Vëllami- poezi nga Armand Zoga
VËLLAMI
Dikur, të besoja
i dashur vëllam,
pavarësisht kapriçove,
shakasë së hidhur.
Më fitove me pamjen
e intelektualit të paqtë,
dhe thinjave që do të doja
të ishin fisnike.
Të dhashë pa rezerva
si të të kisha vëlla,
në të shenjtin binom
kohë dhe mendim,
thjeshtë më shkarkove ashtu
për një çast,
pa hezitim…
Të fundit fjalë zbraze,
të parën pa e thënë ,
dhe endesh ankueshëm
shoqërive të reja,
kuturisur rrugëve
të rikthimit të mundshëm,
ende s’gjen kurajën
që të jesh vetvetja.
Dikur të besoja
i dashur vëllam,
pavarësisht kapriçove,
sërisht unë besoj,
rrugën e rritjes
pa dyshim do gjesh,
për të riardhur, pa mua,
aty ku të takon.

Armand Zoga / Mançester
@NewsIn.Al
