Neglizhencë e thjeshtë apo harresë e imponuar?
Në qendër të Korçës, karshi Mësonjëtores të Parë Shqipe, ndodhet një vilë karakteristike dykatëshe, e cila para lufte ka qënë Konsullata e Greqisë dhe shtëpia ku ka banuar poeti më i madh grek i shek. XX-të, Jorgos Seferis
Nobelisti grek ka qënë konsull për dy vjet në Korçë (1936-1938)

Si sot më 20.09.1971 ndërroi jetë në moshën 71vjeçare shkrimtari, eseisti, përkthyesi dhe diplomati grek Jorgos Seferis, fituesi i Çmimit Nobel në Letërsi (1963) me motivacionin “for his eminent lyrical writing, inspired by a deep feeling for the Hellenic world of culture” (për stilin e tij të shquar lirik, të frymëzuar nga një ndjenjë e thellë për botën kulturore Helene). Në mes të viteve ’30, me cilësinë e Konsullit të Greqisë, Seferis punoi dhe jetoi në Korçë, duke kaluar bile këtu një prej periudhave më produktive të krijimtarisë së tij poetike.
Por ndërsa Korça e atyre viteve, banorët e saj dhe jeta e qytetit janë prezente në vargjet dhe memuaret e nobelistit grek, për fat të keq vetë Korça nuk ka gjetur deri më sot mënyrën për të nderuar këtë figure te shquar.
Asgjë në qytet, qoftë edhe një tabelë e thjeshtë, nuk ekziston për të na kujtuar sot edhe neve, por edhe vizitorëve vendas dhe të huaj që do t’u interesonte të plotësojnë imazhin e tyre për të kaluarën e këtij qyteti, kalimin e tij nga Korça. Neglizhencë e thjeshtë apo harresë e imponuar?

Në çdo vend të botës do të ishte nder e krenari që një personalitet fitues i çmimit Nobel, të kish jetuar dhe punuar aty .
Në buqetën e krijimtarisë së Nobelistit Jorgos Seferis janë dhe krijimet e shkruara në Korçë dhe kushtuar asaj.

Ilir Jano, Korçë 20 shtator 2024
@NewsIn.Al

