SKANDALI NË BURGUN E LUSHNJËS, 700 EURO PËR TË NXJERRË TË BURGOSURIT DISA DITË NGA QELIA! PEZULLOHEN DREJTORI DHE NËNDREJTORI, PËRJASHTOHET EFEKTIVI
Një rast i rëndë korrupsioni u zbulua në sistemin penitenciar shqiptar, ku ditët e lejes për të dënuarit shiten në këmbim të shumave të konsiderueshme parash.
Gazetarët e emisionit “Stop” inskenuan një takim në burgun e Fushë-Kosovës në Lushnjë, ku u takuan me një punonjës policie të njohur si “Shefi Mati”.
Takimi u zhvillua në një lokal jashtë institucionit, pas një komunikimi paraprak. Gjatë bisedës, kur u kërkua leje për një të dënuar për trafik lëndësh narkotike, punonjësi pranoi shumën prej 700 eurosh dhe premtoi 5–7 ditë leje për të burgosurin.
Emisioni dokumentoi dorëzimin e shumës dhe më pas verifikoi se i dënuari në fjalë kishte dalë realisht nga burgu për disa ditë, duke konfirmuar kështu praktikën e tregtimit të lejeve si një fenomen i përhapur.
Pas transmetimit të pamjeve ku identifikohej punonjësi i Policisë së Burgjeve Irakli Leka, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, organizoi dhe ekzekutoi arrestimin e tij. Leka mbante detyrën e Shefit të Regjimit të Brendshëm në IEVP Lushnjë.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi pezullimin nga detyra të drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit, si dhe përjashtimin nga radhët e Policisë së Burgjeve të punonjësit të përfshirë në këtë rast të korrupsionit pasiv.
Njoftimi:
Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku Shefi i Regjimit të Brendshëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Lushnjë, Irekli Leka, u filmua duke marrë një shumë parash në këmbim të një leje shpërblyese për një të dënuar, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë masa administrative dhe disiplinore.
Me Urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është pezulluar nga detyra drejtori dhe nëndrejtori i institucionit si dhe është përjashtuar nga radhët e Policisë së Burgjeve punonjësi i dyshuar për korrupsion pasiv.
Pas publikimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Stop”, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim të ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe nën koordinimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka bërë të mundur arrestimin e punonjësit të dyshuar brenda 30 minutash nga transmetimi i materialit filmik.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve falënderon median për angazhimin e saj në zbardhjen e rasteve të abuzimit me detyrën dhe thekson angazhimin e palëkundur për të garantuar integritetin, transparencën dhe zbatimin me përpikëri të ligjit në çdo hallkë të sistemit .
@NewsIn. Al
