KreuPe KorceCepa, lum Shqipëria që të ka: Ti je Legjendë!/ LEONARD TREBICKA

Cepa, lum Shqipëria që të ka: Ti je Legjendë!/ LEONARD TREBICKA

Cepa, lum Shqipëria që të ka: Ti je Legjendë!

Kampion Ballkani, rekord ballkanik në moshën 57-vjeçare. Beni, nderoi një komb të tërë.

Të gjithë e thërrasin Beni, madje njihet edhe me Dhimitri Jorgos, ndërkohë që shumë të tjerë i thërrasin kampion. Për mua nuk je më i tillë, ti je legjendë që nuk do të shuhesh kurrë. Për 3 ditë me radhë në Korçë u zhvillua kampionati ballkanik në atletikë dhe pata fatin e madh të jem gjyqtar në hudhjet e diskut dhe të gjyles. Pikërisht në ditën e dytë mes mbi 720 sportistë më ka mahnitur në hudhjen e diskut Dhimitraq Cepa, ose Beni që nëse nuk do ta njihja patjetër që do ti kërkoja edhe pasaportën, pasi sot është plot 57 vjeç. Katër hudhje kishin të gjithë sportistët në garë, ndërkohë që qysh në hudhjen e parë më habiti me provën mbi 45 metra. Kreu një hudhje që as kur ka qenë “djalkë” nuk e ka bërë kurrë më parë. Sigurisht që vendi i parë dukej për të dhe habia më e madhe është se në hudhjen e tretë të gjithë konkurentët e duartrokitën, madje edhe serbi, rumuni, bullgari, slloveni, turku apo edhe greku etj. Sa shumë përshypje më bëri ky veprim, ndërkohë që në hudhjen e tretë Beni Cepa e flaku plot 46.20 m. M’u duk një flakje që mund ta bëjë vetëm një legjendë dhe kur metri shënoi këtë rezultat, ishte rekord ballkanik. Po, po, vërtet rekord ballkani dhe kjo më lumturoi sepse në fund të fundit Beni tani nuk është vetëm i Korçës, është i mbarë Shqipërisë.
Sa shumë më ka mrekulluar Beni Cepa, sa shumë krenar më ka bërë, por habia tjetër më e madhe është se askush nga korçarët drejtues, apo ata që valla e duan sportin nuk u duk asgjëkundi, madje as kur vari medaljen e artë në qafë. S’ka gjë, Beni nuk ka më nevojë për gjëra të tilla. Në fund të fundit në Shqipëri jetojmë dhe nëse do të ishte grek apo turk, sot do ta respektonte një komb i tërë. 46.15 m ishte rekordi dhe Beni e hodhi pesë centimetra më shumë, teksa rekordi ishte i Greqisë, ndërsa tani mori rrugën për në Korçën tonë.
Respektojini ore, dreqi ta hajë, këta legjenda, respektojini! Beni, më mrekullove dhe në fakt nuk di çfarë të them më shumë se kaq. Kampion prej dekadash, rekorde shqiptare ke arritur, por tani je kampion ballkani dhe rekordmen ballkani. Me vjen të plas, por do ta them. E dini sa paguhet legjenda Beni Cepa? Nuk besoj se e dinë shumë njerëz, por po e them, pak më shumë se 10 mijë lek në muaj. Po, po, 10 mijë lek në muaj, ose ndryshe një bidon me amita në ditë. Sa turp më vjen mua dhe të gjithëve, që na çmendën me këtë neglizhencë këta shtetarët tanë. Nderojeni more, ngrijeni në piedestal një figurë kaq të madhe si Beni Cepa…
Nejse, dua ta mbyll dhe pse kam shumë për të thënë, mund dhe kam të drejtë ta prish edhe gojën kur dëgjoj dhe shikoj gjëra të tilla, por dua ta mbyll vetëm me fjainë: Beni, ti tani je një legjendë….

Leonard Trebicka

#NewsIn.Al

Artikuj të ngjashëm

Më të lexuarat

Komente të fundit