Të fshehtat që nxori SKY për Ervis Martinaj, Arben Ndokën, vëllezërit Duka e Bami
Hakmarrja, paratë, droga, miqësitë e armiqësitë e përbashkëta ndodh që lidhin aleanca.
Krimi tregon dhëmbët në mënyrën më të ashpër e ndonjëherë edhe më të pabesë.
Ndërton aleanca që funksionojnë mbi tradhti. Me njerëz që shesin njeri-tjetrin. Me njerëz që arrijnë të drejtojnë veprime edhe nga burgu i sigurisë së lartë. Me njerëz që pranojnë të vrasin armikun dikujt vetëm sepse ka mik armikun e tij. Me njerëz që ndonëse dikush është vrarë për punët e tij, nuk e ka për gjë ta shajë edhe pas vdekjes. Pa kod nderi e pa moral.
Intriga që zbulohen nga bisedat që dhjetëra persona kanë zhvilluar përmes aplikacionit SKY, ku kuptojmë se disa njerëz jetojnë vetëm për të vrarë dhe janë gati të paguajnë miliona euro që dikush të mos jetojë më. Gjithçka u zbulua në operacionin e fundit të SPAK, që zgjati 20 orë dhe u shtri brenda dhe jashtë Shqipërisë. U kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen.
Më 19 shkurt 2024, hetuesit e BKH kanë referuar informacion se në kuadër të bashkëpunimit me Europol, kanë administruar informacion lidhur me disa shtetas shqiptarë dhe të huaj që bashkëpunojnë mes tyre në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj jetës. Informacioni i dërguar bën fjalë për trafikimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike në vendet e BE, si dhe vendet e Amerikës së Jugut.
Informacioni i BKH bën fjalë në lidhje me kontraktimin e personave për kryerjen e veprës penale të vrasjes në territorin e Shqipërisë. Disa anëtarë të këtij grupi kriminal, të dyshuar si funksionarë publik, janë të angazhuar njëkohësisht në aktivitete të lidhura me korrupsionin. Këta anëtarë ndajnë në mënyrë të paligjshme me kontaktet e tyre, informacione të siguruara për shkak të detyrës që ushtrojnë.
Në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.9 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme, mes të tjerash kanë identifikuar dhe analizuar përdoruesit e SKY. Nga veprimet hetimore janë evidentuar edhe përdorues të tjerë të SKY që dyshohet se janë përfshirë në vepra të rënda penale dhe trafik narkotikësh. Më 30 qershor 2023, SPAK i ka përcjellë një shkresë Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkon ndihmë juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore franceze, ku kërkohen të gjitha komunikimet e kryera në SKY nga disa përdorues. Më 23 nëntor 2023, Eurojust ka përcjellë me anë të postës elektronike zyrtare përgjigjet dhe të dhënat e kërkuara nga autoritet gjyqësore franceze.
*****************
Kjo dosje e SPAK, aq sa zbulon fijet që lidhin krimin në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Shijak e Rrëshen, tregon shumë edhe për nivelin e kriminalitetit. Tregon si lidhen aleancat e krimit. Aleanca të ndërtuara mbi intriga, pabesi, pa norma e rregulla. Aleanca që nuk pyesin për miqësi, lidhje farefisnore e madje as familjare. Që të vrasin natën e të qajnë ditën. Aleanca që sa më shumë dalin në drita prapaskenat e tyre, aq më shumë bindemi që vërtetë mafia shqiptare nuk ekziston. Mafia është e ndërtuar mbi disa rregulla strikte, mbi disa betime që askush nuk i shkel dot. Por aleancat e krimit të organizuar shqiptar, të paktën me aq sa del nga bisedat e eksponentëve kryesorë të 7 grupeve kriminale, nuk njohin as norma, as rregulla, as besë e as familje. Për të realizuar një qëllim ata shesin këdo. Madje edhe të vdekurit.
@NewsIn.Al

