Wednesday, June 24, 2026
spot_img
HomeKulture / Art"BANESA TEK ISH FUSHA E TENISIT NE KORÇE"/ Petraq Kolevica, arkitekti që...

“BANESA TEK ISH FUSHA E TENISIT NE KORÇE”/ Petraq Kolevica, arkitekti që dashuronte qytetin…

 

Apartamente banimi ne ish fusha e tenisit ne Korçë, në vitin 1965 përfundoi ndërtimi i tyre.

Historia e ndërtimit nga Petraq Kolevica,
Fragment nga libri “Arkitektura & Diktatura”.

BANESA TEK ISH FUSHA E TENISIT NE KORÇE.
Pothuajse në të njëjtën kohë me projektin e banesës prapa Bankës në Tiranë, pata bërë dhe atë të banesës tek ish Fusha e Tenisit në Korçë. Për këtë u pat interesuar vetë Ministri J.Pashko. Vendi i ndërtimit ishte i rëndësishëm. Nga njëra anë kishte një panoramë të pafundme mbi krejt fushën e Korçës, duke mbyllur kështu perspektivën e rrugës së Bilishtit, që në të ardhmen, mund të ishte rruga e hyrjes në Korçë nga Greqia dhe nga ana tjetër kishte panoramën e bukur mbi gjithë malet e Moravës dhe krejt qytetin.
Isha i detyruar të përdorja seksionet tip (59/1) të banesave, por i bëra disa përshtatje, që më ndihmuan në përmirësimin e funksionit të ambienteve dhe të linjës arkitektonike. Vizatimet e projektidesë ia tregova Ministrit. Ai më foli pa ndrojë: “Petraq, unë në projekt nuk kuptoj mirë. Ma bën dot ashtu si i bën ti, me karton, maket, a si i thoni?”
Brenda një jave, e bëra maketin e ndërtesës prej kartoni, në shkallën 1:100, ia tregova, e pëlqeu dhe pa asnjë ndryshim, u bë projekti i zbatimit. Ishte një zgjidhje arkitektonike, që dallohej shumë nga projektet e tjera, të cilat zbatoheshin në atë kohë. Si pasojë, filluan të dëgjohen thashethemet keqdashëse, ku më shumë dëgjohej daullja e rrezikut të modernizmit, përpara së cilës mund të stepej dhe vetë Ministri. Ndërkohë, po
mbaronte viti 1962. Urgjentisht u nisa për në Korçë me projektin e themeleve të ndërtesës nën sqetull. E bisedova gjendjen me Drejtorinë e Ndërmarrjes së Ndërtimit, e cila gjithashtu, ishte e interesuar të fillonte punën, për ta pasur front të hapur për vitin tjetër. Më 29 Dhjetor, në një ditë të ftohtë, përmes një dëbore të dëndur, bëmë sikur piketuam një plint, u gërmus, u hodh ca u bë një situacion, që të nesërmen u dorëzua në Bankë dhe kështu u quajt që ajo godinë kishte filluar dhe nuk “u dogjën” fondet e caktuara për të, por “u dogjën” planet e mbrapshta të keqdashësve, thashethemet e të cilëve vazhduan edhe pasi godina mbaroi.
Me këtë rast, vlen të tregohet kjo ndodhi:
Duhet të ketë qenë vera e vitit 1964. Nuk di përse isha në Korçë bashkë me zv/Ministrin, Sh Dragoti. Atëhere, në Korçë, sekretar Partie ishte Pirro Kondi. Me
sa duket ai si sekretar Partie, i kishte dëgjuar fjalët për modernizmat, të thëna kush e di se ku, për banesën tek ish Fusha e Tenisit dhe ndërsa po kalonim së bashku pranë saj (ende e pa përfunduar), P.Kondi e pyeti Sh. Dragotin: Si ju duket kjo ndërtesë?
U!-tha Shinasiu-ne, si na duket? Ne, e kemi bërë! Juve, si ju duket?
P.Kondi-vazhdoi: Një delegacion i Partisë Komuniste Franceze, që ishte këtu, na tha, se të vetmen godinë me arkitekturë moderne, kini këtë.
Askush nuk bëri më asnjë koment. Unë, u gëzova e s’gëzohesha dot, se modernia në Shqipërinë e asaj kohe, mund të quhej fare lehtë moderniste.
Me ndërtesën e lartpërmendur, filloi seria e projekteve të mia, për disa ndërtesa në Korçë. Për këtë çështje, u bashkuan dy interesa:
Interesi i parë:
Pas kritikës së rëndë që m’u bë për banesën prapa Bankës, në Tiranë, Drejtoria e ish Ndërmarrjes Projekti, që tashmë ishte bërë Institut Projektimi, kishte interes dhe bëri çmos të më largonte nga projektet e godinave që bëheshin për Tiranën.
Interesi i dytë:
Në atë kohë, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Korçës, ishte Myftar Grabocka, burrë i mençur, që e dinte se duhej t’i shërbente mirë atij që e kishte vënë në atë vend dhe mirë i shërbeu, pordonte të linte emërtë mirë në Korçë për vitet, që do të qëndronte atje. Pati zotësinë ta kuptonte shpejt që këtë mund ta arrinte, duke i kushtuar vëmendje ndërtimeve. Tani, nuk jam në gjendje të them me saktësi se në ç’vit, por e di që ishte verë, mbase që në fillim të caktimit të tij si Kryetartë Komitetit Ekzekutiv, kur na thirri arkitekt S.Luarasin, me gjithë gruan e vajzën e tij, arkitekt A.Lufin dhe mua e na shtroi një drekë në një sallë pranë dhomës së Drejtorit të Fabrikës së Birrës në Korçë, ku na gostiti me birrë speciale të asaj fabrike dhe na kërkoi bashkëpunimin tonë për ndërtimet në atë qytet.
Pas asaj dreke, arkitekt S.Luarasi e arkitekt A.Lufi, nuk u dukën më në Korçë, ndërsa unë, i mbështetur nga Kryetari, munda të bëja projektet e atyre ndërtesave në Korçë, që po të ishin në Tiranë, nuk do t’i bëja dot.
Kështu mund të përmend banesën (të emërtuar pranë monumentit të Stalinit), e cila më kushtoi shumë punë, por nuk më krijoi probleme, pa çka se zgjidhja arkitektonike vazhdoi në frymën e arkitekturës moderne. Me të njëjtën lehtësi, kaloi edhe Shtëpia e Oficerëve, që u ndërtua jo shumë larg saj.

Piro Dhame_Në Korçën tonë

@NewsIn.Al

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments