HomeAktualitetiZhupa propozoi sot ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që glorifikojnë diktaturën komuniste...(Një...

Zhupa propozoi sot ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që glorifikojnë diktaturën komuniste…(Një pyetje për ju zotërinj formulues: Sa % e ndjeni veten të çliruar nga ideologjia dhe mentaliteti i mendimit dhe veprimit si në komunizëm?) 

Anëtarja e Komisionit të Medias, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa propozoi sot ndalimin e filmave dhe dokumentarëve që glorifikojnë diktaturën komuniste.

“Ne kemi përgjegjësinë të ndikojmë në edukimin e brezave të rinj dhe të marrim një pikë nisje nga kjo ngjarje, nga debatet që kanë lindur në rrjetet sociale, në opinionin publik, në media për shfaqjen e programuar të “Prefektit” në Teatrin Kombëtar, për të rihapur edhe një herë jo vetëm diskutimin, por edhe mendimin institucional dhe ligjor për një projektligj që personalisht do ta mbështes, i cili ndalon shfaqjen e filmave në televizionet publike, në televizione të paguara nga taksat e qytetarëve, të atyre filmave që do të cilësohen të ndaluar nga profesionistë, si filma të propagandës komuniste dhe instrumente të diktaturës. Kinemaja ka qenë një instrument i propagandës komuniste dhe është përdorur për të mbajtur dhe atë, pushtetin e butë, ndërkohë nga ana tjetër ishte mizoria e një diktatori“, tha ajo.

Duke sjellë në vëmendje nismën ligjore të PD-së për dekomunistizimin dhe ndalimin e simboleve komuniste, Ina Zhupa ngriti shqetësimin për atë që mësohet sot në shkolla për periudhën e diktaturës.

“Në tekstet shkollore glorifikohet ajo që lidhet me komunizmin dhe ka vetëm gjysmë faqe libër për atë që kanë vuajtur shqiptarët në diktaturë. Çështja e teksteve shkollore, si çështja e filmave artistikë si dhe artit e kulturës, janë çështje që na takojnë si komision dhe nuk mund t’i shmangim. Na takon ne, të dyja anëve të politikës, të ndahemi njëherë e mirë nga ajo periudhë”, tha ajo. (ATSH)

 

 

– Çfarë ti thuash zonjës në fjalë? Pse këtu duket ndarja me komunizmin dhe artin e prodhuar në atë sistem?

Çdo vënd i botës, krenohet me historinë, sportin  artin dhe letërsinë që prodhon. ju nëse e ndjeni se jeni shkëputur nga mentaliteti komunist, bëni distancimin nga përmbajtja e filmave, por jo të ndaloni filmat shqiptarë! Ku ta shohin dhe njohin fëmijët tanë dhe brezi që vjen Sandër Prosin apo Tinka Kurtin  Margarita Xhepën apo Stavri Shkurtin,  Violeta Manushin apo Roland Trebickën, Jani Rizën apo Maria Logorecin, Roza Anagnostin apo Ndrek Lucën, Demir Hyskën apo Yllka Mujon, Sotiraq Bratkon apo Elvira Diamantin…e shumë e shumë yje të skenës dhe ekranit shqiptar të atyre viteve.

Keni shumë ndryshim ju formulues të këtij ligji me këto emra ikonë të historisë shqiptare. Juve nesër as komshiu nuk ju mban mënd, artistët nuk vdesin kurrë.

Kush ka mënd bën ndarjen me ideologjinë, por jo me filmin… Pak a shumë do të ishte me vënd një pyetje për ju zotërinj formulues: Sa % e ndjeni veten të çliruar nga ideologjia dhe mentaliteti i mendimit dhe veprimit si në komunizëm?

@ NewsIn .Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments