Thursday, April 23, 2026
spot_img
HomeAktualitetiTRIFON XHAGJIKA: “MË JEPNI NJË TOP T’I BIE SISTEMIT TUAJ, KOMITETIT QËNDROR!”

TRIFON XHAGJIKA: “MË JEPNI NJË TOP T’I BIE SISTEMIT TUAJ, KOMITETIT QËNDROR!”

TRIFON XHAGJIKA: “MË JEPNI NJË TOP T’I BIE SISTEMIT TUAJ,
KOMITETIT QËNDROR!”

​…dhe ishin fjalët e fundit të tij, që po trondisnin trupin gjykues. I pandehuri nuk po kërkonte mëshirë, siç dhe u pëlqente sundimtarëve, që të ndjeheshin të gjithëfuqishëm, gjysmë perëndi, si emblema të dhunës me sopatë në dorë, që drithëronin botën. Jo vetëm që s’kishte kërkuar mëshirë, po kishte kërkuar një top…
– Është artilier…
– Ashtu?…
– Po, po… dhe poet…
– E dëgjove, e do topin që t’i bjerë Partisë, Komitetit Qëndror…
– …ta shëmbë me gjithë ata brënda, udhëheqjen e lavdishme….
– … kam frikë…
– Se mos duhet t’i kërkojmë ne atij mëshirë…​​​​
Në sallë arritën dhe dy vëllezërit e të pandehurit, sapo qe dhënë dënimi me pushkatim. U panë sy më sy…​​
– Kokën lart, siç e do nderi i Xhagjikëve! – thirri një nga vëllezërit, më i madhi, Ylli.
Po ku është liria? – pëshpëritej gjithandej jashtë sallës së gjyqit, siç kishte thirrur ai që sapo ishte dënuar me pushkatim. Policët po futnin për në makinë, duke e mbajtur nga krahët fort, egërsisht dhe me një lloj adhurimimi të snkthshëm. Ç’qenkësh ky kështu?!​​​​

“Më jepni një top t’i bie sistemit tuaj, Komitetit Qendror!”

Dhe dua të rrëfej prapë, sidomos në data shenjuese të Trifon Xhagjikës, sot është datëlindja e tij.
Shfletoj librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”. Dhe ndal:

▪️KARTELË
Poeti Trifon Xhagjika
(1932 – 1963)

U lind në Peshtan të Tepelenës, në pranverë, në prillin e dashurisë, siç thotë kënga popullore, në datën 20, në vitin 1932. Familja e tij u shpërngul në Tiranë, në kohë e pushtimit italian në po atë vit, kur në një lagje diku themelohej në ilegalitet Partia Komuniste, ajo që do të sundonte dhunshëm duke pushkatuar dhe poetë. ​​​​​
Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, në fillim të viteve 50 u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite punoi si oficer në një repart ushtarak në Rrapin e Treshit në Tiranë. Kreu një kurs për Gazetari e Histori, këmbënguli, sepse donte të vazhdonte fakultetin për Letërsi.
Boton poezi nëpër gazeta dhe tërheq vëmëndjen e lexuesve e të poetëve të tjerë… E kalojnë me punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve e më vonë në gazetën “Luftëtari”.
Në vitin 1959 i përmblodhi poezitë e tij në një libërth hollak dhe nën kujdesin e kritikut avangardist Drago Siliqi i boton me titullin “Gjurmët”, ku ndihej romantiku dhe rebeli, që seç kërkonte. Gjithsesi është gjurma e tij e parë.
Mjaft nga ato poezi u bënë dhe këngë, madje dhe himnin e shkollës së tij ai e shkroi, kompozim i K. Trakos, dhe do ta këndonin breza të tërë studentësh me uniformë, edhe kur ai s’ishte më..

Sipas rrëfimeve të motrës së tij, “Trifoni kishte ndryshuar kohëve të fundit”, para arrestimit, kuptohet, ishte bërë më i vrenjtur, i shkonte, se vishej dhe bukur, kur dilte civil, Linën, asaj që i kishte kushtuar qindra vargje, e donte siç dinte të donte ai, por po rrinte gjithnjë e më shumë me ata, të pa kënaqurit me sistemin, siç thuhej atëhere, me ata që flisnin kundër, me ata që donin… të arratiseshin. “Njërit prej tyre i gjeti një kamerdare të madhe, që ngjallte dyshime se përse e doje, ia mori një kushëriri dhe e përcolli vetë atë që do të ikte andej nga Liqeni i Pogradecit. Vuante me ata që ishin ndarë me gratë e tyre ruse mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe i ndihmonte që të bashkoheshin me to… të arratiseshin…
Në gjyq e akuzuan për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit dhe… për terror. Terror po bënin ata vetë, gjyqi, shteti, partia. Gjithsesi shpëtim nuk do të kishte… Shkak ishin dhe poezitë e tij të pa botuara, ato kundër… Dhe nuk u pa më…
Dhe do të përhapej lajmi gjithandej, në redaksitë e gazetave, në kafenetë ku shkonin shkrimtarë, gazetarë, etj, se atë… kë?… atë që ngjante me Lermontovin, poet ushtarak, që qeshte aq çíltër dhe i shkëlqenin sytë?… e kishin pushkatuar… Ku?… Pse? Ishin grup…
…andej nga liqeni i Pogradecit, në zona të dyshimta, u kapën në përpjekje për t’u arratisur. I denoncuan shoferët e rrugës, i priste një major me çantë shpine, sipas Shërbimeve Sekrete. Ja emrat e grupit, dy vëllezërit Thoma dhe Stavri Rafaeli, dy gazetarët Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani, por dhe Robert Vullkani, botues e përkthyes, si dhe një tjetër shok i tyre, Franko Sara e bashkë me ta, poeti Trifon Xhagjika.
Të parin dhe të fundit i pushkatuan, të dy ushtarakë, kur në të vërtetë, ky i dyti nuk donte të arratisej, të paktën asaj herë me ata. ​​​​
Këto të dhëna janë sipas Dosjes që ka hapur gazetari Mero Baze. Trifoni ishte më antikomunisti dhe pro përendimori, dhe, nëse do te vendoste të ikte, do të arratisej për në Itali, shkruan M. B. ​​
Grupin, siç e kemi parë, e përbënin intelektualë të njohur, të letrave dhe të muzikës, ushtarakë, një pjesë e tyre kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste, kishin dhe gratë të huaja, ruse, hungareze, të rrezikshme pas prishjes së marrdhënieve me ato vende. Trifoni i kishte pajisur me mjetet që do të duheshin për arratisje. ​
Trifoni ndërkaq kishte botuar një libër. E lehtësonte apo e rëndonte ajo gjendjen e tij? Në dosje do të ishin poezi të tij, disidente, armiqësore, të guximshme deri në tmerr ashtu si traktet që kishin shpërndarë. Të tjerët e grupit, që i lanë gjallë, do t’u jepnin dënime të rënda dhe do të çoheshin burgjeve për t’i pushkatuar më vonë.​​​​

▪️▪️▪️

​Kur unë vajta në burgun e Spaçit, gjeta një gjendje të rëndë në kamp, të përzishme që ndihej që në ajër, të gjithë të burgosurit më dukeshin si me një plagë plumbi, që e zinin me dorë për të mos u rrjedhur i gjithë gjaku. Ishin pushkatuar dy bashkëvuajtës, gazetarët Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezho, se kishin dërguar një letër në Komitetin Qendror kundër Enverit. Bashkë me ta ishte pushkatuar dhe i burgosuri tjetër Xhelal Koprenca, pro perëndimor. Bashkëvuajtësi im, Astrit Xhaferri, me të cilin u bëmë miq në Spaç, më tregonte se e kishte njohur Trifon Xhagjikën, i fliste për guximin e poesisë, edhe për gjuhën e saj, fjala duhet gjetur në vuajtjen e popullit, u thoshte. ​​

▪️▪️▪️

Punoja në gazetën e parë opozitare. Kishte rënë Muri i Berlinit dhe pllakat e tij të betonta sikur na kishin zënë nën vete dhe ne po dilnim me mundim. ​​​​
Ishim ballë për ballë dy të dalë nga burgjet, unë dhe Ylli, vëllai i Trifonit, ai që kishte thirrur në sallën e gjyqit: “Kokën lart!” dhe gjykatesit urdhëruan t’i hidheshin hekurat dhe atij.
Poezitë mbi tryezë. fërgëllonin dritshëm. Po përlotesha edhe unë pas Yllit… ​

​​ E pashë Atdheun lakuriq,
​​ (vetëm pa miq e shokë)
​​ mundohej të këpuste
një degë dafinë
​​ nga lavdia e shekujve.
​​ Atdheun e dija të uritur,
​​ por sa i vogël qenka!
​​ Asnjë degë nuk e këpuste dot.
​​ E mora për dore,
​​ ta rrit në zemrën time…
​​ Vëllezër,
​​ Po e kërkuat Atdheun,
​​ e kam unë.
​​ Ndihmomëni të qesh.
​​ Ndihmomëni të gëzoj!
​​​ Atdheu është lakuriq!

​​ 1963

Këto poezi Trifoni recitoi dhe në gjyqin e tij, kur i dhanë dënimin me vdekje. Atë vit e kishte shkruar Gjithë dhimbje dhe forcë. Atdheun që e merr për dore për ta rritur në zemer, ndërsa atdheu po e vriste. Që po ta kërkonin atdheun e humbur, e kishte ai. Ku? Nën dhe? Vaj dhe thirrje dhe testament të tillë nuk kishte patur poezia e re shqipe.

U tronditën dhe ata që e dëgjuan jashtë, të recituar në një takim poetësh në Itali, në një kështjellë në Bari, ua dhashë unë të përkthyer.

“Atdheu është lakuriq”, me këtë titull vendosëm të botonim librin e tij me vjersha, të parin pas rënies së diktaturës, që e kishte bërë gati poeti Xhevahir Spahiu, ndërsa liriku Jorgo Bllaci dhe unë, ish-të burgosur të dy, u përkujdesëm për botimin, recensë, redaktim, etj, punonim bashkë tani në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku nisi dhe dënimi im. Si drejtues donim t’i ishim pranë Trifonit, të ringjallnim sado pak diçka nga martirizimi i tij heroik.

Po ku është varri i tij? Bashkë me lulet t’i çonim dhe librin e ri. Balta s’tregon asgjë. Veç libri, ama, vërtet kishte vezullime të mermerit… Ndiheshim të lumtur që e botuam…

…në mijëvjeçarin e ri dhe në shekullin e ri do të dilte e plotë “Poezia” e tij, e pasuruar me dorëshkrime të tjera, që ia ruante i vëllai… dhe më kërkonte…

​​ Miq!
​​ Dëgjoni trokëllimat e kalit ​
​​ të harbuar?​
​​ Jam unë!

Poeti spanjoll Garsia Lorka po vinte kështu? Po dhe atë “si një Krisht mes hajdutësh në Granada e vranë – thotë Ernesto Sabato. – Krim i urryer, simbol i kësaj bote, e cila pas çrrënosjes së poezisë, lartësoi në vend të saj vrazhdësinë dhe frikën”
Jo, po guxonte të vinte i pushkatuari tjetër, Xhagjika ynë. Nuk paskan të njëjtë vetëm fundin tragjik por edhe kalin e poezisë. Trifon Xhagjika ecën dhe reciton.
Ja, fundi i poemës së tij, “Këngë e verbër”, kushtuar Republikës:

Ç’të të këndoj më? Trishtimi
po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”

Prill 1962

Vramë po të duash!!! O Zot, e dinte ç’bënte! Mbas një viti do ta pushkonin…

DHE THONË
QË S’KA PATUR DISIDENCË?

…guxojnë tani dhe çoroditshëm i bëjnë disidencë disidencës së dikurshme, duan ta mohojnë, se…
E kam ndjerë herët këtë dhe mbase jam i pari që thashë: disidencë disidencës…
Jo, nuk ka patur, duan të thonë. Po a s’ishte disidencë buçima e zërit të Trifon Xhagjikës? Më shumë se aq, edhe kundërshti e hapur, heroizëm, kryengritje, qoftë dhe e vetme… Megjithëse ka patur dhe të tjera, të mëdha, “Kryengritje të Postribës” apo shpërndarje traktesh, madje edhe libra kundër, të ndaluar, revolta burgjeve, parti të fshehta, parrulla… poetë të tjerë të pushkatuar…
Në qoftë se jehona e plumbave të plutoneve nuk dëgjohen më, po poemat e Trifon Xhagjikës a nuk mund t’i lexojnë dot? Veprat e të pushkatuarve, e bashkëvuajtësve të tyre burgjeve dhe internimeve? Apo duke mos dashur t’i pranojnë, strucërisht kujtojnë se kështu dhe zhbëhen… Po kêshtu, të pushkatuarit e vërtetë duket se mbeten vetëm ata, mohuesit…

T’i kishte një popull tjetër, një letërsi tjetër, jetët dhe poezitë si të Trifon Xhagjikës me shokë, do të sillej ndryshe… Vargje të tyre duhet të ishin kudo, ku është liria, në kujtesë, mureve, në shkolla, të gdhendura në gurë, në ardhmëri

▪️▪️▪️

…megjithatë në vendlindjen e Trifon Xhagjikës, në Peshtan, tashmë është një përmendore e tij, busti, që e kanë vendosur miqtë, ata shpirtërorët, që dhe pas vdekjes, shtohen e shtohen…

▫️Visar ZHITI

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments