Nga Artan Fuga/ Veçanërisht studentët dhe gjimnazistët janë forcat më të kulturuara, të emancipuara, të interesuara për drejtësi, paqe sociale, stabilitet, kundër korrupsionit, autoritarizmit, degradimit politik; ata si gjithë rinia ka të drejtë të kërkojë të ardhme të qartë në një Shqipëri sikurse e meritojnë. Sikurse e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë! Zëri paqësor, por i fortë, i tyre duhet dëgjuar me respekt, pa hilé dhe deri në fund!
Klasa politike, të gjithë deputetët, sidomos të dy partive me më shumë vende në Kuvend, veçanërisht ata që kanë zënë më tepër vende, grupi i deputetëve të shumicës, ministrat që s’i njeh njeri, kryetari i qeverisë aktuale, duhet të kuptojnë pa humbur kohë se sot kërkohet zgjidhje politike madhore duke kapërcyer mbi veten dhe interesat e ngushta të burokratëve të mjerë, jo penetrim dhe infiltrim i papranuar te protestuesit; besimin e shoqërisë e kanë humbur; kjo pas shumë e shumë kohësh që zëra të përgjegjshëm nga shoqëria, u kanë bërë me dije në forma dhe platforma të ndryshme, prej vitesh e vitesh, se sistemi politik, ekonomik, social, arsimor i vendit prodhon krizë, dhe njëra krizë prodhon të tjera derisa vihet në rrezik stabiliteti i vendit!
Shqipëria dhe vlerat e një shoqërie me të drejta individuale dhe kolektive moderne janë mbi çdo njeri, post, pushtet!
Po nuk kuptuan më në fund këtë, po nuk menduan se mandatet nuk vijnë nga Zoti, as nga forca, as nga dhunti dhe talente të falura, por nga vullneti iqytetarit, historia do t’i bëjë përgjegjës!
Profesor Artan Fuga
@NewsIn.Al
