

Tridhjetë e Gjashtë nga Bledar Gramo
Ekspozita e pikturës e artistit dhe ilustratorit të njohur Bledar Gramo ishte një retrospektivë e mrekullueshme e historisë dhe kulturës shqiptare, e shprehur përmes 36 + 3 veprave të tij të shkëlqyera në teknikën me rapidograf në letër.
Ekspozita u zhvillua në galerinë e artit të Vilës Luarasi në fshatin Kaninë të Vlorës.
Mjedisi natyror poshtë kalasë, dikur madhështore, i kombinuar me ekspozimin e veprave në një ambient me ndriçim të përshtatshëm, krijoi atmosferën e ngrohtë të duhur për vizitorët, organizatorët dhe artistin.
Ekspozitën e vizituan njerëz nga i gjithë vendi, si dhe turistë që ndodheshin në fshat dhe shfaqën interes të veçantë.
Artisti ishte gjithmonë i pranishëm për të na shpjeguar artin e tij, si dhe historinë pas çdo vepre të tij.
Të pranishëm në ekspozitë ishte edhe profesori i njohur Zyhdi Dervishi, i cili në fjalën e tij të shkurtër vlerësoi lart veprën e artistit, si dhe historinë dhe kulturën që lidhet me gjuhën dhe veprat.
Ekspozita përfundoi me një koktej gjatë të cilit vizitorët patën mundësinë të diskutonin dhe të shkëmbenin mendime, dhe ata që dëshironin të shkruanin në librin e vizitorëve.
@NewsIn.Al
