I penduari i drejtësisë tregoi se u morën vesh për një shpërblim prej 130.000 eurosh dhe i kishin në dispozicion fotografi dhe informacion mbi makinën e viktimës, por nuk mund ta lokalizonin dot në Elbasan.
Ai tha se për atentatin morën një mjet nga Nuredin Dumani, të ruajtur në një magazinë në Bradashesh që i përkiste Arben Lazës.
Me katër armë të gatshme (dy kallashë dhe dy pistoleta), ekzekutimi u planifikua fillimisht në palestër, por më pas u zhvendos pranë shtëpisë së Ramazanit në rrugë kryesore.
Tasi tregon se ishte ai që zbriti nga makina, iu afrua nga ana e xhamit të pasagjerit dhe qëlloi disa herë në kokë e qafë, ndërsa viktima ishte i shpërqendruar me telefonin.
AI pretendon se do të merrte së bashku me Henrikun 60 mijë euro, por i dhanë vetëm 25.000, ndërsa një vajzë e identifikuar si “Klara” ishte futur si ndërmjetëse e pagesave.
Rrëfimi i Skerdi Tasit: Vendosëm në shënjestër Emiliano Ramazanin. Ramë dakord për 130 mijë euro në këtë vrasje.
Ne kishim foto të Emilianos, i dinim edhe makinën. Nuk po e gjenim dot në Elbasan. Kishim tre opsione, shtëpia, palestra apo lokali. Gjatë kësaj kohe rrinim në Tiranë. Çdo ditë shkonim në Elbasan, me makina të ndryshme me qira.
Në atentat përdorëm makinë që na e siguroi Nuredini. E njëjta që do përdornim për Bujar Çelën. Dy herë makinën e kemi marrë në Bradashesh në një magazinë, që më pas mësova se ishte e Arben Lazës.
Kishim 4 armë për këtë ngjarje. Po ta qëllonim në parakalim do përdornim kallash, ndryshe pistoletën.
Ditën e ngjarjes i shkuam tek palestra, por pamë që s’ishte vend i përshtatshëm. Kështu që e pritëm tek shtëpia, në rrugë kryesore.
E pamë që u afrua. Vinte me një “Ford fiesta”. Unë zbrita, Henriku qëndroi shofer.
Unë mora 2 pistoleta me vete. U afrova dhe pasi parkoi dhe fiku makinën, u afrova me vrap. I dola nga xhami i pasagjerit. Nga aty e qëllova disa herë, në kokë, qafë. Ai nuk më pa, se po merrej me telefon. Në oborrin brenda pallatit ndodhi.
E dogjëm makinën pas krimit, bashkë me 2 armë. Armët që përdora i mora me vete. Ikëm në Tiranë duke i rënë nga Peqini. Diku ku ishin ca betoniere fshehëm armët dhe Riku i çoi foto Nuredinit në SKY, pasi ato do çoheshin diku tjetër, me qëllim që t’i faturohej ngjarja dikujt tjetër.
Na kontaktoi edhe një Klara për lekët. Në kishim marrë disa shuma ndërkohë si rregull duhet të ndanim 60 mijë euro me Rikun, por unë mora 25 mijë.
@NewsIn.Al
