Unë dhe shitësi i gështenjave/ Rrëfenjë nga Agim Xhafka
-O burrë,boll me 5 kupa gështenjash në ditë se dy veta jemi,-më foli e nxehur ime shoqe.
Kishte të drejtë. U bë një javë që vij duarplot në shtëpi. Gështenja të pjekura dhe të qëruara. Të shijshme mjaltë. I pjek një familje te cepi i pallatit. Burri në mëngjes,gruaja mbasdite. Në darkë vjen çuni i vogël. Ai merr në një dorë zgarën prej teneqeje sajuar me ca vrima sipër,në sup hedh thesin e qymyrit dhe ikin rrugës lart. Nuk di se ku.
Ka dy muaj që i shoh te tortuari. Ngulur te stoli i vogël. Me duart mbi zjarr e mbi gështenja. I qërojnë sikur numërojnë hallet. Me sy te kalimtarët. Duke qeshur e duke pritur.
I kundroj ca minuta nga larg. Gëzohem kur dikush ble një a dy gota. Atëhere kur shoh që plastiket janë rradhë,nxjerrin avull ,afrohem e porosis:
-5 kupa. Të qëruara.
Burri ose gruaja sa dëgjon këtë porosi skuqet sikur do e xhirojnë për film. Ka emocion. Me paratë për ato kupa mbase ble bukë,domate,vezë a fletore për fëmijët. Sa m’i bën gati i hedh të gjitha në një qese e i zbraz në kuzhinë.
-Mos na sill më,-m’u lut gruaja.
Tund kokën si premtim,po sa dal te rruga harroj ç’më tha.
-5 kupa,me të qëruara!-përsëris.
Po sa i mora më ngeli qesja në dorë. Në shtëpi nuk mund t’i çoja. E gjeta zgjidhjen,do ia çoja hallës. E rrugës bëra planin e javës. Nesër do i çoj te xhaja,pasnesër Bertit,shokut tim,të enjte xha Llazit,të premte berberit,të shtunë…
Nuk u le vetëm,i fola nga larg burrit dhe gruas që mes zjarrit trazojnë gështenjat me duart e pjekura. Çdo ditë do ua ble 5 kupa. Ndoshta dhe më shumë. Shpejtova hapat që halla t’i hante të ngrohta….
Agim Xhafka
Njerëzit e mëdhenj gjihhmonë e gjejnë mënyrën për të ndihmuar, pa të ofenduar!
@NewsIn.Al
@NewsIn.Al

