LETËR E HAPUR
Znj. Mirela Kumbaro, zotit Damian Gjiknuri, znj. Luela Hajdaraga Gila
Po ju shkruaj gjatë se nuk kam kohë të shkruaj shkurt. Si i themi ne nga anët tona, e keni bërë mavri me bojë . Qëllimi dhe ardhje juaj në Athinë për të përçarë emigracionin Shqiptar në Greqi, të mire organizuar dhe të plotë formuar(!) më ka shokuar. Sigurisht nuk mu dëgjua zëri kur unë paralajmërova shenjat e para pas ardhjes në Athinë të ambasadores znj. Luela Hajdaraga të cilën e duartrokitët në fillim të punës së saj, por dardha e ka bishtin mbrapa. Ajo erdhi në Athinë me një plan të qartë për përçarjen e shoqatave të emigracionit. Kjo u duk qartë qysh në veprimet e para kur në mënyrë të pa skrupullt largoi nga skena e shërbimeve konsullore sekserët e palodhur të kafeneve që kush veç e kush me shoqatat që përfaqësonin, demek për të zbatuar ligjin, bënin një punë titanike në ndihmë të emigrantëve nevojtarë duke patur një garë të shëndoshë konkurence mes tyre se kush do të ishte i pari. Si të mos mjaftonte kjo eliminoi zakonin e vjetër shqiptar të rradhëve 5-6 e më shumë orëshe ku nevojtarët vinin, njeheshin me njëri tjetrin, qanin hallet, ndihmonin dhe kishin një mardhënie vëllazërore pa sherre dhe probleme, në të mire të të gjithëve. E duartrokitët, e ngritët në kupë të qiellit dhe ja ku jemi sot në një situatë tragjike ku vimë në konsullatë me takim elektronik( që të na kontrollojnë) mbaron punë dhe ikën, as nuk takohemi më si më pare dhe këtu filloi ftohja e pare e shoqatave mes tyre dhe fillimi i problemeve që sa vinë dhe rëndohen. Kulmi arriti kur (për të mos lejuar takimet e shoqatave nga ishujt me qendrën) dërgoi punojësit e konsullatës atje t’u jepnin shërbimet dhe prapë e duartrokitët, ndërkohë përçarja mes shoqatave nga mos komunikimi si më parë thellohej. Ndërkohë përfaqësuesit e shoqatave nuk po e kuptonin nga vinte e keqja dhe madje harruan edhe garën mes tyre se kush ishte më i miri duke nisur garën me vetveten se kush bën më shumë eskursione( kjo për ti hedhur hi syve ambasadores se gjoja po ikim per tu defryer, në fakt ishte mënyra e re për tu ritakuar me shoqatat e tjera për një bashkim të mundshëm). Duke e pare se emigracioni po ri bashkohej i forte si më pare, u manovrua me caktimin e një koordinatoreje si oficere e diaspores, vetëm me universitet dhe ca specializime , pa eksperiencë ,që e bën të dyshimtë zgjedhjen në atë post. E çfarë bëri ajo? Në fillim i kontaktoi të gjithë, gjoja për par-condition, filluan dhe fotografitë me krerët e shoqatave dhe dukej se gjithshka po rregullohej, por këtu filloi të funksionojë hileja për përçarjen e emigracionit pasi ajo më pas , në heshtje, filloi të bashkëpunojë me shoqatat që bënin punë duke mos folur, pa u ankuar madje duke perballuar vetë buxhetin e tyre pa kërkuar ndihma, duke prishur traditën e vjetër dhe la në hije ata që bënin punë kolosale duke folur kudo e për këdo, duke sharë në mënyrë dashamirëse të tjerët dhe pavarësisht se nuk kishin projekte apo punë konkrete ata mbanin gjallë traditën e bashkimit dhe bashkëpunimikt mes shoqatave. Për djersën e këtyre të fundit asnjë pikë respekti, madje oficerja e diasporës arriti deri aty sa organizoi eventin të hapur pa dërguar ftesa personale udhëheqësve realë të komunitetit, duke aluduar se një pjesë e tyre janë kryetarë pa antarë apo bashkim shoqatash pa zyrë. Në fund të fundit oficerja për atë paguhet që të gjeje antarë për kryetarët e vetmuar dhe zyra për të mbeturit pa strehë. Pra projekti i përçarjes së emigracionit në Greqi është i mirëmenduar dhe mirë organizuar pasi 86 shoqatat e deklaruara dhe rreth 25 të regjistruarat kishin humbur tashmë bashkimin e tyre që gjithmonë e kishin pasur. Për ti vënë vulën, na sjellin në ambasade Znj. Mirela Kumbaro që ka sa idera të çuditshme se si duhet të zgjidhim problemet duke qenë të bashkuar dhe informuar dhe sygjeron poshtë e lartë rëndësinë që ka të lexuarit e librave por pa sqaruar se ç’do të thotë libër, duke i futur në qorrsokas shumë shoqata të pa informuara për argumentin. Në një moment, kur e pa qe bashkimi i shoqatave po rezistonte, i kërcënoi se do tu merrte turistët nga Greqia për Shqipëri duke i lënë pa punë. Dhe dihet se papunësia ndihmon në përçarjen e shoqatave të bashkuara. Për të ushtruar më shumë presion, kishin sjellë në ambasadë edhe z.Gjiknuri , që mbikqyrte planin destruktiv ndaj emigracionit. Sikur një fond të veçantë të sillte nga aq sa kanë investuar në Shqipëri, sot do kishim në Greqi kryetarë shoqatash me antarë dhe shoqata fantazëm pa çarçafin e fantazmës .
Duke patur parasysh situaten serioze ku kemi arritur, për të rrealizuar bashkimin e shumë dëshiruar, propozoj:
1. Oficerja e diasporës të marri të gjitha masat që shoqatat fantazëm të heqin çarçafin që të mos tremben shoqatat apo grupime të ndryshme prej tyre.
2. Për shoqatat me antarë por pa aktivitet, të kontrollojë nëse anëtarët kanë paguar kuotat.
3. Për kryetarë pa antarë të hapet një fond për blerje apo marrje me qera te antarëve, përjashtohen familjarët e kryetarit.
4. Për përfaqësuesit llafollogë, që përfaqësojnë unitetin e organizatave jo egzistuese, ti propozohet Presidentit ,z. Ilir Meta, që t’ju akordojë dekoratën “Mjeshtër I Madh”. Nëse keni mosmarveshje me presidentin aktual, t’ja kalojme pa harruar presidentit në ardhje.
5. Organizatat që kanë anëtarë dhe aktivitete rreale të hiqen nga lista e aktiviteteve të tilla sepse akoma nuk janë të qarta arsyet pse janë të pa varura dhe pse i paguajnë të gjitha vetë(për këtë duhet një komision serioz)
6. Për të gjithë qeveritarët që kalojnë nga Athina, takimet të organizohen vetëm me pjesmarrjen e organizatave apo grupe organizatash që shajnë qeverinë dhe ambasadën në mënyrë që të kemi një opozitarizëm emigrator funksional dhe të pa varur.
Duke dashur të mos mire keq kuptohem nga lexuesit, përkimet me persona rrealë apo organizata të tilla në tekstin e mësipërm nuk janë të rastësishme.
Për shoqatën fantazëm “Të gjallët e vdekur në bashkëpunim me të vdekurit e gjallë”
I askujti
ARSYZO
@NewsIn.Al

