Nga Gjykata e Tiranës kërkesat për regjistrimin e ndryshimeve në regjistrin e OJF-ve dhe atë të Partive, cilësohen si paditë pa palë kundërshtare (ose padi njohje). Kjo nënkupton, që në këto procese nuk është pranuar ndërhyrja në proces as ajo kryesore as dytësore. Çfarë do të thotë se në kushtet kur procesi ka një palë të vetme, bazuar në parimet e procesit civil, ankim ndaj vendimit mund të bëhet vetëm nga subjekti që ka kërkuar regjistrimin, ankim i cili do të kishte logjikë të bëhej vetëm në rast të mos pranimit. Në rastet e pranimit bërja e ankimit, do të ishte një keqpërdorim i mjetit ligjor për qëllime penguese të ndryshme nga ato që parashikon ligji.
Ndërkohë, jo rrallë herë, ndodh që këto padi pa palë kundërshtare ose padi njohje në formën e kërkesës, prekin interesa të palëve që nuk janë në proces. Në parim, këto palë mund të bënin kërkesë për ndërhyrje dhe mendimi im personal është që kjo kërkesë për ndërhyrje duhet të pranohet dhe kjo i jep të drejtë palës ndërhyrëse për të bërë ankim dhe e bën vendimin e shkallës parë të paefektshëm derisa të shprehej gjykata e apelit. Ndërkohë, Gjykata ka mbajtur qëndrimin që pala të cilës i cënohen të drejtat nga një regjistrim mund të bëjë padi themeli ku të kërkojë pavlefshmërinë e regjistrimit duke pasur si palë të paditur palën që ka regjistruar ndryshimet që prekin interesat e kësaj pale. Normalisht, qëndrimi i gjykatës për mua është i gabuar në lidhje me këto praktika të krijuara, por nga ana tjetër kjo praktikë nuk ndryshon përveçse nëpërmjet vendimeve të ndryshme nga kjo gjykata dhe nga vendimet korrigjuese të gjykatave më të larta. Problemi qëndron që kur t’i vij momenti që një çështje e tillë të marr zgjidhje nga gjykatat më të larta, palës së dëmtuar i ka humbur interesi pasi ka kaluar kohë pafund. Kësisoj, kjo praktikë do të vazhdojë të jetë në fuqi për një kohë të gjatë. Në rastet e ngjashme p.sh të kërkesave për vërtetimin e një fakti juridik, kur gjykatës i paraqiten pretendime nga një palë tjetër, vendos pushimin e çështjes dhe orienton palën kërkuese ta realizojë atë që synonte në kërkesë nëpërmjet një padie detyruese (me palë kundërshtare). Pra është e qartë që situata ligjore ka paqartësi dhe probleme të mëdha të cilat do të duhen të zgjidhen nga ligjvënësi, por deri atëherë duhet të “kënaqemi” me praktikën aktuale.
Për të përfunduar, nëse bëhet ankim, praktika është që hidhet një short dhe një gjyqtar tjetër i po kësaj gjykate shqyrton nëse ky ankim duhet të pranohet duke vlerësuar nëse është vendim i ankimueshëm apo jo dhe nëse ankuesi legjitimohet ta bëjë një gjë të tillë. Në praktikat që kam pasur unë, gjykata ka vendosur me vendim të arsyetuar kthimin e ankimit dhe ndërkohë, vendimi është regjistruar menjëherë në regjistër duke i dhënë efektet menjëherë me regjistrimin. Kësisoj, besoj do të jetë edhe fati i statusit ligjor të PD-së. Ndërkohë, regjistrimi i Kuvendit të datës 18 dhjetor, mendoj që bëhet logjikisht dhe juridikisht i vështirë dhe nëse ndodh, këtu pastaj kriza në PD do të çonte në një degradim të rëndë të kësaj force politike që do të ishte një fatkeqësi për mbarë vendin i cili ka nevojë për një opozitë të fortë dhe që udhëhiqet nga parimet e një shoqërie demokratike.
AV. JORDAN DACI
@NewsIn.Al

