin e ikonës “Hyjlindësja që dëgjon shpejt”, ndëshkimi erdhi për shkak të neglizhencës që po dëmtonte imazhin e Shën Marisë dhe Zotit Jisu Krisht dhe jo sepse murgu nuk arriti të përkulej dhe të puthte ikonën sa herë që kalonte. “Prandaj, mjafton të thuhet se është e mjaftueshme të jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e ikonave të shenjta që na rrethojnë, kudo që të jemi, pasi njohja e ikonës çon në ndërgjegjësimin e shenjtorëve dhe një zemër e drejtë vjen nga kjo.” ( Atë Joan Hopko).

Megi Nasto

@NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit