“Ah moj Babaliçkë, Ç’më kënaqe shpirtin sonte, mos vdeksh kurrë”

Magjepsëse për ta parë e për ta ndjekur në çdo hap të rrugëtimi të saj artistik!!! Ja pra, e pjekur artistikisht, e zgjuar, modeste, krenare, zemërmirë, në gatishmëri artistike të plotë, nënë, gjyshe, mësuese, artiste me gjelbërim të përjetshëm dhe kryesisht “pasionare” e orëve të para të muzikës së lehtë, këngeve popullore dhe serenatave të qytetit tim.
Unikja Ermira Babaliu rikthehet sërisht në fronin që publiku i ka dhënë asaj ndër vite. Fenomeni i këngëtares me zërin karismatik dhe praninë shpërthyese skenike, këngëtarja që ka vulosur rifillimin e natës karakteristike korçare pas 40 vjet ndalimi të serenatave, e para e klasës për disa ose e fundit e Moikanëve për disa të tjerë, vjen serisht në atdhe për të bërë përshtypje, siç bënte gjithmonë në shfaqjet e saja gjatë viteve që shkëlqente në skenë dhe në ekran.

Personalisht nuk dua ta zgjas për Mirën e kujtimeve time, Mirën tuaj, Mirën e Pogradecit, Mirën e Korçës, të Sandrit, të Dorelës etj. Do ndalem vetëm pak tek ajo që më përcolli.
Mira sot përtej emocionit, më solli në hundë erën e tokës së lagësht nga shiu pranveror mbi bashtën e Themistokliut në qytetin tonë, një pikë referimi për atë që sot themi këngë korçare. Mira sot më ka ngjallur mallin e viteve dikur kur isha ende i vogël, afër gjyshit tim dhe mjeshtrave të tjerë të serenatës, atëhere kur mësoja nga dora e parë për recetën e tyre dhe kur e shikoja Mirën e thjeshtë në rrugët e qytetit tim.
Ajo e vërtetoi edhe një herë se është një vazhdimtare e denjë e traditës së qytetit tonë, me atë theksin e mrekullueshëm korçar që rrjedh nga shpirti (aspak false), e freskët vokalisht nuk hezitoi të këndojë ‘Akapela’ në një udhëtim muzikor me sukseset e saj të mëdha por edhe me interpretimet e saj kinematografike. Oh sa më kishte munguar!!
Dhe meqenëse sot po flasim “gjuhën tonë”, do t’ia them ashtu siç i ka thenë një herë e një kohë një mjeshtër i Korçës në shkallët e ish Pallatit të Kulturës Korçë, pas një koncerti në mos gaboj. ” O Babaliçke më kënaqe shpirtin sonte, mos vdeksh kurrë”. Kjo frazë tradicionale shënoi fëmijërinë time aq fort sa unë ende e mbaj atë të paprekur në kujtesën time të fëmijërisë.

#A.I.Sulioti

