Parlamentarët spanjollë ratifikuan sot (25.8.2022) masat e kursimit të energjisë të vendosura nga qeveria në fillim të muajit, si pjesë e planit evropian për të reduktuar importet e gazit natyror rus përpara dimrit.
Në fazën e parë, qeveria e Spanjës vendosi kufizime në përdorimin e kondicionerëve, si një nga masat e kursimit të energjisë. Më konkretisht, termostati i kondicionerëve gjatë verës nuk duhet të bjerë nën 27°C në shumicën e dyqaneve, ambienteve kulturore (kinema, teatro), por edhe në aeroporte dhe stacione hekurudhore. Në mënyrë të ngjashme, në dimër termostati do të “bllokohet” në 19 gradë.
Ndriçimi në vitrinat dhe objektet publike duhet të fiket në orën 22.00. Hapësirat me ajër të kondicionuar ose me ngrohje duhet të instalojnë deri më 30 shtator një mekanizëm që do të mbyllë automatikisht dyert e tyre në mënyrë që energjia të mos harxhohet kot.
Megjithëse qeveria e kryeministrit socialist Pedro Sanchez nuk ka një shumicë absolute në parlament, 187 deputetë votuan pro masave, 161 kundër (ata nga partitë e krahut të djathtë) dhe një abstenoi. Një refuzim i dekretit legjislativ do të ishte një humbje e dhimbshme për Sanchez, i cili është në një turne në vendet e Amerikës Latine këtë javë. Do të nënkuptonte gjithashtu heqjen automatike të masave, shumica e të cilave tashmë janë në fuqi që nga 10 gushti.
Partia Popullore konservatore votoi kundër masave, duke akuzuar qeverinë se ka vendosur për to pa u konsultuar më parë me autoritetet lokale rajonale dhe punëdhënësit. Qeveria, megjithatë, arriti të bindë disa parti të vogla lokale, duke rënë dakord t’i lejojë ato të propozojnë ndryshime retrospektive në një debat të ri parlamentar.
Për më tepër, qeveria përdori një teknikë të provuar dhe të testuar parlamentare të bashkimit të masave të palidhura së bashku, në mënyrë që refuzimi i të gjithë projektligjit të sillte kosto politike për partitë. Kështu, masat e kursimit të energjisë ishin vetëm një pjesë e vogël e këtij dekreti legjislativ. Pjesa më e madhe ka të bëjë me përfitimet sociale në sektorin e transportit (si udhëtimi falas për përdoruesit e transportit publik) dhe grantet e studentëve.
Burimi: APE – MEB
@NewsIn.Al

