13 VJEÇ DHËNDËR…
Kam dashur të martohem qysh në klasën e shtatë. Kaq keq më hypi në kokë sa ende ruaj detaje nga historia e atyre viteve. Me kë? Me Zanën,me yllin e shkollës. Nja pesë vjet më e madhe se unë dhe ndonja dy pëllëmbë më e gjatë. Dhe ja se si rrodhi kjo histori.
Kur isha 13 vjeç,shkollat atëhere ishin bashkë,pra brenda një godine nisje klasën e parë fillore dhe atje e mbaroje maturën,një ditë tetor shkuam për të mbledhur mollë në Dvoran. Na caktuan si komandante,kështu emértoheshin atëhere kujdestarët,Zanën,që qe maturante.Erdhi atë mëngjes me pantallona te ngushta,me flokë të mbledhur,me një xhaketë të shkurtër dhe ngelëm pa fjalë kur nxori fjalët e para. Shkronjën r e thoshte si francezët dhe kishte ca sy,ah si gjoli i Pogradecit. As blu,as jeshil,përzier me ca rrëke të bardha sikur retë i pasyroheshin në retinë. Na hypi në autobuz e drejt te plantacioni. Për fat ndenji prane meje dhe mollët i kapte ajo,m’i jepte mua dhe drejt te arkat e eksportit. Kaq me vrull punuam sa ajo u gëzua dhe më dha një puthje në faqe.
-Qenke shpuzë,o qofte-më tha disa herë dhe më kapte prej faqesh.
Çunat u xhelozuan,por Calja gati po plaste.
Kur u kthyem autobuzi na la te axhensia,pranë shtëpisë së gjyshes.
-Unë e kam këtej shtëpinë,-tha ajo.
-Edhe unë.
-Vertet?
-Të gjyshes,-e sqarova.
Pa arritur tek gjyshja ajo më ftoi te shtëpia e vet. Hyra në një oborr plot me lule. Nëna e saj një bukuroshe si te filmat italianë më pérqafoi. Doli dhe babai. Sa shkëmbyem ca fjalë,u largova gjoja te shtëpia e gjyshes. Po ecja drejt shtëpisë sime me mendime të bukura për Zanën. Nuk di pse fytyra e saj m’u ngul si ajo muzika që ia nis në mëngjes me të fërshëllyer e në darkë kupton se nuk i je ndarë motivit të saj térë ditën.
Isha i qeshur në shtëpi,lojta me motrën e vogël,ndihmova vëllain në aritmetikë. Nëna shihte babain duke pyetur me sy:
-Ç’i ka ndodhur një gjë kaq e mirë këtij?!
Në mëngjes rrija te dera e shtëpisë së gjyshes. Qysh në orën shtatë. Tetori në Korçë freskohet goxha,por nuk lëvizja nga vendi edhe pse më dridhej buza. E ja,doli Zana. I bértita. Qeshi,pandehu se isha tërë natën te gjyshja. Më pérqafoi e më shtrengoi te gjoksi i saj. Ndjeva ngrohtësi e sikur dy ftonj më shtrënguan pak veshin e majtë. Mbante një aromë sapuni,si çarçafët kur nëna na i ndërronte të shtunave.
-Pse je skuqur,mos ke temperaturë?- më pyeti ajo.
-Jo,jo. Po nga që po nxitojmë.
Ecëm bashkë e kur arritëm te shkolla Calja sa më pa më hoqi mënjanë:
-E ke kushérirë komandanten?
Sa nuk i thashë që e kam të dashur. Por u tremba se mos qeshte me të madhe.
Orët e mësimit i kalova me ankth. Sa ra zilja zbrita poshtë. Po prisja Zanën. Doli me një shoqen e vet.
-Po iki me Gimin,-i tha asaj dhe më kapi për faqesh. E ndiqja me dihatje se ajo i kishte shalët sa unë kisha trupin.
-Do shkojmë te një kushériri im. Do rri atje gjysëm ore,ti më prit se në shtëpi shkojmë bashkë.
Kushériri i saj qe Nesti,vëllai i Shpresës që kisha në klasë. Ishte student në mjekësi. Bënte praktikë te spitali.
Hyri te shtëpia e tij e unë mendoja sa e bukur ishte Zana. Atë ditë m’u mbush mendja se ajo më donte fort. Se faqet nuk t’i kap cdo femër. Me vete nuk të merr çdo femër. E pas një ore doli ylli im. I kishte faqet skuqur si pluhuri djegës që përdorte mamaja në térhana.
-Je sëmurë?-u shqetësova.
-Jo,jo,po kishte ndezur sobën kushériri.
Dhe ditët kalonin me ecejaket e çiftit Agim-Zana. Shkonim bashkë në shkollë e bashkë te kushériri një ditë po e një ditë jo.
Ndodhi që pas një muaji i rrëfeva Cales se doja të martohesha me Zanën.
-Sa vjeç duhet të jesh që të të lejojnë?
-Zana me ty nuk fshin as qurret,-tha ai e iku.
Unë rrija e ëndérroja veten me kostum blu të errët,Zana me fustan të bardhë e një vello që hiqej zvarrë si dinosaurët e filmave,shkolla e ftuar në dasëm dhe një hare e paparë. Isha në hall se aq veta nuk kishte restorant t’i mblidhte. Pastaj i jepja dum,do e bëja te lulishte e Pandës. Kishte vend pér të gjithë. Kaq mendova se doli Zana nga Nesti. Ashtu flakurimë. Më hipi sëkëlldia se mos ajo sëmurej e nuk bëhej dasma sic e mendoja. Do i them Shpresës që të mos e ndezin kaq shumë sobën në shtëpi,se tetor është,nuk është kulmi i dimrit.
Shpresa sa më dëgjoi u habit:
-Çfarë sobe?
-Sobën që ndez Nesti kur shkon kushérira jote,Zana.
-Zana? Cila është kjo?
-Komandantja e mollëve.
-Hahaha,po ajo është dashnorja e vëllait…
Shyqyr që isha ulur. U zverdha me siguri se llampa te tavanit më shkonte nga një qoshe te tjetra. Një gur më goditi gjoksin e padashur vura dorën në zemér. U çova dhe ashtu si calaman eca drejt shtëpisë. Më dilte para Zana si shtriga te Borëbardha. Si Bruti te Shekspiri,si Hamzai te Skënderbeu. Nga ëndërra ime ajo u kthye në lëndim pér mua. Sillja ndër mend sekuencat kur më ngrihej lart diafragma dhe ende besoja se ajo do ma sqaronte të vértetën. Mbase Nestin e kishte kushéri,por kur kujtoja faqet e kuqe kur delte që atje pika më binte.
Ikën ditët dhe nuk e prita te gjyshja,as kur mbaronte mësimi. E quajta veten si një pazh që i shérbeva,si një erashkë për freskim. Pashë realitetin,që ajo ishte shumë e bukur,por e madhe në trup e në moshë. U qetësova se ndoshta Zana qe shenja që zoti më tregoi se do martohesha dikur me një femër shumë të bukur. Jeta e trajton njeriun si mjeku pacientin. Koha më qetoi e jeta më mori para me plot surpriza të këndshme. Më fali dashuri,lumturi,gas,fat e mirëqënie. E harrova fare Zanën e plot e plot vite nuk mendova fare pér të. Deri para ca ditësh,kur në një anije turistike në Selanik,përballë m’u ulën dy pleq me dy vajza të vogla në duar. Flisnin shqip e dëgjoheshin fjalët nëna,gjyshi. Sytë drejt meje,blu me re të bardha nuk ishin fikur e nuk ishin mekur.
-Zana?- e pyeta.
-Qoftja?- më tha e më kapi faqet.
Burri po shihte pak i çoroditur.
Ndenjëm pak çaste ashtu e kaq u zhyta në ato mote sa sërish i thashë vetes:
-Unë do martohem me Zanën.
Gruaja më kapi nga bluza e më solli në vete:
-Zbresim se ngelëm në anije.
Ishim të fundit. Zana e Nesti ecnin në Lungomaren e Selanikut të kapur pérdore. Kaq shumë dashuri rrezatonin sa pér herë të parë pranova sa mirë që isha shérbëtor i një pasioni kaq të thellë e kaq të pastër…
@NewsIn.Al

