Te shtëpia në Korçë mëngjesi më sjell në sy këtë pamje. Është kisha e Profit Ilias,por unë e quaj kisha e Shën Fëmijërisë. Rreth saj u vërtitën vitet e mija. Që para se të vija në shkollë e deri sa shkova në Universitet në Tiranë. Mbaj mend kur bëheshin bashkë gjyshet e pallatit dhe na tërhiqnin për atje zënë dorë për dore ne dy dyzina fëmijësh. Veç te shkalla jonë me 7 apartamente bëheshim 25. Ndryshonim një a disa vjet me njëri-tjetrin,po rrinim bashkë. Duheshim shumë nga që dhe prindërit shkonin aq mirë mes tyre sa deri vonë psh Hajrien e katit të parë e pandehja hallë. Aspasinë,motrën e gjyshes. Lirikan besoja se qe mbesa e mamasë. Babain e dija me plot vëllezër e motra. Ndaj Profit Ilia,apo kodra e Shëndëllisë,qe për ne vend pelegrinazh dashurie. Atje gjyshet hapnin mësallat e shtronin ç’t’u ndodhej. Ca copëra byreku nga dreka,ndonjë oshafe e vjetshme,një grusht lajthia…Ndërsa Ilovica,e thirrnim kështu nga që i shoqi quhej Ilo,vendoste te pëllëmba një copë tule që ia shkulte copës së bukës. Hidhte mes saj ca thërrime djathë dhe e ngjishte,e ngjishte deri sa e bënte sa një top golfi. I rreshtonte disa në mësallën mbi bar dhe me gisht,sipas një gjëagjëze,tregonte shortin kujt i binte fati ta hante. Më ra dhe mua një herë. E pas kaçit të parë bëra sikur më ra të fikët. Doja ta falenderoja me këtë mënyrë Ilovicën e shtrenjtë.
Kodrës i ngjitesha çdo ditë. Sigurisht me shokë,por dhe vetë kur u rrita. Atje ulesha e kundroja qytetin. Bëja dhe plane. Se isha i vogël e pandehja se do e pushtoja botën. Qytetin më parë. Pastaj Pogradecin,Elbasanin,Tiranën dhe më shkonte nepsi ta përfshija dhe Italinë. Se Greqinë kisha vite që e kisha në xhep. Edhe kur binte shi,borë a frynte erë do shkoja te kisha. Që më vonë nuk qe kishë,por që e quaja kishë. E bënë depo,po harruan se gjyshja ime muslimane kishë e quante. Se Nerënxa na jepte vezë të kuqe për Pashkë,paçka se ishin ndaluar ritet. Besimi është si ajri. Nuk e ndalon dot se nuk e kap dot.
Te ai vend vërtiteshe në verë një rodhan i madh. Hypnim se ajo na dukej loja më moderne. E na rrotullohej qielli,pemët,qyteti,bota. Na nxiste adrenalina të bërtisnim nga lumturia. Na shënjonte ca ditë me gëzime plot. Kur u rrita dhe shkoja në gjimnaz te Shëndëllia tregoja fluturat e mija. Përmendja dhe emrat e atyre që doja. Vërtet i ndërroja çdo ditë se ato që s’ma varnin i fshija nga lista. Ama kisha nuk m’u mërzit. Më dëgjoi e më dëgjoi si gjyshja kur i rrëfeja çapkënllëqet që bëja në shkollë.
Për shumë vite Shëndëllinë e solla ndër mend me raste. Psh sa herë në botë shihja kisha të mëdha Shëndëllia ime më dukej më e madhe nga që ishte e ngjeshur me kujtime. Kur pashë Katedralen e Parisit të digjej më sëmboi zemra për kishën time. Urova të ishte siç e lashë. Por e gjeta nuse. Të zbukuruar e të rinuar.
Tani sa hap sytë shoh herë gruan,herë kishën. Varet nga krahu që zgjohem. Pamja ma bën ditën diell që pa lindur dielli. Më duket sikur jam njëherazi edhe në shtrat,edhe te Shëndëllia. Se kujtimet janë gjallesa. Lëvizin e marrin frymë bashkë me ne. Jetojnë edhe brenda nesh,por dhe aty ku duam ne. Na dhurojnë ngazëllim,emocion e na falin,ah sa dashuri!
Mëngjesi i çdo dite në Korçë më gjen njëkohësisht në dy vende. Edhe në shtëpi,edhe në Shëndëlli. Oh,ç’mrekulli! Ah,ç’nostalgji moj Shëndëlli!

Agim Xhafka
@NewsIn.Al

