“Tradhëti”
Shkelin në gishtat e këmbëve,
siluetat e lodhura të tradhëtisë.
Flasin gjithmonë mes dhëmbëve,
të zhytur në katër muret e shtëpisë
Të gjitha yjet si për dreq u fikën sonte
papritmas humbën shkëlqimin e tyre.
Hëna e fshehur pas reve shi pikonte
urat e fundit ranë dhe u ngritën mure.
Të vërtetat u trembën nga sekretet
ndërsa kujtimet heshtën të copëtuara.
Tani zvarriten vetëm hijet nga skeletet
e disa ëndrrave të shkatërruara.
Të varur në gozhdën e hipokrizisë
kanë humbur rrugën e lumturisë.
Natën bëjnë sikur flenë të qetë
edhe pse janë bashkë, jetojnë vetë.
Aleks Ikonomidhi Sulioti
25/07/2024
@NewsIn.Al

