Policia e Shtetit ka njoftuar pasditen e sotme se do të jetë në gadishmëri të plotë ditën e votimeve. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Drejtori i Rendit Publik Ylli Vasili ka bërë të ditur se janë marrë një sërë masash për sigurimin e zgjedhjeve vendore në disa njësi të qeverisjes vendore, për të garantuar një proces votimi sa më të qetë për të gjithë votuesit.
Policia e Shtetit, deri në datën 03.03.2022, ka angazhuar 780 punonjës policie dhe ka garantuar 335 aktivitete elektorale të zhvilluara gjatë fushatës. Sot përfundon shoqërimi nga strukturat policore, i materialeve zgjedhore nga Tirana në drejtim të 13 KZAZ-ve në të gjithë bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet vendore. Deri tani nuk është evidentuar asnjë problem.
Për sigurimin e 941 Qendrave të Votimit dhe 13 KZAZ / VNV-ve janë bërë përllogaritjet e punonjësve të Policisë, për transportimin me automjete, pajisje, armatim, radio-komunikim, ushqime etj, deri tek votimi i tyre si shtetas të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu janë prodhuar dhe dorëzuar në afat vulat e kërkuara nga KQZ, për KZAZ, QV, VNV etj, – thuhet ndër të tjera në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Përsa u përket institucioneve ndërkombëtare, Vasili u shpreh se bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSBE-së, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë në vazhdimësi. Me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme, janë zhvilluar trajnimet e punonjësve të policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.
Lidhur me vëzhguesit e OSBE/ODIHR është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që të kenë akses, të koordinojnë dhe monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor. Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me institucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ-në, si dhe jemi në plotësim të detyrimeve, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione, – thuhet në deklaratë.

